Presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, i përfundon sot mandati në krye të shtetit. Sipas njoftimit zyrtar, ajo do t’ia dorëzojë detyrën kryetares së Kuvendit, Albulena Haxhiu.

Akti ceremonial i dorëzim-pranimit të detyrës do të mbahet sot në orën 16:00, në Kabinetin e Presidentes. Ky proces shënon përfundimin e mandatit të Osmanit dhe kalimin e përkohshëm të kompetencave te kryeparlamentarja.

Vjosa Osmani ishte zgjedhur presidente më 4 prill 2021, në një seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës. Në raundin e tretë të votimit, ajo mori 71 vota “për”, nga 82 deputetë që morën pjesë në votim. Në këtë raund, 11 vota rezultuan të pavlefshme, ndërsa kandidati tjetër, Nasuf Bejta, nuk mori asnjë votë.

Procesi i zgjedhjes së presidentit kishte kaluar nëpër tri raunde votimi, pasi në dy raundet e para nuk u arrit numri i nevojshëm i votave. Në raundin e parë votuan 81 deputetë, ku Osmani mori 69 vota, ndërsa 12 vota u shpallën të pavlefshme. Kandidati kundër saj nuk mori asnjë votë, duke bërë që procesi të vazhdojë në raundin e dytë.

Në raundin e dytë, gjithashtu me pjesëmarrjen e 81 deputetëve, Osmani mori 67 vota, 11 ishin të pavlefshme, ndërsa Nasuf Bejta mori 4 vota. As në këtë raund nuk u siguruan votat e mjaftueshme për zgjedhjen e presidentit, duke e çuar procesin në raundin e tretë, ku Osmani u zgjodh përfundimisht.

Pas shpalljes së rezultatit në raundin e tretë, ajo bëri betimin para deputetëve të Kuvendit të Kosovës, ndërsa në sallë u intonua himni shtetëror.

Me përfundimin e mandatit të saj, detyra e presidentes kalon përkohësisht te kryetarja e Kuvendit, deri në zhvillimet e mëtejshme institucionale.

Share.

Comments are closed.

Exit mobile version