Rusia po përdor Kishën Ortodokse për ndikim dhe fuqi në Europë
Pas një beteje të gjatë ligjore, Rusia ka fituar kontrollin mbi Kishën Ortodokse të Shën Nikollës dhe Shën Aleksandrës në Nicë të Francës, duke ndjekur një model të ngjashëm me atë të vitit 2010, kur mori edhe katedrale tjetër të madhe në qytet. Të dyja objektet iu dorëzuan Patriarkanës së Moskës, duke treguar qartë strategjinë e Kremlinit dhe Kishës Ortodokse Ruse për të përdorur pronat fetare si instrument ndikimi politik dhe kulturor.
Këto ndërtesa, të ndërtuara nga aristokracia ruse në fund të shekullit XIX, pas Revolucionit Bolshevik kaluan në administrimin e komuniteteve emigrante, por juridikisht mbetën në një status të paqartë. Duke u mbështetur te marrëveshjet e periudhës cariste, Rusia nisi procese gjyqësore në fillim të viteve 2000 dhe i fitoi, duke forcuar bazën ligjore për rimarrjen e pronave të ngjashme në Europë.
Presidenti Vladimir Putin e ka kuptuar herët se Kisha Ortodokse mund të shërbejë si “soft power” për të rritur autoritetin e Moskës jashtë vendit. Që prej vitit 2007, kur Patriarkana e Moskës u bashkua me Kishën Ortodokse Ruse Jashtë Vendit (ROCOR), është ndërtuar një vazhdimësi simbolike mes Perandorisë Ruse dhe Federatës Ruse, gjë që forcon pretendimet mbi pronat e dikurshme cariste.
Ky proces nuk është thjesht fetar. Për Perëndimin, ai ngre shqetësime sigurie, pasi kishat mund të shërbejnë si qendra ndikimi, propagande apo edhe mbulim për aktivitete të inteligjencës ruse. Sipas FBI-së, Rusia ka përdorur kishat ortodokse edhe në Shtetet e Bashkuara për të rekrutuar agjentë, ndërsa Bullgaria ka dëbuar priftërinj rusë të dyshuar për spiunazh.
Në të njëjtën kohë, rivaliteti i vjetër mes Patriarkanës së Moskës dhe asaj të Kostandinopojës është përshkallëzuar. Në vitin 2019, Kostandinopoja njohu pavarësinë e Kishës Ortodokse të Ukrainës, duke sfiduar shekuj dominim rus. Si kundërpërgjigje, Moska e ndërpreu bashkëpunimin liturgjik dhe e përdori Kishën për të legjitimuar luftën kundër Ukrainës. Patriarku i Moskës ka bekuar hapur ushtrinë dhe ka justifikuar pushtimin me arsyetime ideologjike.
Për komunitetet ruse në diasporë, veçanërisht në Francë, ky zhvillim është një goditje e rëndë. Pasardhësit e emigrantëve të dikurshëm ndihen të përjashtuar nga kishat që kishin mbajtur gjallë për më shumë se një shekull. Siç shprehet një përfaqësues në Nicë, Rusia kërkon të zhdukë idenë e një “Rusie tjetër” më tolerante dhe më demokratike.
Rikthimi i pronave kishtare ruse në Europë nuk është një çështje e thjeshtë fetare apo ligjore, por një pjesë e strategjisë së Putinit për të zgjeruar ndikimin gjeopolitik të Moskës në zemër të Perëndimit.
