Ekrem Imamoglu, kryebashkiaku i Stambollit dhe një nga figurat më të rëndësishme të opozitës në Turqi, është dënuar me 20 muaj burg për akuzat e “fyerjes dhe kërcënimit” ndaj prokurorit të qytetit.

Ky vendim është pjesë e një serie çështjesh ligjore të ngritura kundër Imamoglu, i cili shihet si rivali kryesor politik i presidentit Rexhep Tajip Erdogan. Sipas mediave ndërkombëtare, të cilat citojnë burime lokale dhe AFP-në, Imamoglu është aktualisht në arrest për akuza të lidhura me korrupsionin.

Arrestimi i tij më 19 mars ka shkaktuar një valë të fortë reagimesh në opinionin publik, duke nxitur protestat më të mëdha në rrugët e Turqisë që nga më shumë se një dekadë.

Seanca gjyqësore e mbajtur sot u zhvillua në kompleksin e burgut dhe gjykatës në Silivri, në periferi të Stambollit, ku Imamoglu po mbahet në paraburgim që nga dita e arrestimit. Ai u paraqit personalisht në gjykatë dhe mohoi të gjitha akuzat, duke pretenduar se ndjekja penale kundër tij është politike dhe ka për qëllim të ndalojë kandidimin e tij në zgjedhjet presidenciale të vitit 2028.

Prokurori i çështjes fillimisht kishte kërkuar një dënim deri në 7 vjet e 4 muaj burg, si dhe një ndalim nga mbajtja e funksioneve publike dhe politike për Imamoglu.

Ekrem Imamoglu u zgjodh për herë të parë si kryetar i bashkisë së Stambollit në vitin 2019, dhe u rizgjodh në vitin 2024, duke konsoliduar pozitën e tij si një nga figurat më të fuqishme të opozitës kundër regjimit aktual.

Ai u arrestua në mars në kuadër të një hetimi për korrupsion, i cili përfshinte gjithashtu akuza për lidhje të mundshme me organizata terroriste, një pretendim që mbështetësit e tij e shohin si të motivuar politikisht.

Seria e akuzave dhe proceset gjyqësore që po zhvillohen ndaj tij mund të kenë pasoja serioze për të ardhmen politike të Imamoglu, duke rrezikuar mundësinë që ai të garojë në zgjedhjet presidenciale të ardhshme.

Share.

Comments are closed.

Exit mobile version