Në Gjykatën Themelore të Prishtinës, Departamenti Special, sot (8 gusht) u zhvillua seanca dëgjimore ndaj Igor Popoviqit – ndihmësdrejtor i të ashtuquajturës “Zyrë për Kosovë” në Qeverinë e Serbisë – ku u aprovua marrëveshja për pranim të fajësisë e arritur mes tij dhe Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK).
Popoviq u soll në gjykatë i prangosur dhe u paraqit para gjykatësit Kujtim Krasniqi dhe prokurores speciale Firkrije Zejnullahu. Sipas marrëveshjes së miratuar nga gjykata, ai do të dënohet me 6 muaj burgim, i cili zëvendësohet me 3 mijë euro gjobë. Gjithashtu, atij iu shqiptuar edhe dënimi plotësues – dëbim nga territori i Republikës së Kosovës për një periudhë prej 2 vitesh, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Prokurorja theksoi se marrëveshja është lidhur në përputhje të plotë me ligjin dhe se i akuzuari është konsultuar mjaftueshëm me mbrojtësit e tij. Edhe avokati i Popoviqit, Millosh Deleviq, u shpreh se pajtohet plotësisht me kushtet e saj.
Igor Popoviq ishte arrestuar më 19 korrik 2025 në pikën kufitare të Bërnjakut. Më 5 gusht, PSRK-ja ngriti aktakuzë ndaj tij për “nxitje të përçarjes dhe mosdurimit” pas një fjalimi të mbajtur më 18 korrik, rreth orës 12:00, në Rahovec, ku – sipas Prokurorisë – ai me dashje kishte nxitur publikisht urrejtje dhe mosdurim ndërmjet grupeve etnike.
Sipas aktakuzës së datës 4 gusht 2025, në atë fjalim, Popoviq deklaroi mes tjerash:
“Serbët kanë pësuar këtu në rajonin e Rahovecit, Metohisë, Kosovës e Metohisë për shkak se janë vendas dhe i kanë rrënjët këtu, dhe nuk lejojnë që dikush t’i shpall okupator, ardhacak dhe t’i përzë nga këtu, nga UÇK – organizatë terroriste”.
Ai gjithashtu u bëri thirrje qytetarëve që “Hoca e Madhe dhe Rahoveci të mbeten serbe, të ndërtohen shtëpi e shkolla serbe, të lindin fëmijë serbë, të ekzistojnë institucionet serbe”, duke e cilësuar këtë si detyrë të “Zyrës për Kosovën e Metohinë dhe Qeverisë së Serbisë”. Prokuroria vlerëson se ky fjalim ka thelluar mosbesimin dhe intolerancën mes grupeve etnike në Kosovë, duke rrezikuar bashkëjetesën dhe qetësinë publike.
Me pranimin e fajësisë, Popoviq shmangu një proces gjyqësor të gjatë, por vendimi për gjobë dhe dëbim mbetet një precedent i rëndësishëm për rastet e gjuhës së urrejtjes në vend.