Prokurori publik nga Prokuroria Themelore Publike në Shkup ka dhënë urdhër për fillimin e procedurës hetuese ndaj dy vëllezërve nga Haraçina, të moshave 23 dhe 30 vjeçare, të cilët dyshohet se kanë kryer veprën penale si bashkëkryetarë “Vrasje” sipas nenit 123 paragrafi 2 pika 1, si dhe një vepër penale “Vrasje” sipas nenit 123 paragrafi 2 pika 1 lidhur me nenin 19 (tentativë) të Kodit Penal.

Ata me qëllim të përbashkët i kanë marrë jetën një personi dhe kanë tentuar t’i japin fund jetës djalit të tij, për shkak të një konflikti borxh-kreditor, konkretisht për një borxh prej 7,000 eurosh që i ndjeri kishte ndaj babait të të dyshuarve.

Dy vëllezërit kishin pranuar të takonin babanë dhe djalin, dhe në këtë rast, vëllai i madh ka shkuar drejt tyre për t’u përballur fizikisht, ndërsa vëllai i vogël ka nxjerrë një armë zjarri dhe ka qëlluar disa herë në drejtim të viktimave, duke i shkaktuar plagë të shumta.

Baba i sulmuar ka ndërruar jetë, ndërsa djali i tij ka pësuar lëndime të rënda. Dy të dyshuarit janë larguar menjëherë nga vendi i ngjarjes me një automjet.

Pas kësaj, vëllai i madh është gjetur dhe ndaluar, ndërsa i vogli është ende në kërkim.

Prokurori publik i ka dorëzuar gjyqtarit të procedurës paraprake në Gjykatën Themelore Penale Shkup një propozim për caktimin e masës së paraburgimit për të dy, duke theksuar se për atë që është në arrati do të zbatohet kjo masë nga momenti i arrestimit të tij.

Në gjykatë është paraqitur gjithashtu një kërkesë për lëshimin e një urdhri për arrestimin e të dyshuarit që aktualisht nuk është në dispozicion të organeve të rendit.

Share.

Comments are closed.

Exit mobile version