Protestat kundër presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, janë përshkallëzuar ndjeshëm, duke sjellë skena dramatike në rrugët e Beogradit. Mbrëmjen e kaluar, përpara Fakultetit të Drejtësisë, një përleshje e dhunshme mes protestuesve dhe forcave të policisë i ka dhënë qytetit pamjen e një zone lufte.

Siç raporton nova.rs, në videot e publikuara në rrjetet sociale shihen protestuesit duke gjuajtur fishekzjarre në kryqëzimin kryesor, ndërsa dëgjoheshin edhe zhurma të ngjashme me goditjet e topave. Për t’iu kundërpërgjigjur, brigadat e policisë po afroheshin nga dy drejtime, nga rruga e Beogradit dhe Bulevardi Mbret Aleksandër, me qëllim shpërndarjen e turmës.

Protestuesit ishin kryesisht të rinj, shumë prej të cilëve me fytyra të mbuluara. Për shkak të përleshjeve, pothuajse të gjitha rrugët përreth lagjes Vraçar ishin të bllokuara, duke e bërë të pamundur qarkullimin. Në rrugë ishin lënë kontenierë të përmbysur, ndonëse në një moment, qytetarët i lëvizën ato për t’i hapur rrugë një ambulance.

Kjo ngjarje e dhunshme thekson tensionet në rritje në Serbi, ku pakënaqësia ndaj pushtetit të presidentit Vuçiq po shprehet gjithnjë e më shpesh përmes protestave masive.

Share.

Comments are closed.

Exit mobile version