Zgjedhja e Dimal Bashës si kryetar i Kuvendit të Kosovës ka shkaktuar një reagim të fortë nga lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku. Në një postim në Facebook, ai e ka cilësuar këtë votim si një “fitore të injorancës” dhe një “gabim të pafalshëm”.
Abdixhiku shprehu zhgënjimin e tij, duke thënë se ky vendim reflekton nivelin e ulët të politikës në vend. “Kosova, siç nuk e kishim menduar asnjëherë. Një fitore e injorancës dhe një gabim i pafalshëm i mbështetësve të saj,” shkroi ai.
Ai shtoi se ky është projekti i tyre për Republikën dhe se këto janë vlerat me të cilat ata kanë zgjedhur t’i nderojnë votuesit. Megjithatë, Abdixhiku theksoi se LDK-ja dhe e gjithë Kosova duhet të aspirojnë më lart.
“Aksidentet politike e triumfet e injorancës historike do të kapërcejnë. Dritë një ditë do të ketë,” përfundoi ai, duke shprehur besimin se dëmet e bëra do të kalojnë dhe se e ardhmja do të sjellë një politikë më të ndriçuar.