GROTESKU I PAQES DHE URTËSIA (*)

Nga Fatmir Baçi

Prej kohësh, tensionet që përmblidhen në tituj gazetash dhe deklarata zyrtare kanë tejkaluar kufijtë e trysnive ndërkombëtare dhe të përplasjeve të interesave të mëdha. Ato janë shndërruar në rrjedha të heshtura që depërtojnë në hapësirën e brendshme të njeriut, aty ku lindin kuptimet me të cilat ai e lexon botën dhe vendos marrëdhënien e tij me tjetrin. Çdo epokë bart brenda vetes mënyrën se si i kultivon këto rrjedha, sepse qytetërimet marrin trajtë përmes ngjarjeve që përjetojnë, mënyrës se si i përthithin, i interpretojnë dhe i shndërrojnë në vetëdije kolektive si lëndë e gatshme për t’u praktikuar.

Ato mendësi kanë rrëshqitur thellë në brendësinë e njeriut, si lëvizje tektonike të padukshme që lëkunden në ndërgjegje, aty ku formësohen bindjet, frikërat dhe zgjedhjet që përcaktojnë fatin e shoqërive. Pikërisht në atë shtresë të heshtur, ku urtësia përpiqet të ruajë ekuilibrin ndërmjet kujtesës dhe gjykimit, çdo dridhje e vogël mund të zgjerohet deri në përmasa historike. Fatet e popujve marrin trajtë shumë kohë përpara se të shfaqen në vendime politike, sepse fillimisht piqen në laboratorin e padukshëm të ndërgjegjes njerëzore, aty ku përfytyrimi i së mirës dhe i së keqes ushqen orientimin moral të një shoqërie.

Në vendin ku dikur flinte paqja, tani endet një iriq i vogël gjembaç, që gërryen gjoksin sa herë shikojmë njerëz që fryjnë prushin e urrejtjes mbi zjarre thuajse të fikura. Ai endet me durimin e instinktit, duke kërkuar çarje të vogla në kujtesë dhe çaste dobësie në vigjilencën e njeriut, sepse çdo rrëshqitje e ndërgjegjes krijon një strehë ku frika mund të marrë frymë dhe urrejtja të fitojë gjuhën e saj. Kështu, paqja fillon të lëkundet fillimisht në zemrën e njeriut, përpara se lëkundja të bëhet pjesë e jetës së bashkësive dhe e historisë.

Si flakë të dobëta që presin të ringjallen, ato mbahen gjallë nga kujtime të errëta, nga interpretime të njëanshme dhe nga tundimi për t’i shndërruar plagët e historisë në lëndë djegëse të së tashmes. Kujtesa, kur shkëputet nga urtësia dhe nga përgjegjësia morale, humbet aftësinë për ta ndriçuar përvojën njerëzore dhe fillon të ushqejë pasionet që kërkojnë kudnërshti dhe armiq të rinj. Pikërisht aty grotesku gjen klimën e vet më pjellore; në çastin kur dhimbja pushon së kërkuari shërim dhe fillon të kërkojë vazhdimësi, ndërsa historia shndërrohet në depo emocionesh të gatshme për t’u ndezur sa herë koha prodhon një shkëndijë të re, atëherë të gjitha dritaret e hapura tregojnë për nga përgjakja e së tashmes.

 

***

A përfaqëson kjo një përpjekje për ta kujtuar të keqen, apo një lakmi të errët për ta ushqyer atë(?), mbetet ngaherë një dilemë që humbet kufijtë ndërmjet ngjitjes dhe zbritjes, ëndrrës dhe realitetit, të djeshmes dhe të nesërmes. Çdo epokë e mbart këtë dilemë në mënyrën e vet, sepse kujtesa njerëzore lëkundet vazhdimisht ndërmjet urtësisë që e shndërron përvojën në mësim dhe pasionit që e shndërron atë në thirrje për përsëritje të shkaktimit apo pësimit të një dhembje të re. Pikërisht në këtë lëkundje vendoset pesha morale e qytetërimeve, pasi prej saj varet nëse historia do të bëhet burim ndriçimi apo terren ku mbijnë farat e hakmarrjes.

Është më se e kuptueshme që në këtë mjegull kuptimore lind hapësira ku grotesku gjen strehë dhe ushqehet me paqartësinë morale. Sa herë zbehet aftësia për të dalluar drejtësinë nga pasioni, kujtesën nga mitizimi dhe urtësinë nga vetëkënaqësia ideologjike, mjegulla fiton dendësi dhe grotesku zgjeron kufijtë e pranisë së tij. Ai ushqehet me gjykime të nxituara, me emocione të pakontrolluara dhe me bindjen se e vërteta mund të bartet e paprekur vetëm nga njëra palë.

Andaj, burimi dhe drejtimi i rrjedhës që shushurin në mendësinë e masave dhe të individit mbeten të vështira për t’u përcaktuar. Brenda kësaj rrjedhe ndërthuren përvoja historike, frika, kujtesa, dëshirat dhe interesat, duke krijuar një lëvizje të padukshme që formëson gjuhën, gjykimin dhe zgjedhjet kolektive. Urtësia kërkon durimin për t’i dalluar këto shtresa dhe për të depërtuar përtej pamjes dhe efektit të parë, sepse vetëm një vetëdije e ushqyer me gjykim të pjekur arrin të kuptojë drejtimin e vërtetë të kësaj rrjedhe. Megjithatë, një e vërtetë e paluhatshme shfaqet me qartësi; sa herë urrejtja rizgjohet, me dëshirë ose rastësisht, ajo mbërrin me etjen për të sunduar.

Çdo ringjallje e saj bart në vetvete prirjen për t’u shndërruar në qendër të mendimit, të gjuhës dhe të veprimit, derisa pushteti i saj të duket i natyrshëm. Kjo prirje ushqehet nga aftësia për ta veshur pasionin me arsyetime bindëse, emocionin me pamjen e drejtësisë dhe hakmarrjen me gjuhën e përgjegjësisë historike. Në atë çast urtësia tërhiqet nga qendra e ndërgjegjes, ndërsa grotesku fiton një prej armëve të tij më të fuqishme; pamjen e normalitetit, përmes së cilës e keqja mëson të ecë me hap të qetë në mesin e njerëzve.

 

***

Kësaj situate i mbivendoset një tablo edhe më e madhe; rrëzimi teorik i një elite botërore, i një strukture që për shumë dekada e mbajti botën në një rend sipërfaqësisht të qëndrueshëm, rend që ende mbahet mbi inercinë e shpejtësisë së dikurshme. Ky rrëzim shfaqet fillimisht si zbehje e autoritetit intelektual dhe moral, pastaj si humbje e aftësisë për të prodhuar ide që frymëzojnë, bashkojnë dhe orientojnë zhvillimin e qytetërimit. Çdo rend e ruan jetëgjatësinë përmes forcës së mendimit që e ushqen dhe kur kjo forcë tretet, edhe institucionet më të fuqishme vazhdojnë të lëvizin vetëm nga shtysa e trashëguar e kohës.

Bashkë me të shembet edhe një mënyrë e të menduarit, një strukturë morale e boshatisur nga idetë, e konsumuar në dinamikën e rutinizuar dhe e shkëputur nga burimet krijuese të frymëzimit. Kësisojë, zbrazëtia teorike zgjeron dalëngadalë edhe zbrazëtinë etike, sepse mendimi që humbet aftësinë për të krijuar kuptime të reja e humbet njëkohësisht edhe aftësinë për të gjykuar drejt sfidat e kohës. Urtësia e njeh këtë ligjësi të qytetërimeve; sahterrjae lëngut të jetës, tharja dhe ngurtësimi i ideve i paraprin gjithmonë lodhjes së institucioneve, ndërsa lodhja e institucioneve përshpejton shpërbërjen e rendit.

Kultura e saj politike u mbështet gjithnjë e më shumë në administrimin e zakoneve, në përsëritjen e formulave dhe në funksionimin mekanik të sistemeve, duke e larguar gradualisht njeriun nga qendra e mendimit dhe të përgjegjësisë morale. Me kalimin e kohës, procedura fitoi epërsi ndaj kuptimit, rutina ndaj krijimtarisë dhe efikasiteti ndaj urtësisë, derisa vetë aftësia për të përfytyruar horizonte të reja filloi të zbehej. Kështu, rënia e saj shndërrohet në një ngjarje që prek njëkohësisht filozofinë e pushtetit, etikën e përgjegjësisë dhe vetë mënyrën se si qytetërimi e kupton të ardhmen, sepse çdo krizë e ideve shndërrohet herët a vonë në krizë të rendit që ato mbështesin.

Ndërkohë, ajo që po zë vendin e saj mbetet ende e turbullt, e paemër dhe e paformatuar, diçka ndërmjet ëndrrës dhe maketit. Zërat e saj janë të shpërndarë, të pavendosur, të huaj për njëri-tjetrin; si psherëtima të veçuara që kërkojnë trup për t’u bërë frymë. Kjo gjendje i përket çdo fillese të madhe historike, sepse idetë trokasin të dhuruara si intuita të shpërndara, kërkojnë gjuhë për t’u shprehur dhe urtësi për t’u shndërruar në vizion. Vetëm pas këtij udhëtimi ato fitojnë aftësinë për të krijuar rend dhe për t’i dhënë drejtim kohës.

Si të tilla, idetë lëvizin në hapësirën e mundësive, aty ku e ardhmja endet ende mes intuitës dhe formës, ndërsa historia pret lindjen e një gjuhe të re për ta emërtuar. Çdo epokë e tillë përjeton një çast pezullimi, ku e vjetra vazhdon të ushtrojë peshën e saj, ndërsa e reja kërkon ende fjalët me të cilat do të shpjegojë vetveten. Urtësia e dallon këtë gjendje nga hutimi, sepse e kupton se çdo qytetërim kalon përmes një kohe heshtjeje, gjatë së cilës piqen kuptimet që më vonë marrin trajtë në mendim, në kulturë dhe në institucione.

Në të gjitha përvojat historike, ndryshimi i elitave është shoqëruar me dridhje tektonike të ëndrrës dhe të shpresës, me frikën përballë së panjohurës, me etjen për triumf dhe me pritjen e një rendi të ri. Historia e qytetërimeve dëshmon se këto lëkundje prekin njëkohësisht emocionin, imagjinatën dhe gjykimin kolektiv, sepse çdo ndryshim i madh kërkon një rishpërndarje të besimit, të autoritetit dhe të kuptimit. Pikërisht në këto çaste peshohet pjekuria morale e një shoqërie, aftësia e saj për ta kthyer pasigurinë në krijimtari dhe frikën në përgjegjësi.

Çdo transformim i madh prek fillimisht imagjinatën kolektive, përpara se të prekë institucionet, sepse qytetërimet ndërtohen mbi idetë shumë kohë përpara se të ndërtohen mbi strukturat. Idetë krijojnë horizontin e së mundshmes, formësojnë gjuhën me të cilën brezat kuptojnë botën dhe përcaktojnë kufijtë moralë të veprimit njerëzor. Strukturat lindin si pasojë e këtij procesi të gjatë të pjekurisë shpirtërore dhe intelektuale, ndërsa qëndrueshmëria e tyre varet nga aftësia për të ruajtur gjallë dhuntinë hyjnore, burimin e urtësisë që u dha jetë.

 

***

Kur këto ndryshime kanë marrë përmasa rajonale, paqja është lëkundur lehtë, ndërsa kufijtë e pasigurisë kanë mbetur të përmbajtur. Kur lëkundjet kanë përfshirë botën, njerëzimi është tronditur nga luftëra të ethshme, si dimra shumëvjeçarë pa stinë pranvere, të përgjakshme si këngët e fëmijëve të këputura në mes. Historia e qytetërimeve e dëshmon me këmbëngulje këtë ritëm; sa më i thellë transformimi i rendit të ideve, aq më të gjera bëhen valët që përshkojnë jetën e popujve. Përmasa e tronditjes përcaktohet nga thellësia e ndryshimit të horizonteve shpirtërore dhe morale, sepse çdo rend i ri lind mbi një mënyrë të re të të kuptuarit të njeriut, të autoritetit dhe të bashkëjetesës.

Edhe tani, lëvizjet e padukshme të kësaj epoke të re zgjojnë një ndjesi të pazakontë; frikë pa emër dhe grotesk pa fytyrë. Kjo është atmosfera që paraprin çdo riformësim të madh historik, kur e vjetra ende merr frymë dhe e reja ende kërkon fytyrën e saj. Në këtë hapësirë të ndërmjetme shtohen pasiguritë, zbehen orientimet e trashëguara dhe shumëkujt i rëndon mungesa e një busulle morale. Urtësia e sheh këtë çast si provën më të vështirë të qytetërimeve, sepse pikërisht në kohët kur mungojnë përgjigjet e gatshme matet aftësia për të ruajtur gjykimin, përmbajtjen dhe dinjitetin njerëzor.

Procesi ka nisur dhe shkërmoqja përparon në heshtje, ndërsa ndryshimi përfshin të gjithë arkitekturën e mendimit politik, kulturor dhe moral. Çdo çarje e tillë zgjeron hapësirën ku përfytyrimet e papërpunuara, ambiciet e pakufizuara dhe etjet e vjetra për sundim kërkojnë të fitojnë legjitimitet. Së bashku me këtë lëvizje, nga thellësia ngjiten ngadalë, me durim të ftohtë, ëndrrat e këqija të njerëzve më të ligj që ka njohur historia. Ato ringjallen njëherësh në kujtesën historike dhe në shtresat e fshehta të natyrës njerëzore, duke pritur çaste paqartësie për të marrë gjuhë, formë dhe mbështetje.

Si të tilla, ato ngrihen sëbashku me plasaritjet e rendit të vjetër, duke kërkuar hapësirë në çastet kur pasiguria e kohës e dobëson vigjilencën e ndërgjegjes. Pikërisht atëherë grotesku fiton terren, sepse mendja e lodhur nga pasiguria priret të kërkojë siguri të shpejta, autoritete të pakundërshtueshme dhe shpjegime të thjeshtuara për një botë që është bërë shumë më e ndërlikuar. Urtësia kërkon durim përballë kësaj tundese, pasi vetëm një ndërgjegje e ushtruar në gjykim arrin ta dallojë kufirin që ndan rendin nga nënshtrimi, autoritetin nga dominimi dhe shpresën nga mashtrimi historik.

 

***

Shenjat e ëndërrta, po, ato trokasin lehtë. Mbërrijnë të ftohta e të heshtura, me një heshtje që pulson nën sipërfaqe; veshin deklarata të buta, fjalime të qeta dhe ide të mbuluara me pluhur e merimanga, të stolisura me petkun e risisë dhe të ndryshimit. Çdo epokë i njeh këto trokitje, sepse e keqja rrallë shfaqet me zhurmë në fillesën e saj; ajo kërkon gjuhë të pranueshme, pamje të hijshme dhe fjalor që zgjon besim. Urtësia i dallon këto shenja në çastet kur ato ende ngjajnë të pafajshme, sepse ajo e njeh aftësinë e së keqes për ta fshehur synimin pas hijes së fjalëve.

Pikërisht në këtë maskim qëndron rreziku; këto shenja të ëndërrta kanë marrë trajtën e patologjive kolektive, të një antropologjie të përgjumur që zgjohet me lehtësi sa herë dobësohet kujtesa morale e shoqërisë. Ato depërtojnë në gjuhë, në institucione dhe në imagjinatën kolektive, derisa prania e tyre të fitojë pamjen e një normaliteti të zakonshëm. Ky depërtim zhvillohet ngadalë, duke formësuar mënyrën se si njeriu emërton drejtësinë, lirinë, përgjegjësinë dhe tjetrin. Kur ndryshon gjuha, fillon të ndryshojë edhe mënyra e të menduarit; kur ndryshon mënyra e të menduarit, shoqëria përgatit pa e ndier terrenin ku grotesku mund të marrë trajtë qytetare dhe të fitojë legjitimitet kulturor duke estetizuar të keqen.

Kur ëndrrat e liga ushqehen me harresë dhe me interpretime dashamirëse, ato shndërrohen në sisteme që ecin pandalur drejt asgjësimit të gjithçkaje, duke përfshirë edhe vetveten. Harresa i çliron nga pesha e përvojës historike, ndërsa interpretimet e cekëta ua zbehin përgjegjësinë morale. Në këtë mënyrë krijohet një rend ku ideologjia fillon ta zëvendësojë gjykimin e pjekur dhe pasioni fiton epërsi mbi urtësinë. Çdo qytetërim që e humbet këtë ekuilibër fillon ta konsumojë nga brenda energjinë që dikur i dha jetë.

Çdo sistem i ngritur mbi këtë themel bart brenda vetes farën e rrënimit, sepse dhuna e ushqyer nga ideologjia e konsumon edhe dorën që e mban. Historia e njerëzimit, në forma të ndryshme dhe ngjashmërisht kriminale, e ka përsëritur vazhdimisht këtë ligjësi; çdo pushtet që e ushqen vetveten me frikë, me urrejtje dhe me përjashtim fillon të shpërbëjë edhe themelet mbi të cilat mbështetet. Urtësia e njeh këtë ligj të brendshëm të historisë dhe e ruan njeriun nga tundimi për ta quajtur të përhershme atë që mbijeton vetëm falë forcës së çastit.

 

***

Ky është grotesku njerëzor; një çmenduri e ndërtuar me përpikmëri vrastare përmes arsyes së ftohtë, një makth që merr formën e rendit dhe funksionon me disiplinën e logjikës. Në këtë trajtë ai pushon së qeni shpërthim i verbër emocionesh dhe shndërrohet në një mënyrë të organizuar të të menduarit, ku llogaritja zë vendin e ndërgjegjes, ndërsa efikasiteti fillon të matet me aftësinë për të nënshtruar jetën ndaj qëllimeve të ideologjisë.

Urtësia e dallon këtë shndërrim në çastin kur arsyeja humbet lidhjen me dinjitetin e njeriut dhe e zhvendos qendrën e gravitetit drejt mekanizmave të pushtetit.

Është pikërisht kjo e bën atë kaq të rrezikshëm; aftësia për ta veshur shkatërrimin me gjuhën e rregullit, të estetikës, të domosdoshmërisë dhe të progresit. Fjalët fitojnë pamjen e paanshmërisë, procedurat marrin peshën e ligjit, ndërsa bindja krijohet përmes ritmit të përsëritjes dhe autoritetit të formës. Grotesku e njeh mirë fuqinë e gjuhës, sepse çdo rend fillon të ndërtohet në mendje shumë kohë përpara se të marrë trajtën e mendësisë kolektive dhe të implementohet në institucione. Dhe afërmendsh, aty zhvillohet beteja më vendimtare e qytetërimeve; në kuptimin që u jepet fjalëve, vlerave dhe vetë njeriut.

Historia njerëzore shtrihet si një korridor i begatë me emra që kujtesa i mban të gdhendur për hijen e zymtë të veprave të tyre, për plagët që lanë mbi njerëzimin dhe për aftësinë e tyre për ta shndërruar arsyen në instrument të shkatërrimit. Secili prej tyre dëshmon se rënia e qytetërimeve nis në çastin kur mendimi shkëput lidhjen e tij me urtësinë, kur pushteti merr përsipër të përcaktojë kufijtë e së vërtetës dhe kur ndërgjegjja njerëzore fillon ta pranojë këtë përmbysje si rend të natyrshëm.

Fushëbetejat, rrënimet dhe tragjeditë historike përbëjnë vetëm shfaqjet e dukshme të një procesi që ka nisur shumë më herët, në shtresat e padukshme të kulturës, të gjykimit dhe të vetëdijes kolektive. Aty merr formë deformimi i parë i qytetërimit, aty zbehet masa morale e urtësisë dhe aty grotesku fillon ta ndërtojë me durim gjuhën, arsyetimin dhe legjitimitetin e vet. Kujtesa historike e ruan këtë dëshmi si një thesar moral, sepse çdo brez përballet përsëri me një sprovë të ngjashme; andaj i duhet ta mbajë arsyen të lidhur me përgjegjësinë dhe ta ruajë urtësinë si masën që pengon shndërrimin e rendit në grotesk.

Dhe grotesku rimerr dozën e radhës kur, nën strehën e gjuhës së Gëtes dhe të Kantit, shfaqet Hitleri; njeriu që ëndërroi pastërtinë e racës, e shndërroi atë në ideologji dhe e përmbysi botën me ndyrësinë e urrejtjes. Ky është një prej paradokseve më të mëdha të qytetërimit; i njëjti truall që ushqen mendimin më të lartë mund të bëhet edhe strehë e deformimeve më të errëta të arsyes, sa herë urtësia humbet fuqinë për ta orientuar dijen drejt dinjitetit njerëzor.

Pranë botës së Dostojevskit dhe vargjeve të Pushkinit ngrihet zhubravitja e shëmtuar e Stalinit; sundimtari që e veshi pushtetin me petkun e barazisë banale, zhduku larminë e mendimit dhe meku çdo zë jashtë jehonës së tij.

Kur një zë kërkon të mbushë gjithë hapësirën, heshtja shndërrohet në mjet sundimi, ndërsa frika fiton statusin e gjuhës së përditshme. Në atë çast pushteti fillon ta ngatërrojë njëshmërinë me unitetin, bindjen me besnikërinë dhe nënshtrimin me rendin, duke e varfëruar jetën shpirtërore të një shoqërie deri në kufijtë e mpirjes morale.

Edhe Flandra e paqtë nxori Leopoldin, një tjetër fytyrë të groteskut, një shëmti të zhubravitur që sundoi në heshtje dhe e ktheu një kontinent në shifër llogarie, kërkoi famën mbi pirgje gjymtyrësh njerëzorë. Në çastin kur njeriu matet me bilance dhe toka me fitim, ndërgjegjja fillon të tretet në gjuhën e përllogaritjes. Çdo qytetërim që fillon ta peshojë jetën me aritmetikën e përfitimit rrezikon ta humbasë masën morale që e mban gjallë humanitetin, sepse urtësia njeh vlera që nuk i nënshtrohen as tregut, as statistikës dhe as interesit.

Përkundrejt rimave të buta të Petrarkës dhe Dantes shfaqet Duçja, një tjetër fantazmë që marshonte me estetikën e së keqes dhe krenarinë zbrazëtisë, duke i dhënë spektakël një etjeje për pushtet që ushqehej me adhurimin e turmës. Turma, kur magjepset nga estetika e forcës dhe nga ritmi i spektaklit, fillon ta dorëzojë lirinë me duart e veta, ndërsa grotesku e shndërron entuziazmin në mekanizëm bindjeje të verbër. Historia e ka përsëritur shumë herë këtë ligjësi; çdo adhurim i pakufizuar ndaj pushtetit e zvogëlon hapësirën ku mund të marrë frymë ndërgjegjja e lirë.

***

Pas tyre vjen një mori të tjerësh; më të sofistikuar, më të qetë, më modernë, me më shumë maska dhe me aftësi gjithnjë e më të mëdha për ta fshehur fytyrën e groteskut. Disa bartin të njëjtin thelb, disa të tjerë mishërojnë zbrazëtinë si program dhe mjegullën morale si estetikë e së keqes dhe si metodë veprimi. Koha e rafinon gjuhën e tyre, përsos format e paraqitjes dhe i përshtat ato me ndjeshmëritë e çdo epoke, ndërsa thelbi mbetet i lidhur ngushtë me të njëjtën etje për nënshtrim, për uniformitet dhe për kontroll mbi ndërgjegjen njerëzore. Urtësia e dallon këtë vazhdimësi edhe kur fytyrat ndryshojnë, sepse ajo gjykon sipas frymës që i lëviz, e jo vetëm sipas pamjes që shfaqin.

Këto figura, përmes të cilave grotesku merr trajtë historike, jetojnë edhe nën velin e harresës, sepse kujtesa njerëzore lëkundet vazhdimisht ndërmjet vigjilencës dhe plogështisë. Kujtesa ruan emrat, ngjarjet dhe plagët, ndërsa urtësia ruan kuptimin e tyre. Pikërisht ky kuptim e mbron njeriun nga tundimi për ta konsideruar të kaluarën si një muze faktesh të mbyllura, sepse historia vazhdon të jetojë në mënyrën se si gjykojmë të tashmen dhe si e përfytyrojmë të ardhmen.

Ato qëndrojnë pranë secilit njeri, si fraktura të vetëdijes sonë kolektive, si fragmente që vazhdojnë të qarkullojnë në kujtesën e rraskapitur. Çdo brez trashëgon, krahas arritjeve dhe shpresave, edhe këto çarje të padukshme të ndërgjegjes, të cilat kërkojnë vigjilencë të vazhdueshme dhe pjekuri morale për të mos u kthyer në plagë të reja. Urtësia përfaqëson aftësinë për t’i njohur këto fraktura, për t’i kuptuar dhe për t’i shndërruar në mësime që forcojnë kulturën e bashkëjetesës.

Rikthimi i tyre ndjek trajta të reja, gjuhë të reja dhe emra të rinj, ndërsa synimi mbetet i pandryshuar; zhdukja e çdo të veçante, e gjithçkaje që mishëron dallimin, çlirin, gjallërinë dhe humanitetin. Grotesku përshtatet me kohën, përvetëson fjalorin e saj, përdor teknologjitë e saj dhe mëson të flasë me theksin e çdo brezi, duke kërkuar gjithmonë rrugën më të shkurtër drejt ndërgjegjes së lodhur. Për këtë arsye, paqja dhe liria kërkojnë një vigjilencë që ushqehet vazhdimisht nga kujtesa, urtësia dhe përgjegjësia, sepse vetëm një ndërgjegje e kultivuar arrin ta dallojë të njëjtin thelb pas maskave gjithnjë e më të reja të historisë.

Pikërisht këtu paqja nis të tërhiqet, të ndihet e huaj dhe e përzënë, ndërsa njeriu rrëshqet drejt vetmisë, i shkëputur nga bashkësia dhe nga vetë kuptimi i pranisë së tjetrit. Çdo tërheqje e saj e varfëron jetën shpirtërore të njeriut, zbeh aftësinë për mirëkuptim dhe e ngushton horizontin e përgjegjësisë ndaj tjetrit. Vetmia fiton trajtën e një gjendjeje kolektive, ku bashkëjetesa mbetet vetëm afërsi fizike, ndërsa lidhjet që ushqejnë besimin, solidaritetin dhe dinjitetin fillojnë të treten. Urtësia e dallon këtë çast si një nga sprovat më të rënda të qytetërimit, sepse çdo largim i paqes lë pas vetes një boshllëk që kërkon të mbushet me frikë, dyshim ose armiqësi.

Paqja, në thelbin e saj, përfaqëson një gjendje të vetëdijes, një kulturë marrëdhëniesh dhe një rend moral që e bën të mundur bashkëjetesën. Ajo lind nga mënyra se si njeriu e kupton veten, tjetrin dhe përgjegjësinë që i lidh të dy me një fat të përbashkët. Çdo qytetërim që e kultivon këtë vetëdije krijon kushte ku dallimet marrin kuptimin e pasurisë njerëzore, ndërsa drejtësia dhe dinjiteti shndërrohen në shtyllat mbi të cilat mbështetet besimi i ndërsjellë. Urtësia e mban gjallë këtë rend, sepse ajo e mëson njeriun ta kërkojë masën e veprimit të tij në të mirën e përbashkët dhe në respektin për jetën.

Armëpushimi, heshtja e armëve dhe qetësia e çastit përbëjnë vetëm disa nga shfaqjet e saj të jashtme; fryma e paqes buron nga dinjiteti i njeriut, nga kujtesa historike dhe nga urtësia që zgjedh jetën si vlerë themelore. Ajo ushqehet nga aftësia për të mësuar prej së kaluarës, për ta vënë drejtësinë në shërbim të pajtimit dhe për ta ruajtur kujtesën si burim përgjegjësie ndaj brezave që vijnë. Vetëm një kulturë që i bashkon kujtesën me urtësinë arrin ta mbajë paqen si frymë të përhershme të jetës së saj, duke i dhënë çdo brezi mundësinë ta ndërtojë të ardhmen mbi themelet e humanitetit dhe të besimit te njeriu.

 

***

Paqja është vetëdije, është e drejta dhe drejtësia, është zgjedhje dhe zgjidhje. Ajo përfaqëson gatishmërinë e vazhdueshme për të mos i lënë groteskut asnjë terren ku të mbillet, të lëshojë rrënjë dhe të japë fryte. Çdo brez e trashëgon këtë përgjegjësi si një detyrë morale, sepse paqja ruhet përmes një përpjekjeje të pandërprerë për ta kultivuar ndërgjegjen, për ta ushtruar gjykimin dhe për ta mbajtur të gjallë aftësinë për të dalluar të vërtetën nga shtrembërimi. Urtësia i jep kësaj përpjekjeje drejtim, masë dhe qëndrueshmëri.

Paqja është fryt i urtësisë, i kujtesës dhe i përgjegjësisë njerëzore. Ajo buron nga vetëdija që ruan përvojën historike, nga pjekuria që dallon të mirën prej mashtrimit dhe nga vigjilenca që mbron dinjitetin njerëzor. Brenda kësaj vetëdijeje piqet kultura e bashkëjetesës, ku drejtësia, respekti dhe besimi fitojnë forcën për t’i rezistuar pasioneve që kërkojnë përçarje. Vetëm një qytetërim që e ushqen vazhdimisht këtë kulturë arrin ta mbajë paqen si pjesë të karakterit të vet dhe jo vetëm si një gjendje të përkohshme të historisë.

Qëndrueshmëria e saj mbështetet te kultura e kujtesës dhe te gatishmëria për të mos lejuar që e keqja të vishet me petkun e një “perspektive tjetër”, të një “retorike ndryshe” apo të një “zgjidhjeje radikale për një kohë të re”. Kujtesa e lidh përvojën me përgjegjësinë, ndërsa urtësia e shndërron këtë lidhje në aftësi për të gjykuar drejt edhe në kohët kur mjegulla morale e vështirëson dallimin. Pikërisht në këtë vigjilencë ruhet liria e njeriut dhe forcohet aftësia e tij për t’i bërë ballë tundimeve që përsëriten me fytyra gjithnjë e më të rafinuara.

Paqja përfaqëson rrënimin e groteskut, sepse grotesku është zgjedhje që ushqen shkatërrimin. Ai imiton mendimin, përvetëson gjuhën e arsyes dhe organizon me përpikmëri mekanizmat e rrënimit, derisa shkatërrimi të marrë pamjen e një domosdoshmërie. Pikërisht këtu qëndron edhe sprova më e madhe e urtësisë; ta mbajë arsyen të lidhur me ndërgjegjen, ta orientojë dijen drejt humanitetit dhe ta ruajë njeriun nga çdo sistem që e zhvesh jetën prej dinjitetit të saj. Çdo fitore e paqes mbi groteskun fillon në këtë hapësirë të brendshme të njeriut, ku formësohen zgjedhjet që më vonë bëhen kulturë, institucione dhe histori.

Prandaj, paqja përbën një domosdoshmëri të përhershme të qytetërimit dhe një sakrificë të ndërgjegjshme për hir të së ardhmes. Ajo është porti prej nga niset çdo ide që synon ta fisnikërojë jetën dhe porti ku kthehet çdo veprim që kërkon ta ruajë dinjitetin njerëzor, sepse aty mendimi gjen masën e vet morale, ndërsa veprimi fiton kuptimin e vet njerëzor. Urtësia e mban të hapur këtë qark të pandërprerë ndërmjet mendimit dhe veprimit, duke e lidhur të vërtetën me përgjegjësinë dhe lirinë me drejtësinë. Pikërisht në këtë lidhje qytetërimi gjen aftësinë për ta ripërtërirë veten pa e humbur busullën morale.

Paqja i jep njeriut drejtim, ritëm dhe vendmbërritje, është pikërisht ajo që e udhëheq udhëtimin e tij nëpër labirinthet e vetes dhe të botës, e rikthen vazhdimisht te qëllimet e afërta dhe te horizontet e largëta, duke e mbajtur të lidhur me kuptimin e ekzistencës. Në çdo hap të këtij udhëtimi pasuron përvojën, thellon gjykimin dhe forcon vetëdijen se jeta e njeriut fiton peshë vetëm në marrëdhënie me tjetrin dhe me të mirën e përbashkët.

Vetëm kështu paqja bëhet një mënyrë e të jetuarit, një kulturë e përditshme dhe një horizont që e orienton vazhdimisht qytetërimin drejt pjekurisë.

E gjithë kjo përbën një lutje të heshtur drejtuar çdo mendjeje të kthjellët; të ruajë vigjilencën ndaj ëndrrave të liga, të mos i japë duartrokitje groteskut të veshur me rroba të reja dhe të mbajë gjallë kujtesën se çdo përsëritje e së keqes shfaqet me mjete më të rafinuara dhe me pasoja edhe më të tmerrshme. Kujtesa, urtësia dhe paqja përbëjnë një trashëgimi që çdo brez e merr në dorë dhe ia përcjell brezit pasardhës. Prej mënyrës se si kjo trashëgimi ruhet, pasurohet dhe jetohet varet edhe aftësia e njeriut për ta mbrojtur qytetërimin nga kthimi i groteskut në fat historik.

(*) Ky tekst është një fëmijë i mendimit. I porsalindur, me frymën e parë të njeriut që kërkon dritë në kohë errësire. Çdo mendim që lind nga etja për të kuptuar jetën bart në vetvete këtë brishtësi fillestare; ai kërkon kohë për t’u rritur, dialog për t’u pasuruar dhe urtësi për t’u pjekur. Druajtja për ta ndryshuar dëshmon se brenda tij rreh ende një jetë e gjallë, që pret të sprovohet në udhën e gjatë të reflektimit, të përvojës dhe të përgjegjësisë.

Vetëm mendimi që pranon këtë udhëtim fiton aftësinë për t’u shndërruar në dritë për të tjerët dhe në pjesë të kujtesës së një qytetërimi.

Prandaj, le ta ruajmë dhe ta rrisim me kujdes, me urtësi e me dashuri, sepse paqja kërkon nga dinamika jonë njerëzore përkushtimin që e mban gjallë dinjitetin, kujtesën dhe përgjegjësinë. Ky përkushtim ushqehet çdo ditë nga guximi për të kërkuar të vërtetën, nga përulësia për të mësuar dhe nga gatishmëria për ta vënë dijen në shërbim të jetës. Pikërisht në këtë rrugëtim paqja fiton qëndrueshmëri, urtësia merr trajtë në veprim dhe njeriu e përmbush thirrjen e tij më të lartë: të mbetet rojtar i dinjitetit njerëzor, i kujtesës dhe i humanitetit.

Share.

Comments are closed.

Exit mobile version