Një operacion i Policisë së Kosovës në vijën kufitare me Shqipërinë është shoqëruar me tension mbrëmjen e së mërkurës, pasi një person i dyshuar i armatosur ka arritur të arratiset, duke lënë pas një çantë të mbushur me drogë.
Ngjarja ka ndodhur më 20 gusht 2025, rreth orës 20:30, në zonën malore përgjatë vijës së gjelbër Kosovë–Shqipëri. Njësitë hetimore të Departamentit të Kufirit kanë hasur në një person të armatosur, i cili po mbante një çantë.
Sipas policisë, në momentin kur i dyshuari ka vërejtur zyrtarët, ai ka drejtuar armën e zjarrit ndaj tyre, duke paraqitur rrezik të drejtpërdrejtë. Pavarësisht përpjekjeve të policisë për ta ndaluar, i dyshuari ka hedhur çantën dhe është larguar me shpejtësi në drejtim të Shqipërisë.
Në çantë, hetuesit kanë gjetur rreth 21 kilogramë marihuanë, e konfirmuar pas matjes nga Njësia e Antidrogës.
Policia ka bërë të ditur se për rastin është njoftuar prokurori kompetent, ndërsa hetimet po vazhdojnë nga Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë në Prizren.