Kryetarit të komunës së Zubin Potokut, Stevan Vulovic, i është caktuar masa e arrestit shtëpiak prej 30 ditësh, pas intervistimit të tij nga ana e prokurorit të EULEX-it që ka zgjatur disa orë të hënën pasdite në Gjykatën Themelore të Mitrovicës në veri të këtij qyteti.
Lajmin e ka konfirmuar për KosovaPress zëdhënësja e EULEX-it, Dragana Nikolic-Sollomon, e cila tha se Vulovic është paraqitur vullnetarisht para prokurorit të rastit.

Sipas saj, atij i është caktuar masa e arrestit shtëpiak prej 30 ditësh dhe i janë marr dokumentet e udhëtimit.

“Vulovic dyshohet për organizimin e arratisjes së Slobodan Soverlic nga stacioni policor në Zubin Potok që ka ndodhur në mars të këtij viti”, ka thënë Nikolic-Solomon.

Ndryshe, një javë më parë njëri nga prokurorët e EULEX-it kishte intervistuar edhe ish kryetarin e Zubin Potokut, Slavisa Ristic, i cili dyshohet për 15 vepra penale, në mesin e të cilave edhe vrasjen e policit Enver Zymberi, dhe i është caktuar masa e paraqitjes dy herë në javë në polici. /Telegrafi/

Share.
Leave A Reply Cancel Reply
Exit mobile version