Ky raport, i paraqitur nga Raportuesja Speciale për situatën e të drejtave të njeriut në territoret palestineze të pushtuara që nga viti 1967, Francesca Albanese, heton “makinerinë korporative” që mbështet projektin izraelit kolonizues & i cili në të njëjtën kohë është zhvendosës i vendbanimeve dhe zëvendëson palestinezët në territoret e pushtuara. Raporti thekson se, ndërsa udhëheqësit politikë dhe qeveritë shmangin detyrimet e tyre, një numër i madh entitetesh korporative kanë përfituar nga ajo që përshkruhet si “ekonomia izraelite e pushtimit të paligjshëm, aparteidit dhe tani gjenocidit”.

Raporti argumenton se bashkëpunimi i ekspozuar është vetëm “maja e ajsbergut” dhe se dhënja fund kësaj situate nuk mund të ndodhë pa mbajtur përgjegjës sektorin privat, përfshirë ekzekutivët e tij. E drejta ndërkombëtare njeh shkallë të ndryshme përgjegjësie, secila prej të cilave kërkon shqyrtim dhe llogaridhënie, veçanërisht në një rast ku “vetëvendosja dhe vetë ekzistenca e një populli janë në rrezik”. Kjo përshkruhet si një hap i domosdoshëm për t’i dhënë fund gjenocidit dhe për të çmontuar sistemin global që e ka lejuar atë.

Raporti specifikon se “përshkallëzimi i përgjegjësisë ligjore” lind edhe sepse “mbështetja e vazhdueshme e çdo marrëdhënieje dhe aktiviteti në një kontekst kaq serioz, kontribuon në legjitimimin e sjelljes izraelite dhe thellimin e mosndëshkimit, gjë që në kthim çon në sjellje gjithnjë e më të egra”. Normalizimi i të paligjshmes konsiderohet thelbësor për mbijetesën e “ndërmarrjes kolonizuese-vendbanim zgjeruese të Izraelit”.

LEXO RAPORTIN E PLOTË KËTU MË POSHTË:

Nga ekonomia e pushtimit në ekonominë e gjenocidit: RAPORTI I PLOTË i Raportueses Speciale për situatën e të drejtave të njeriut në territoret palestineze të pushtuara që nga viti 1967, Francesca Albanese

Gjithashtu, theksohet se kjo është një “ekonomi politike që ka qenë gjithmonë eliminatore dhe është kthyer në një modalitet gjenocidal”. Kjo konfirmohet nga “Masat e Përkohshme të GJND-së dhe Urdhrat e Arrestimit të GJPI-së”, të cilat sinjalizojnë rrezikun që entitetet korporative – dhe ekzekutivët e tyre – që angazhohen në territoret e pushtuara palestineze, të implikohen në “krime të rënda ndërkombëtare”. Çdo vendim për të vazhduar angazhimin në ekonominë e Izraelit, sipas raportit, merret “me dijeni të krimeve që mund të ndodhin, dhe të faktit se ato mund të ofrojnë mbështetje materiale për Izraelin për të vazhduar kryerjen e atyre krimeve”.

Në fund, raporti përmbyll duke theksuar se “entitetet korporative dhe ekzekutivët e tyre mund, dhe vërtet duhet, të gjenden përgjegjës në të drejtën civile ose penale për një sjellje të tillë, përveç shumëllojshmërisë së krimeve dhe shkeljeve të tjera të të drejtave të njeriut që janë pjesë e ekonomisë së pushtimit”. Veprimet që entitetet dhe ekzekutivët marrin ose nuk marrin, në përputhje me përgjegjësitë e tyre dhe me zhvillimet ligjore dhe UNGP (Parimet Udhëzuese mbi Biznesin dhe të Drejtat e Njeriut), kanë “rëndësi materiale për pyetjet kryesore të provave që do të lindin gjatë përcaktimit të përgjegjësisë së tyre civile dhe/ose penale”.

 

 

Share.

Comments are closed.

Exit mobile version