Plani amerikan për Gazën: Një projekt rindërtimi apo një skemë për zhdukjen e një populli?
Projekti amerikan për rindërtimin e Gazës, i prezantuar së fundmi si një vizion luksoz dhe teknologjik për të ardhmen e këtij territori, po ngjall reagime të forta dhe akuza të rënda. Për kritikët, ky plan nuk është thjesht një iniciativë ekonomike, por një projekt i kamufluar i shfarosjes politike dhe shoqërore të popullit palestinez, mbi rrënojat dhe varret e të cilit synohet të ndërtohet një qytet i ri për pasurim personal dhe interesa gjeopolitike.
Sipas raportimit të Wall Street Journal më 19 dhjetor, projekti parashikon një investim prej 112.1 miliardë dollarësh gjatë dhjetë viteve të para dhe është hartuar nga një ekip i udhëhequr nga Jared Kushner dhe i dërguari amerikan Steve Witkoff. Ai përfshin një plan 20-vjeçar për transformimin e Gazës në një destinacion bregdetar luksoz, me rezidenca elitare, transport të teknologjisë së lartë dhe një “rivierë vezulluese”.
Por thelbi i kritikës qëndron pikërisht këtu: ky vizion ndërtohet mbi shkatërrimin total të një shoqërie ekzistuese, pa garanci reale për të drejtën e palestinezëve për tokën, kthimin, vetëvendosjen dhe jetën me dinjitet. Kushti kryesor i planit – demilitarizimi i Hamasit dhe çmontimi i strukturave ekzistuese – shihet nga shumë analistë si një justifikim për të riformatuar Gazën sipas interesave izraelite dhe amerikane, jo sipas nevojave të banorëve të saj.
Fakti që 70% e vijës bregdetare pritet të monetizohet, duke gjeneruar mbi 55 miliardë dollarë kthime investimesh, e forcon bindjen se Gaza po trajtohet si një aset financiar, jo si atdhe i një populli të gjallë. Në këtë kontekst, rindërtimi paraqitet jo si akt humanitar, por si fazë e re e zhdukjes së Gazës palestineze, kësaj here jo përmes bombave, por përmes kapitalit dhe inxhinierisë politike.
Nga këndvështrimi islam dhe human, kjo qasje bie ndesh drejtpërdrejt me parimin e drejtësisë (‘adl), mbrojtjen e jetës (hifdh al-nafs) dhe pronës (hifdh al-mal). Ndërtimi i qyteteve luksoze mbi tokë të përgjakur, pa drejtësi dhe pa llogaridhënie, përbën jo zhvillim, por padrejtësi të institucionalizuar.
Prandaj, për kritikët, ky plan nuk është një projekt për ta shpëtuar Gazën, por një përpjekje për ta fshirë atë si tokë palestineze, duke e kthyer tragjedinë e një populli në mundësi biznesi për të tjerët. Pyetja thelbësore mbetet: a mund të ketë rindërtim pa drejtësi, dhe zhvillim mbi varre?
