Dëgjojen me zë:
Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut, që vepron në kuadër të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, ka realizuar një aksion të gjerë inspektues në bashkëpunim të ngushtë me Policinë e Kosovës, Administratën Tatimore të Kosovës dhe Inspektoratin Qendror të Punës.
Qëllimi kryesor i këtij aksioni ishte të sigurohej respektimi i standardeve ligjore, të mbrohej konsumatori, të garantohej konkurrenca e ndershme dhe të verifikohej përmbushja e obligimeve ligjore nga subjektet ekonomike.
Gjatë këtij operacioni janë inspektuar gjithsej 69 subjekte ekonomike, me fokus të veçantë tek bizneset që ushtrojnë veprimtari në fushën e hotelerisë dhe turizmit, përfshirë vilat dhe motelet në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës.
Bazuar në kompetencat ligjore, inspektorët e Inspektoratit Qendror të Mbikëqyrjes së Tregut kanë urdhëruar mbylljen e përkohshme të 26 subjekteve ekonomike. Shumica e këtyre mbylljeve u krye për shkak të mosregjistrimit të bizneseve, si dhe mungesës së pëlqimeve ose aktvendimeve që dëshmojnë plotësimin e kushteve minimale teknike të aktivitetit.
Përveç mbylljeve, ndaj operatorëve ekonomikë që ushtronin aktivitet në kundërshtim me legjislacionin në fuqi, janë shqiptuar gjithsej 27 masa ndëshkuese, duke përfshirë gjoba dhe paralajmërime për ndërprerjen e veprimtarisë së paligjshme.
Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut ka bërë të ditur se veprimtari të ngjashme inspektuese do të vazhdojnë edhe në të ardhmen. Qëllimi është forcimi i sundimit të ligjit, krijimi i një mjedisi të sigurt, të rregullt dhe transparent për zhvillimin e veprimtarive ekonomike, si dhe rritja e besueshmërisë dhe mbrojtja e qytetarëve dhe konsumatorëve në Kosovë.
