Zëdhënësi i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV), Lamir Thaçi, ka njoftuar se mbi 400 mijë kilogramë produkte janë asgjësuar gjatë këtij viti. Këto produkte nuk i kishin plotësuar kushtet e nevojshme për konsum.
Thaçi ka sqaruar se produktet janë larguar për shkak të ruajtjes jo adekuate dhe për arsye të tjera të ndryshme, si mungesa e dokumentacionit të nevojshëm dhe analiza që kanë treguar se produktet nuk ishin të përshtatshme për konsum. “Sasia e përgjithshme e asgjësimit për këtë vit e kalon rreth 400 mijë kilogram. Nuk është vetëm për shkak të kushteve të ruajtjes, por edhe për shkak të lajmërimeve nga vetë bizneset për arsye të ndryshme,” ka thënë Thaçi.
Zëdhënësi gjithashtu ka bërë thirrje që qytetarët të kenë kujdes të veçantë në konsumimin e produkteve ushqimore, sidomos gjatë periudhave me temperatura të larta. Ai ka theksuar se të gjitha produktet që janë aktualisht në treg janë inspektuar dhe janë të sigurta për konsumim.
Kjo masë e rreptë vjen si pjesë e përpjekjeve të vazhdueshme të AUV-it për të siguruar standardet më të larta të sigurisë ushqimore dhe për të mbrojtur shëndetin e konsumatorëve.