Nga Fatmir Baçi

Në historinë e njerëzimit, fuqia shpesh është paraqitur si shenja më e qartë e madhështisë, si simbol i aftësisë së njeriut për të sunduar rrethanat dhe për të lënë gjurmë në rrjedhën e kohës. Perandoritë kanë ngritur monumente për ta përjetësuar atë, ushtritë kanë marshuar për ta provuar atë, ndërsa pushtetet kanë ndërtuar ligjërime të tëra për ta justifikuar atë, duke e shndërruar fuqinë në një ide që mbështetet nga institucione, nga histori zyrtare dhe nga narrativat e kohës. Megjithatë, sa më shumë që shtrihet fuqia në hapësirë dhe në kohë, aq më qartë zbulohet edhe hija e saj; dobësia që e shoqëron nga brenda, si një kujtesë e heshtur se çdo strukturë njerëzore mbart kufijtë e vet.

***

Në pamjen e parë, fuqia krijon përshtypjen e stabilitetit dhe sigurise, duke i dhënë shoqërisë ndjenjën e një rendi të qëndrueshëm dhe të një strukture që i përballon lëkundjet e kohës. Ajo ngjan me një mur të madh që i reziston çdo stuhie, një mur që nga larg duket i pandryshueshëm dhe i sigurt. Mirëpo shpesh, historia ka treguar se pikërisht aty ku muri duket më i trashë, diku në thellësi grumbullohet plasaritja e padukshme, ajo vijë e imët tensioni që me kalimin e viteve fillon të zgjerohet në heshtje. Fuqia që mbështetet vetëm mbi frikën, mbi imponimin dhe mbi kontrollin e tepërt, fillon të rëndohet nga vetë pesha e saj, sepse aparati i madh i kontrollit kërkon energji të vazhdueshme për ta ruajtur vetveten.

***

Në kohën tonë kjo dukuri shfaqet me një qartësi të veçantë dhe me një intensitet që e bën të dukshme për shumë shoqëri njëkohësisht. Teknologjia ka rritur fuqinë e njeriut në një shkallë që brezat e mëparshëm mezi mund ta imagjinonin, duke i dhënë institucioneve dhe shteteve mjete të reja ndikimi, imponimi dhe mbikëqyrjeje. Shtetet dhe struktura pergjegjese angazhohen të shohin gjithçka, të regjistrojnë gjithçka, të ndërtojnë sisteme të gjera ndikimi ekonomik dhe informativ që përhapen nëpër rrjete globale dhe nëpër hapësira të shumta komunikimi. Megjithatë, bashkë me këtë zgjerim të pushtetit rritet edhe ndjenja e pasigurisë kolektive, një ndjenjë që shfaqet në debatet publike, në tensionet sociale dhe në kërkimin e vazhdueshëm për garanci të reja stabiliteti. Sa më i madh dhe sa më efikas bëhet aparati i kontrollit, aq më i brishtë duket besimi që e mban shoqërinë të bashkuar, kjo sepse besimi kërkon një ekuilibër të brendshëm i cili i tejkalon mekanizmat e thjeshtë të mbikëqyrjes.

***

Kjo është një nga ironitë më të thella të historisë; fuqia e tepërt shpesh shndërrohet në dëshmi të një dobësie të brendshme, prezencë e një sinjali që është tregues i tensioneve që rriten në brendësi të sistemit. Kur pushteti kërkon të kontrollojë çdo lëvizje, çdo mendim dhe çdo fjalë, ai shpall në mënyrë të tërthortë plasaritjen në murin e sistemit, siç edhe nxjerr në pah frikën e vet nga liria e tjetrit, drojën nga energjia spontane e shoqërisë. Kjo frikë e brendshme është shenja më e qartë se fuqia e jashtme gjen mbështetje të kufizuar në ndërgjegjen e njerëzve, në atë hapësirë morale ku formohet legjitimiteti i vërtetë i çdo rendi shoqëror.

***

Edhe aktualiteti global e përforcon këtë tablo, duke paraqitur një botë të mbushur me tensione të shumta dhe me rivalitete të hapura. Konfliktet e reja, rivalitetet gjeopolitike dhe krizat ekonomike tregojnë një botë ku qendrat e mëdha të fuqisë përpiqen ta zgjerojnë ndikimin e tyre në çdo drejtim, duke përdorur instrumente politike, ekonomike dhe kulturore. Në të njëjtën kohë, vetë këto qendra përjetojnë tensione të brendshme, polarizime shoqërore dhe një ndjenjë të përhapur paniku dhe pasigurie që reflektohet si në jetën publike ashtu edhe në debatet politike. Fuqia e jashtme dhe dobësia e brendshme ecin në një vijë të përbashkët, sikur të jenë dy fytyra të së njëjtit realitet historik që zhvillohet para syve të brezave.

***

Në këtë kuptim, historia e fuqisë është gjithashtu historia e kufirit të saj, historia e momentit kur ambicia e zgjerimit takohet me realitetin e botës dhe me strukturën e shoqërive njerëzore. Çdo pushtet që e sheh veten të pakufizuar fillon të hyjë në një marrëdhënie të rrezikshme me realitetin, duke ndërtuar një horizont pritshmërish që e tejkalon kapacitetin e vet. Ai ndërton iluzionin e përjetësisë, duke e paraqitur veten si një rend të pandryshueshëm në histori, ndërsa në brendësi fillon të përgatitet momenti i rënies, është pikërisht ai moment kur tensionet e grumbulluara gjejnë një shteg për t’u shfaqur. Shpeshhërë ky moment vjen atëherë kur fuqia duket më e sigurt për vetveten dhe kur aparati i saj arrin kulmin e organizimit.

***

Prandaj, pyetja themelore që mbetet për çdo shoqëri është kjo; çfarë e bën fuqinë të qëndrueshme(?), ndërkohë që përgjigjja e historisë tregon se qëndrueshmëria lidhet me drejtësinë, me masën dhe me aftësinë për të pranuar kufijtë që burojnë nga vetë natyra e jetës shoqërore. Fuqia që gjen mbështetje në këto parime fiton një lloj stabiliteti që lidhet me besimin e njerëzve dhe me ndjenjën e drejtësisë që shoqëria e ruan në ndërgjegjen e saj kolektive.
Në mungesë të kësaj mase, fuqia fillon të prodhojë hijen e vet, një hije që rritet në mënyrë të padukshme në strukturat e brendshme të pushtetit. Dhe kjo hije rritet gradualisht, derisa një ditë bëhet më e madhe se vetë struktura që e ka krijuar, duke e mbuluar atë me pasojat e veta historike. Atëherë historia hap një kapitull të ri, në të cilin ajo që dikur dukej e pathyeshme fillon të lexohet si një dëshmi e brishtësisë njerëzore dhe si një kujtesë për kufijtë e çdo rendi politik.

***

Në këtë mënyrë, fuqia dhe dobësia mbeten të lidhura në një marrëdhënie të pandashme, në një lëvizje të vazhdueshme që shoqëron historinë e shoqërive njerëzore. Sa herë që njëra përpiqet të shtrihet pa kufi, tjetra fillon të rritet në heshtje brenda saj, duke formuar tensionet e padukshme që përgatisin ndryshimin. Dhe pikërisht në këtë heshtje, në këtë proces të brendshëm që zhvillohet larg syrit dhe larg aktit të menjëhershëm, historia përgatit kthesat e saj më të mëdha.

Share.

Comments are closed.

Exit mobile version