Australi dhe Japonia kanë arritur marrëveshjen më të madhe ndonjëherë në industrinë e mbrojtjes mes dy vendeve, për prodhimin e anijeve luftarake të avancuara për Marinën Australiane, deklaroi ministri australian i Mbrojtjes, Richard Marles.

Sipas tij, Australia do të modernizojë forcat e saj detare me 11 fregata të klasit Mogami, të ndërtuara nga kompania Mitsubishi Heavy Industries e Japonisë. Sipas raportimeve të Australian Broadcasting Corporation (ABC), kontrata ka një vlerë prej 10 miliardë dollarësh australianë (rreth 6.5 miliardë dollarë amerikanë).

“Kjo është padyshim marrëveshja më e madhe në industrinë e mbrojtjes që është arritur ndonjëherë midis Japonisë dhe Australisë,” deklaroi Marles.

Anijet luftarake të klasit Mogami janë fregata të avancuara dhe të padukshme në radar, të afta për të lëshuar raketa me rreze të gjatë veprimi, me një rreze operacionale deri në 10,000 milje detare (rreth 18,520 km), krahasuar me fregatat aktuale të klasit Anzac, që kanë një rreze prej rreth 6,000 milje detare.

Anijet e reja, që pritet të hyjnë në shërbim deri në vitin 2030, do të operojnë gjithashtu me më pak ekuipazh se modelet aktuale.

“Është një mjet i gjeneratës së ardhshme. Është i padukshëm,” tha Marles.
“Do të jetë shumë i rëndësishëm për t’i dhënë marinës sonë aftësinë për të projektuar forcë, dhe kjo është në zemër të sfidës sonë strategjike.”

Ministri australian për Industrinë e Mbrojtjes, Pat Conroy, deklaroi se anijet e reja do të rrisin ndjeshëm fuqinë mbrojtëse të vendit:

“Nga aftësia për të lëshuar 32 raketa mbrojtëse ajrore, fregatat tona të reja do të kenë kapacitetin të lëshojnë 128 raketa, duke u dhënë marinarëve tanë armët dhe sistemet luftarake më të avancuara.”

Ndërsa Canberra nuk e bëri publik çmimin e saktë për anijet, tha se ato janë pjesë e një investimi prej 55 miliardë dollarësh australianë (rreth 35.5 miliardë dollarë amerikanë) për modernizimin e flotës luftarake detare. Agjencia Reuters raportoi se tri nga anijet do të ndërtohen në Japoni, ndërsa tetë të tjera pritet të ndërtohen në Australi.

Kontrata është marrëveshja më e madhe dhe më e rëndësishme në fushën e mbrojtjes për Japoninë që nga heqja e ndalimit shumëvjeçar për eksportin e armatimeve në vitin 2014. Më parë, Tokio kishte nënshkruar vetëm një marrëveshje të ngjashme për furnizimin me radarë ajrorë për Filipinet.

Ministri japonez i Mbrojtjes, Gen Nakatani, e quajti marrëveshjen:

“Një hap të madh përpara në përpjekjet e Japonisë për bashkëpunim në mbrojtje.”
“Kjo do të sjellë përfitime të rëndësishme në bashkëpunimin operacional me Australinë dhe Shtetet e Bashkuara,” tha ai në një konferencë në Tokio.

Negociatat për kontratën do të nisin brenda këtij viti dhe nënshkrimi përfundimtar pritet të ndodhë në vitin 2026, sipas zyrtarëve të të dy vendeve.

Australia po kalon një ristrukturim të madh ushtarak të shpallur në vitin 2023, me fokus në aftësitë goditëse me rreze të gjatë, për të përballuar më mirë fuqinë detare të Kinës. Brenda dhjetë vitesh, ajo synon ta rrisë flotën e saj luftarake nga 11 në 26 anije të mëdha luftarake

Share.

Comments are closed.

Exit mobile version