Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, është prononcuar për media pas takimit me presidenten Vjosa Osmani, ku u diskutua situata aktuale politike dhe bllokada institucionale në vend.

Haradinaj tha se presidentja Osmani ka shprehur shqetësimin e saj për krizën e krijuar dhe për kalimin e kohës pa progres konkret.

“Tema e takimit ishte si të dalim nga kjo bllokadë, edhe pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Presidentja shprehu shqetësim sepse koha po ecën shpejt, afati është 30-ditor. Ajo u interesua për pozicionin tonë dhe për mënyrën si ne e shohim daljen nga kjo situatë”, tha Haradinaj.

Ai e cilësoi situatën si të rënduar dhe shprehu zhgënjim për mungesën e fleksibilitetit nga ana e Lëvizjes Vetëvendosje.

“Kemi besuar se pas vendimit të Gjykatës, LVV do ta shfrytëzonte mundësinë për të ndryshuar praktikën e votimit dhe do të kalonte në votim të hapur. Kemi shpresuar edhe në një kandidat konsensual që do ta mbështesnim,” theksoi ai.

Haradinaj tha se AAK-ja vazhdon të kërkojë rikthimin e praktikës së votimit të hapur, si mënyrë për të mundësuar pjesëmarrjen aktive të partisë së tij në zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit.

“Nëse rikthehet votimi i hapur, shpresojmë që do të marrim pjesë në votim. Për ata që nuk i mbështesim, do të votojmë kundër, por për kandidatët konsensual, do të jemi pro,” u shpreh Haradinaj.

Ai gjithashtu përmendi se ka dëgjuar për dy kërkesa të reja drejtuar Gjykatës Kushtetuese në lidhje me praktikën e votimit, por paralajmëroi se shqyrtimi i tyre kërkon kohë, çka mund të shtyjë më tej zgjidhjen e ngërçit.

“Si Aleancë, do të bëjmë gjithçka që është brenda kapaciteteve tona politike dhe përfaqësuese për t’i hapur rrugë konstituimit të Kuvendit dhe formimit të institucioneve që dalin nga zgjedhjet e fundit parlamentare,” përfundoi ai.

Share.

Comments are closed.

Exit mobile version