Një ngjarje e rëndë ka tronditur Prizrenin, duke kulmuar me vrasjen e një të riu pas një zënke të pakuptimtë. Gjykata Themelore në Prizren ka vendosur 30 ditë paraburgim për të dyshuarin E.B., i cili akuzohet për vrasjen e shokut të tij, H.Sh.

Vrasja ndodhi më 10 gusht 2025, rreth orës 20:30 në lagjen “Tusus” të Prizrenit. Sipas njoftimit të Gjykatës, ngjarja filloi pas një përleshjeje mes qenve të dy të rinjve, të cilët ishin shokë. Pasi qentë u përleshën, ata nisën një fjalosje të shkurtër. Papritmas, i dyshuari E.B. nxori një thikë dhe goditi H.Sh. në gjoks. Viktima, që nuk e priste sulmin, pësoi plagë të rënda.

Pas goditjes, E.B. u largua menjëherë nga vendi i ngjarjes. H.Sh. u dërgua me urgjencë në Qendrën Spitalore në Prizren dhe më pas në QKUK në Prishtinë, por ndërroi jetë si pasojë e plagëve të marra. Sipas autoriteteve, i dyshuari po ashtu akuzohet për mbajtje të armës së ftohtë pa leje në një vend publik ku ishin të pranishëm shumë njerëz.

Gjykata e konsideroi masën e paraburgimit të nevojshme, pasi E.B. u arrestua pas kërkimit intensiv të Policisë së Kosovës, duke qenë në arrati. Ekziston rreziku që ai të arratiset përsëri për t’i shpëtuar drejtësisë. Gjithashtu, caktimi i paraburgimit është thelbësor për të siguruar që i dyshuari të mos ndikojë te dëshmitarët ose të fshehë prova, pasi hetimet janë ende në fazën fillestare.

Share.

Comments are closed.

Exit mobile version