Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka hedhur akuza të ashpra ndaj liderit të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Albin Kurti, duke theksuar se këtij të fundit i mungon legjitimiteti dhe morali politik për të qëndruar në pushtet. Ai paralajmëroi gjithashtu se do t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese për, siç u shpreh ai, shkeljet që janë bërë nga ana e LVV-së.

Abdixhiku tha se LDK-ja pret që zgjidhja e krizës aktuale të ndodhë përmes krijimit të një shumice politike, e më pas përmes respektimit të domosdoshëm të procedurave kushtetuese.

“Praktikat parlamentare deri më sot janë të qarta – votimi për kryetarin ka qenë gjithmonë i hapur. LDK-ja nuk ka problem me emrat e kandidatëve, por mban një qëndrim parimor. Me plot vullnet, me zemër dhe me bindje, dëshiron të votojë kundër kandidatëve të Vetëvendosjes,” tha Abdixhiku, duke theksuar se në seancën e nesërme nuk priten zhvillime të reja.

Ai e cilësoi krizën aktuale si një situatë të krijuar artificialisht dhe të panevojshme.

“Deputeti Kurti po qeveris mbi bazën e një rezultati të arritur katër vite më parë. Sot, kur nuk ka më 50 për qind të mbështetjes, atij i mungon legjitimiteti – madje edhe morali politik. Si mund të vazhdosh të mbash një detyrë kur populli nuk të përkrah më?”, deklaroi Abdixhiku.

Kreu i LDK-së shtoi se subjekti i tij do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese, duke akuzuar LVV-në për përmbysje të rendit kushtetues.

“Do të kërkojmë nga Gjykata Kushtetuese të qartësojë situatën aktuale. Pas aktgjykimit, kemi parë një përmbysje të rendit kushtetues, pasi grupi më i madh parlamentar ka refuzuar ta zbatojë vendimin e Kushtetueses. Prandaj, Gjykata duhet të deklarohet qartë nëse është bërë ose jo një shkelje nga ky grup parlamentar,” përfundoi Abdixhiku.

Share.

Comments are closed.

Exit mobile version