Mediumi prestigjioz amerikan ESPN ka publikuar vlerësimin e tyre për finalen e “play-off”-it drejt Kupës së Botës 2026 mes Kosovës dhe Turqisë, duke e vendosur Kombëtaren e Kosovës si fituese të mundshme në këtë përballje historike.
Sipas analizës së këtij mediumi të njohur, “Dardanët” kanë potencialin për të befasuar një kundërshtar të fortë si Turqia, pavarësisht se në letër konsiderohet favorite për shkak të përbërjes cilësore dhe përvojës ndërkombëtare.
Në vlerësimin e tyre, ESPN ndalet te skuadra e drejtuar nga Franco Foda, duke theksuar stilin e lojës dhe karakterin e ekipit kosovar.
“Ekipi i Franco Fodas është i ri, i guximshëm dhe plot ritëm e energji. Lojtarët e Kosovës kanë aftësi të shokojnë një ekip turk të mbushur me talente të nivelit të lartë”, thuhet në analizë, ku përmenden edhe emra të njohur të Turqisë si Arda Güler, Hakan Çalhanoğlu dhe Kenan Yıldız.
Megjithëse Turqia ka fituar dy përballjet e mëparshme dhe konsiderohet favorite në aspektin statistikor, ESPN nënvizon se faktorët jashtë fushe mund të luajnë rol vendimtar në këtë duel.
Atmosfera në Fadil Vokrri Stadium pritet të jetë elektrizuese, me tifozët kosovarë që mund të japin një shtysë të madhe për ekipin vendas në një ndeshje me peshë të jashtëzakonshme.
“Turqia është favorite, por atmosfera në stadium do të jetë e jashtëzakonshme dhe mund të ndikojë në rezultat. Fitues: Kosova”, përfundon parashikimi i mediumit amerikan.
Kjo sfidë konsiderohet një moment historik për futbollin kosovar, pasi një fitore ndaj Turqisë do t’i siguronte Kosovës një vend në Kupën e Botës 2026 – një arritje që do të hynte në historinë e sportit në vend.
