I dyshuari për spiunazh, Bojan Jevtiq, është dërguar në Gjykatën Themelore në Prishtinë. Aty do të mbahet një seancë dëgjimore për t’i caktuar atij masën e paraburgimit.
Jevtiq u arrestua nën dyshimin se ka transferuar informacione dhe sekrete shtetërore te agjencitë serbe. Fillimisht, ai u ndalua për 48 orë. Gjatë një kontrolli në banesën e tij, autoritetet gjetën armë, para dhe disa dokumente të dyshimta.
Prokuroria Speciale njoftoi se gjatë bastisjes në shtëpinë e tij në një fshat të Kamenicës, u sekuestruan materiale të ndryshme:
- Dokumente sekrete të Policisë së Kosovës
- Disa telefona të mençur
- USB
- Një armë e shkurtër
- Municion
- Para të gatshme, përfshirë 10,000 euro, 2 milionë dinarë serbë, dhe 600 franga zvicerane
- Prova të tjera që do të shqyrtohen gjatë procedurës hetimore.
Për më tepër, Inspektorati Policor i Kosovës ka rekomanduar suspendimin e togerit policor që shërbente si shef i operativës në policinë kufitare, në pikëkalimin kufitar “Dheu i Bardhë”.