Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, nga Podujeva ka folur sot për krizën politike që po pengon konstituimin e Kuvendit të Kosovës, duke theksuar se Lëvizja Vetëvendosje ka bërë përpjekje të qarta për gjetjen e një zgjidhjeje, por pa vullnet nga ana e partive të tjera.

Pas ceremonisë së përurimit të shërbimit të hemodializës në Podujevë, Kurti tha se kanë ofruar dy kompromise konkrete, të cilat – sipas tij – do të mundësonin kapërcimin e bllokadës.

“Kompromisi i parë ka qenë që, në rastin e votimit të fshehtë, nëse nuk zgjidhet me të parën kandidatja Albulena Haxhiu, atëherë do të propozojmë një emër tjetër.
Kompromisi i dytë ka qenë që të arrihet marrëveshje për një paketë ku përfshihet kryetari i Kuvendit, nënkryetarët, e më pas të kthehemi te votimi i hapur. Ne kemi bërë hapa të qartë përpara, por pala tjetër nuk ka lëvizur fare”, tha Kurti, duke kujtuar edhe qëndrimin e Gjykatës Kushtetuese.

Ai rikujtoi se, sipas aktgjykimit paraprak të Kushtetueses, marrëveshjet politike duhet të arrihen ndërmjet grupeve parlamentare, pasi mosmarrëveshjet nuk mund të zgjidhen nga gjykata. “Megjithatë, menjëherë pas këtij vendimi, dy partitë kryesore opozitare – PDK dhe LDK – dërguan sërish lëndë të reja në Gjykatën Kushtetuese, sikur aktgjykimi paraprak të mos ekzistonte fare”, shtoi ai.

Kurti theksoi se Vetëvendosje nuk ka ndjekur këtë qasje, por ka kërkuar dialog politik. Madje, siç tha ai, ka dërguar edhe letra zyrtare udhëheqësve të partive të tjera për t’u takuar dhe për të zhvilluar konsultime konstruktive. “Aktgjykimin e kemi respektuar plotësisht dhe jam përpjekur për bashkëbisedim, por deri tani nuk kemi arritur rezultat”, u shpreh kryeministri në detyrë.

Ai vlerësoi se vonesa në konstituimin e Kuvendit është një humbje për vendin, sepse vonon edhe formimin e qeverisë së re. “Është dëm që nuk është konstituuar Kuvendi në mënyrë që të themelohet qeveria e re. Ndërkohë unë i kam kompetencat e kufizuara… por, për besë, nuk kam më pak punë se më herët – përkundrazi, më shumë”, deklaroi Kurti.

Share.

Comments are closed.

Exit mobile version