Ceremonia hapëse e Lojërave Olimpike Dimërore Milano–Cortina 2026, e mbajtur të premten në stadiumin San Siro, u shoqërua me fishkëllima të dëgjueshme nga publiku gjatë hyrjes së delegacioneve të Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit, mes tensionesh politike dhe protestash të gjera në Itali.
Delegacionin amerikan e kryesuan zëvendëspresidenti i ShBA-së, JD Vance, dhe sekretari i Shtetit, Marco Rubio. Sapo Vance u shfaq në ekranin e madh të stadiumit duke valëvitur flamurin amerikan, publiku reagoi me fishkëllima, sipas transmetimit të drejtpërdrejtë të ceremonisë. “Ja ku është zëvendëspresidenti JD Vance dhe bashkëshortja e tij Usha. Ups, këto janë shumë fishkëllima për të”, u dëgjua të thoshte një komentator gjatë transmetimit.
Reagimi erdhi pas disa ditësh protestash lidhur me praninë e agjentëve të Shërbimit Amerikan të Imigracionit dhe Doganave (ICE) në operacionet e sigurisë së Lojërave. Departamenti i Sigurisë Kombëtare i ShBA-së konfirmoi se personeli i Hetimeve të Sigurisë Kombëtare ndodhet në Milano, gjë që ka nxitur kundërshtime të forta nga qytetarë dhe zyrtarë italianë.
Kryetari i bashkisë së Milanos, Giuseppe Sala, deklaroi se agjentët e ICE-së “nuk janë të mirëpritur”, duke e quajtur këtë agjenci një “milici që vret”. Fundjavën e kaluar, mijëra protestues u mblodhën në Piazza 25 Aprile për të kundërshtuar praninë e ICE-së dhe për të ngritur shqetësime mbi shkeljet e të drejtave civile.
Protesta të tjera shpërthyen edhe gjatë ditëve të fundit në Milano, Cortina d’Ampezzo dhe Predazzo. Në zonën Porta Romano të Milanos, marshimet u shndërruan në përplasje me policinë, pasi një grup protestuesish hodhën shishe, flakadanë dhe fishekzjarre. Policia përdori topa uji dhe sprej djegës, ndërsa sipas mediave lokale, gjashtë persona u arrestuan.
Delegacioni izraelit, i përbërë nga nëntë sportistë olimpikë dhe një paraolimpist, u përball gjithashtu me disa fishkëllima gjatë hyrjes në stadium, ndonëse zhurma u mbulua pjesërisht nga muzika e ceremonisë. Tensionet lidhen edhe me zhvillimet në Lindjen e Mesme, ku sipas zyrtarëve palestinezë, më shumë se 800 sportistë janë vrarë në Gaza që nga 7 tetori 2023.
Presidentja e Komitetit Olimpik Ndërkombëtar, Kirsty Coventry, bëri thirrje për respekt dhe qetësi, duke theksuar se Lojërat Olimpike duhet të mbeten një hapësirë bashkimi, pavarësisht ndjeshmërive politike dhe protestave shoqëruese.
