Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka nisur sot një seri takimesh me liderët e partive politike, në përpjekje për të gjetur një zgjidhje ndaj krizës institucionale që ka përfshirë vendin.

Fillimisht, Osmani ka zhvilluar takime të ndara me kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, si dhe me liderin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku.

Në vazhdim të këtyre konsultimeve, në objektin e Presidencës është parë duke hyrë edhe kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.

Deri më tani, nga Presidenca nuk është lëshuar asnjë njoftim zyrtar lidhur me përfundimet apo propozimet që mund të kenë dalë nga këto takime.

Pavarësisht 40 përpjekjeve të njëpasnjëshme, deputetët e zgjedhur të Kuvendit të Kosovës ende nuk kanë arritur ta konstituojnë institucionin ligjvënës.

Zgjedhjet parlamentare janë mbajtur më 9 shkurt.

Sipas ekspertëve të së drejtës kushtetuese, aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese nuk ka arritur të sjellë një zgjidhje për krizën aktuale, dhe se dalja nga kjo situatë mund të vijë vetëm përmes një marrëveshjeje politike ose me ndërhyrjen vendimtare të presidentes.

Share.

Comments are closed.

Exit mobile version