Ministria e Mbrojtjes së Kosovës ka përfunduar procedurat për blerjen e pajisjeve anti-tank nga Gjermania, të destinuara për Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK). Lajmi është konfirmuar për The GeoPost nga Ministria e Mbrojtjes e Kosovës.

Armët PANZERFAUST 3 pritet t’i dorëzohen së shpejti FSK-së, duke rritur ndjeshëm kapacitetet mbrojtëse kundër mjeteve të blinduara. Ky investim shihet si një hap i rëndësishëm drejt modernizimit të forcave të sigurisë dhe përmirësimit të gatishmërisë operative të FSK-së.

Paralelisht, Kosova ka nënshkruar një marrëveshje me prodhuesin amerikan të industrisë ushtarake AM General për blerjen e sistemeve moderne të artilerisë së lëvizshme HUMVEE Hawkeye 105 mm.

Kontrata trivjeçare përfshin jo vetëm sistemet e artilerisë Hawkeye, por edhe furnizimin e FSK-së me ambulanca, kamionë për komandim dhe kontroll, si dhe mjete të tjera mbështetëse të nevojshme për funksionimin e një baterie të plotë artilerie dhe zhvillimin e kapaciteteve të qitjes indirekte.

Zëvendëspresidenti ekzekutiv për Zhvillim Biznesi i AM General, John Chadbourne, deklaroi se shitja e sistemit HUMVEE Hawkeye për Kosovën është dëshmi e përkushtimit të kompanisë për të ofruar zgjidhje të avancuara për nevojat moderne ushtarake.

Ky hap i dyfishtë, përmes pajisjeve anti-tank gjermane dhe sistemeve amerikane të artilerisë lëvizëse, pritet të forcojë ndjeshëm kapacitetet mbrojtëse dhe gatishmërinë operacionale të FSK-së, duke e vendosur Kosovën në një nivel më të avancuar të teknologjisë dhe strategjisë ushtarake.

Share.

Comments are closed.

Exit mobile version