Në qytetin e Kayserit, në zemër të Anadollit qendror, është zbuluar një medrese që besohet të jetë rreth 900 vjeçare, duke hedhur dritë të re mbi trashëgiminë e hershme arsimore dhe fetare islame të rajonit. Zbulimi u bë gjatë punimeve në kuadër të projektit të ripërtëritjes urbane “Surici Camikebir”, një nismë që synon rigjallërimin e zonës historike përreth xhamisë së njohur Kebir.

Gjatë gërmimeve, ekipet hasën në mbetje muresh dhe struktura arkitekturore që, sipas vlerësimeve fillestare, i përkasin një medreseje të ndërtuar sipas traditës së komplekseve fetaro-arsimore të periudhës mesjetare islame. Ky zbulim konfirmon edhe një herë rolin e Kayserit si një qendër e rëndësishme e dijes dhe e qytetërimit islam në Anadoll.

Kryebashkiaku i Kayserit, Memduh Büyükkılıç, se qyteti mbart shtresa të shumta historie dhe ka qenë vatër e qytetërimeve të ndryshme ndër shekuj. Sipas tij, punimet përreth xhamisë Kebir po zhvillohen me kujdes të veçantë, pikërisht për shkak të ndjeshmërisë historike të zonës.

“Gjatë hapjes dhe riorganizimit të kësaj hapësire, u përballëm me një zbulim të papritur, por shumë domethënës. Gjetëm gjurmë të qarta të një medreseje, e ndërtuar sipas traditës klasike të institucioneve islame të arsimit”, u shpreh Büyükkılıç.

Ai theksoi se Kayseri ka një vend të veçantë në historinë turko-islame dhe se këto zbulime janë dëshmi e vazhdimësisë së dijes dhe edukimit në këtë qytet. Sipas tij, bashkia do të vazhdojë gërmimet dhe punimet restauruese në bashkëpunim të ngushtë me Ministrinë e Kulturës dhe Turizmit të Turqisë, duke u mbështetur në studime akademike dhe burime historike.

“Synimi ynë është që kjo medrese të ringjallet dhe të kthehet në një monument historik të denjë për Kayserin dhe për trashëgiminë kulturore të vendit tonë”, tha kryebashkiaku.

Zbulimi pritet të kontribuojë jo vetëm në pasurimin e njohurive historike për Anadollin qendror, por edhe në forcimin e identitetit kulturor dhe shpirtëror të qytetit, duke e lidhur të shkuarën me të tashmen përmes trashëgimisë së dijes.

Share.

Comments are closed.

Exit mobile version