Indonezia ka njoftuar se do t’u ndalojë fëmijëve nën moshën 16 vjeç përdorimin e rrjeteve sociale, në një përpjekje për të rritur mbrojtjen e të miturve në hapësirën digjitale.

Ministrja e Komunikimit, Meutya Hafid, bëri të ditur se masa do të hyjë në fuqi më 28 mars. Sipas saj, fëmijët nën këtë moshë nuk do të mund të krijojnë më llogari në platformat digjitale që konsiderohen me rrezik të lartë.

“Fëmijët nën 16 vjeç nuk mund të kenë më llogari në platformat digjitale me rrezik të lartë. Ky vendim po merret për të ardhmen e fëmijëve indonezianë”, deklaroi ministrja.

Me këtë vendim, Indonezia bëhet vendi i dytë në botë që kufizon qasjen e të miturve në rrjete sociale, pas Australisë, e cila miratoi një ligj të ngjashëm në dhjetor të vitit të kaluar.

Sipas ministres Hafid, zbatimi i rregullit të ri do të bëhet në mënyrë graduale, duke filluar me platforma të njohura si YouTube, TikTok, Facebook, Instagram, Threads, X, Bigo Live dhe Roblox.

Autoritetet indoneziane kanë theksuar se vendimi lidhet me rreziqet në rritje në hapësirën digjitale, përfshirë përmbajtjen pornografike, ngacmimin kibernetik, mashtrimet online dhe varësinë nga teknologjia.

“E kuptojmë që ky hap mund të shkaktojë shqetësim fillestar. Megjithatë, qeveria nuk mund të qëndrojë duarkryq kur e ardhmja e fëmijëve është në rrezik”, tha ministrja, duke shtuar se përgjegjësia për mbrojtjen e të miturve duhet të ndahet edhe nga platformat që menaxhojnë hapësirën digjitale.

“Teknologjia duhet ta humanizojë njerëzimin, jo të sakrifikojë fëmijërinë e fëmijëve tanë”, përfundoi Hafid.

Share.

Comments are closed.

Exit mobile version