Gjatë ditës së sotme pritet të vendosen gurthemelet për ndërtimin e dy urave të reja mbi lumin Ibër, në kuadër të një bashkëpunimi ndërinstitucional ndërmjet Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës dhe komunave të Mitrovicës së Jugut dhe asaj të Veriut. Ceremonia zyrtare do të mbahet në orën 17:00, në pjesën veriore të qytetit.

Sipas njoftimit zyrtar, në këtë ngjarje do të marrin pjesë kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti; kryetari i Komunës së Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq; nënkryetari i Komunës së Mitrovicës së Jugut, Arian Tahiri; ministri në detyrë për Administrimin e Pushtetit Lokal dhe njëherësh kryesues i Bordit të Përbashkët të të dy komunave, Elbert Krasniqi; si dhe ministri në detyrë i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu.

Agjenda është si vijon:

  • Ora 17:00 – Vendosja e gurthemelit të urës për automjete mbi lumin Ibër, në afërsi të objektit të Komunës së Mitrovicës së Veriut.

  • Ora 17:15 – Ecje e përbashkët në drejtim të vendit ku do të vendoset gurthemeli i urës për këmbësorë.

  • Ora 17:30 – Vendosja e gurthemelit të urës për këmbësorë mbi lumin Ibër, përballë kopshtit të fëmijëve “Gëzimi ynë” në Mitrovicën e Jugut.

Pas përfundimit të ceremonive, do të mbahet një prononcim i përbashkët për media nga përfaqësuesit institucionalë.

Ndryshe, Lëvizja Vetëvendosje ka bërë të ditur se ndërtimi i dy urave të reja mbi lumin Ibër synon të lehtësojë lëvizjen e qytetarëve dhe të forcojë lidhjen infrastrukturore dhe funksionale mes pjesës jugore dhe asaj veriore të Mitrovicës.

Share.

Comments are closed.

Exit mobile version