Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike (IKSHPK), me qëllim të mbrojtjes së shëndetit dhe sigurisë në ambientet ujore, u ka bërë thirrje qytetarëve që të respektojnë disa udhëzime gjatë përdorimit të pishinave publike.

Sipas IKSHPK-së, është e rëndësishme që qytetarët të ruajnë higjienën personale. Udhëzimet specifike përfshijnë:

  • Para se të hyni në pishinë, bëni gjithmonë dush me ujë të rrjedhshëm.
  • Përdorni rroba banje të pastra dhe shmangni hyrjen në ujë me rroba të zakonshme.
  • Nuk lejohet hyrja në pishinë nëse vuani nga sëmundje infektive të lëkurës ose të traktit tretës (si diarreja).
  • Nëse keni plagë të hapura, mos hyni në ujë, pasi ato shërbejnë si portë për infeksione.

Instituti thekson gjithashtu rëndësinë e sjelljes së përgjegjshme në pishina, duke përfshirë respektimin e rregullave dhe shenjave. Është thelbësore që fëmijët të mbahen nën mbikëqyrje të vazhdueshme dhe të shmangen sjelljet e rrezikshme si vrapimi, zhytjet e papritura ose hedhjet pa kontroll.

IKSHPK rekomandon edhe masa për të parandaluar ndotjen e ujit:

  • Mos urinoni në ujë, pasi kjo dobëson efektin e klorit dhe përhap infeksione.
  • Mos futni ushqim ose pije në zonën e ujit, pasi rritet rreziku i ndotjes dhe tërheqjes së insekteve.
  • Fëmijët e vegjël duhet të përdorin pelena të posaçme për ujë.

Së fundi, IKSHPK udhëzon qytetarët të zgjedhin ambiente të sigurta dhe të mirëmbajtura. Atyre u bëhet thirrje të frekuentojnë vetëm pishina që plotësojnë kushtet sanitare dhe janë të licencuara. Nëse vëreni ujë të turbullt, erë të rëndë, ose mungesë pastërtie, nuk duhet të hyni në ujë dhe duhet të raportoni menjëherë situatën.

Share.

Comments are closed.

Exit mobile version