Policia e Kosovës ka lëshuar një njoftim ku kërkon ndihmën e publikut për identifikimin e një personi të dyshuar për sulm. Ngjarja ka ndodhur më 25 prill 2025, rreth orës 09:00, pranë qendrës tregtare “Interex” në Prizren.

Sektori Rajonal i Hetimeve pranë Drejtorisë Rajonale të Policisë në Prizren është duke hetuar këtë rast, i cili klasifikohet si vepër penale e “Sulmit”. Sipas njoftimit, një person i rritur (i paidentifikuar) dyshohet se ka ngacmuar dhe sulmuar një të mitur me inicialet D.O..

Fotografia e të dyshuarit është siguruar nga kamerat e sigurisë, por deri më tani nuk është bërë e mundur identifikimi i tij. Për këtë arsye, Prokuroria Themelore në Prizren ka autorizuar publikimin e fotos në media dhe rrjete sociale, në bazë të nenit 76, paragrafi 2 i Kodit të Procedurës Penale të Republikës së Kosovës.

Policia kërkon bashkëpunimin e qytetarëve për të ofruar informata që mund të ndihmojnë në identifikimin dhe arrestimin e këtij personi. Kushdo që ka informacion ose e njeh vendndodhjen e të dyshuarit, ftohet të kontaktojë Policinë në Prizren duke përdorur numrin 192, nëpërmjet rrjeteve sociale, faqes zyrtare të Policisë së Kosovës në Facebook, ose duke shkuar në çdo stacion policor në vend.

Share.

Comments are closed.

Exit mobile version