Një udhëheqës i ri suprem i Iranit është zgjedhur dhe emri i tij pritet të bëhet publik së shpejti, sipas raportimeve të mediave shtetërore iraniane.

Zgjedhja vjen pas vdekjes së ish-udhëheqësit suprem Ali Khamenei, i cili u vra gjatë sulmeve amerikano-izraelite në ditën e parë të përshkallëzimit të fundit të konfliktit.

Pas vdekjes së tij, u formua një këshill i përkohshëm drejtues prej tre personash për të administruar vendin deri në zgjedhjen e liderit të ri. Në këtë këshill përfshiheshin:

  • Masoud Pezeshkian, presidenti i Iranit

  • Gholamhossein Mohseni Ejei, kreu i gjyqësorit

  • Alireza Arafi, jurist dhe drejtues i Basij

Udhëheqësi suprem në Iran zgjidhet nga Asambleja e Ekspertëve, një organ prej 88 dijetarësh islamikë që mbikëqyr strukturën fetare dhe politike të shtetit.

Kleriku i lartë Sejid Ahmad Alam Alhoda deklaroi për mediat shtetërore se lideri i ri tashmë është zgjedhur dhe se asambleja do ta bëjë njoftimin zyrtar shumë shpejt.

Ndërkohë, Mohsen Heidari Alekasir kishte deklaruar më herët se kandidati ishte përzgjedhur duke marrë parasysh këshillën e udhëheqësit të ndjerë, që pasardhësi duhet të jetë një figurë që “urrehet nga armiku”.

Një nga emrat që është përmendur shpesh si kandidat është Mojtaba Khamenei, djali i Ali Khameneit, i cili ka lidhje të ngushta me Gardën Revolucionare Islamike.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, kishte deklaruar më herët se Mojtaba Khamenei shihej si një nga kandidatët më të mundshëm, por paralajmëroi se një zgjedhje e tillë do të ishte e papranueshme për Uashingtonin.

Share.

Comments are closed.

Exit mobile version