Një raport i ri i publikuar nga Departamenti i Tregtisë dhe Zhvillimit i Kombeve të Bashkuara (UNCTAD) paralajmëron se operacionet e zgjatura ushtarake të Izraelit dhe kufizimet e vazhdueshme kanë shtyrë ekonominë e Territorit të Pushtuar Palestinez drejt “tkurrjes më të keqe ekonomike të regjistruar ndonjëherë”, duke fshirë dekada zhvillim shoqëror dhe ekonomik.
Sipas raportit, dy vitet e fundit të ofensivave dhe pengesave të imponuara nga Izraeli kanë shkaktuar një kolaps të paprecedentë në të gjitha sektorët e ekonomisë palestineze. Kjo rënie e thellë po ndodh në një situatë tashmë të brishtë, e shoqëruar me pasoja të rënda sociale dhe mjedisore. Dëmet e shkaktuara infrastrukturës, shërbimeve publike dhe aseteve prodhuese kanë përmbysur përparimin e arritur nga populli palestinez për shumë vite.
Raporti rendit krizën aktuale ndër “10 më të rëndat në botë që nga viti 1960”, ndërsa situata në Rripin e Gazës konsiderohet si “rënia më e thellë ekonomike e regjistruar ndonjëherë”. Rënia drastike e të ardhurave, si dhe mbajtja e transfertave fiskale nga autoritetet izraelite, e kanë kufizuar rëndë aftësinë e Autoritetit Palestinez për të ofruar shërbimet bazë në një kohë kur nevoja për rindërtim është më e madhe se kurrë.
UNCTAD thekson se gati dy dekada bllokadë dhe kufizime ndaj Gazës kanë shkatërruar bazën e saj ekonomike. Vetëm në vitin 2024, PBB-ja e Gazës ra me 83 për qind krahasuar me vitin paraprak, duke shënuar një rënie totale prej 87 për qind brenda dy vitesh. PBB-ja për frymë ra në 161 dollarë, një nga nivelet më të ulëta globale. Ndërprerjet në arsim, shëndetësi dhe furnizime bazë pritet të kenë pasoja afatgjata në kapitalin njerëzor të popullsisë.
Raporti paralajmëron se edhe me mbështetje të konsiderueshme ndërkombëtare, procesi i rimëkëmbjes së Gazës mund të zgjasë dekada. Ai bën thirrje për garantimin e armëpushimit të arritur në tetor 2025 dhe për rritje urgjente të ndihmës humanitare.
Në Bregun Perëndimor, zgjerimi i vendbanimeve dhe kufizimet e lëvizjes vazhdojnë të ndikojnë mbi 3.3 milionë banorë. Vetëm në vitin 2024, ekonomia e territorit u tkurr me 17 për qind, ndërsa PBB-ja për frymë ra me 18.8 për qind. UNCTAD thekson se nga viti 2019 deri në prill 2025, mbajtja e të ardhurave dhe zbritjet fiskale kanë arritur 1.76 miliardë dollarë—një barrë e rëndë për një ekonomi tashmë në kolaps.
