Agjërimi nuk duhet të shihet thjesht si privim nga konsumimi i ushqimit, pijes etj., por si një rit fetar për t’i shprehur dashuri Zotit, për t’u rilidhur me Të, për t’iu kushtuar më shumë Atij dhe për të rigjallëruar besimin në Të. Allahu thotë: “…në mënyrë që ju të bëheni të devotshëm”. Objektivi i agjërimit është që, duke ndërprerë njeriu përkohësisht ushqimin, pijen etj., të mësohet të mposhtë dëshirat e liga, të frenojë vetveten nga punët e pahijshme dhe të ruhet apo të shkëputet nga veset e ulëta.

Nëpërmjet agjërimit synohet që njeriu të frenojë dëshirat e ethshme, të ndahet nga gjërat e dëmshme me të cilat është mësuar dhe të ulë furinë epshore. Në këtë këndvështrim agjërimi shërben si një kalitje për njeriun, si një disiplinë për përmirësimin e karakterit të tij. Kështu agjërimi është një faktor që i jep lumturi njeriut dhe e bën fisnik.

Në thelb, agjërimi është braktisje e ëndjeve të nefsit dhe gjërave që ai i pëlqen, duke i dhënë përparësi dashurisë ndaj Allahut dhe kënaqësisë së Tij. Në këtë kuptim, agjërimi është sekret ndërmjet robit dhe Zotit të Tij, një sekret ky që nuk e vështron askush tjetër veç Tij. Njerëzit mbase e shikojnë që agjëruesi i ka lënë gjërat e dukshme që e prishin agjërimin, por faktin që ai e ka lënë ushqimin, pijen dhe plotësimin e dëshirës për hirë të të adhuruarit të Tij, nuk e vështron dot asnjë njeri, dhe në fakt ky është realiteti i agjërimit.

Njeriu nuk është vetëm një qenie fizike, por fizike dhe shpirtërore. Qenia njerëzore përbehet nga shpirti dhe trupi. Ashtu sikurse ka nevoja fizike, njeriu ka dhe nevoja shpirtërore. Prandaj, njeriut i duhet agjërimi për të plotësuar nevojat shpirtërore. Por njeriu nuk mund të plotësonte nevojat shpirtërore dhe të përsoste vlerat si njeri në kushtet e plotësimit të dëshirave trupore, prandaj Allahu na e bëri detyrë të agjërojmë një muaj për t’u ngritur në lartësinë e jetës shpirtërore dhe për të përsosur vlerat si njerëz. Për njëmbëdhjetë muaj njeriu është marrë me plotësimin e nevojave trupore dhe nuk i ka dhënë liri dhe hapësirë shpirtit të plotësojë nevojat e veta; të kultivojë vlerat.

Agjëruesi flijon dëshirat vetjake dhe bën durim për Allahun e në këtë mënyrë ai arrin të përsosë adhurimin e Allahut. Adhurimi nuk mund të konceptohet pa bërë sakrificë dhe durim për të adhuruarin.

Ushqimi dhe pija janë mirësi nga Allahu për njeriun. Agjërimi atëherë është i nevojshëm dhe për t’ia ditur vlerën këtyre mirësive të Allahut dhe për ta falënderuar Atë për to, pasi pa asnjë ndërprerje prej tyre njeriu nuk do t’ua njihte vlerën.

Disa dobi të agjërimit: 

Agjërimi e bën besimtarën të devotshëm ndaj Allahut, sepse agjëruesi zbaton urdhërin e Allahut dhe heq dorë nga gjërat që ia ka ndaluar Ai. Allahu i Lartësuar thotë: “O ju që besuat, agjërimi u është bërë obligim sikurse ishte obligim edhe i atyre që ishin para jush, që të mund të bëheni të devotshëm.” (Bekare: 183)

  • Gjatë Ramazanit hapen dyert e Xhenetit, mbyllen dyert e Zjarrit dhe lidhen shejtanët. Këto favore i japin mundësi myslimanit të jetë sa më pranë Xhenetit, mëshirës dhe mirësisë së Allahut, sa më larg Zjarrit dhe sa më i qetë nga tundimet e shejtanit.
  • Agjërimi e ndihmon besimtarin t’i vërë frerë egos dhe të vërë nën kontroll tekat dhe pasionet e tij.
  • Në Ramazan myslimani kultivon vetëpërmbajtjen, vetëpërsosjen morale, durimin, maturinë, vendosmërinë dhe disiplinën.
  • Kur besimtari tërhiqet në vetmi, ku nuk e sheh askush përveç Allahut, asgjë nuk e pengon të prishë agjërimin përveç ndjenjës se Allahu e shikon. Në këtë mënyrë, agjërimi i shërben besimtarit për kultivimin e sinqeritetit në raportin me Zotin dhe në marrëdhëniet me njerëzit.
  • Kur agjëruesi ndjen dhimbjen e urisë dhe të etjes, i kujtohen njerëzit nevojtarë dhe i mëshiron e u bën mirë atyre. Kur njeriu e vuan vetë diçka, e kupton më mirë dhimbjen e njerëzve në vuajtje. Kështu, uria dhe etja që shkakton agjërimi e thyejnë furinë dhe vrullin e nefsit të njeriut dhe i kujtojnë atij gjendjen e të varfërve barkëzbrazur.
  • Përmes ngushtimit të rrugëve të ushqimit dhe të pijes, domethënë përmes pakësimit të vlerave ushqyese të trupit, agjërimi bën që të mos i jepet mundësi shejtanit të tundojë njeriun për ligësi. Agjërimi i përmban organet e njeriut që të mos lëshohen nën efektin e energjive të tyre të natyrshme pas gjërave që i dëmtojnë, në jetën e këtushme apo në jetën tjetër. Ai e qetëson çdo organ të trupit.
  • Agjërimi ka një ndikim të madh në mbrojtjen e shëndetit dhe gjallërisë së pjesëve të trupit. Ai është një dietë shumë e mirë për mbrojtjen e organizmit nga lëndët e dëmshme të cilat bëjnë që të mos funksionojë mirë. Kjo dietë gjithashtu shërben edhe për nxjerrjen e lëndëve të dëmshme të cilat shkaktojnë probleme shëndetësore. Kështu agjërimi ruan shëndetin shpirtëror dhe fizik të njeriut. Shumë semundje mund të kurohen përmes agjërimit. Mjekesia moderne ka faktuar se shumë sëmundje mund të kurohen me agjërim. Agjërimi në fakt është një domosdoshmëri për qeniet e gjallë, prandaj dhe mjaft lloje kafshësh kanë regjimin e tyre të natyrshëm të braktisjes së përkohshme të ushqimit të trupit.

Agjërimi për disa vite do të jetë në stinën e nxehtë të verës, prandaj duhet ta shohim si një mundësi të mirë për të maksimalizuar realizimin e objektivave të agjerimit që u përmendën më sipër, pasi koha është shumë e përshtatshme. Agjerimi në kushte të tilla është shumë i përshtashëm pë të gjallëruar motivin fetar dhe për t’u udhëhequr nga arsyeja e shëndoshë. Atëherë, logjika e shëndoshë dhe prirjet e natyrshme dëshmojnë për dobitë e agjërimit, kështu që bërja e tij një detyrë fetare është një mëshirë e një mirësi e madhe ndaj nesh, për të cilat duhet të tregohemi mirënjohës ndaj Allahut, duke u përmbajtur jo vetëm nga gjërat që e prishin agjërimin, por dhe nga ato gjëra që cënojnë përsosjen e tij.

Hoxhë Ismail Bardhoshi

Share.

Comments are closed.

Exit mobile version