Bankat komerciale në Kosovë po shënojnë fitime historike, por për qytetarët dhe bizneset viti 2025 ka nisur me një realitet tjetër: rritje drastike të tarifave bankare, në disa raste deri në 100 për qind. Shtrenjtimi ka prekur shërbime bazike, nga tërheqja e parave në degë, te mirëmbajtja e kartelave dhe përdorimi i e-bankingut – shërbime që deri dje ishin falas ose me kosto minimale.

Ironia është e qartë: rritja e tarifave po ndodh vetëm disa muaj pasi bankat komerciale në Kosovë regjistruan fitimet më të larta ndonjëherë. Sipas të dhënave të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), sektori bankar mbylli vitin 2024 me fitim neto prej 182.1 milionë euro, ndërsa vetëm nga janari deri në shtator të këtij viti fitoi 137.2 milionë euro.

Megjithatë, as bankat e as rregullatori nuk kanë dhënë shpjegime konkrete për shtrenjtimin e shërbimeve. Qytetarët tashmë po paguajnë dyfish për disa transaksione: për tërheqje kesh deri në 10 euro, tarifa nga 2 euro është ngritur në 4 euro në njërën nga bankat – një rritje prej 100 për qind. Mirëmbajtja mujore e e-bankingut për individë, që vitin e kaluar ishte falas, tani kushton 0.50 euro, ndërsa tarifa vjetore për kartelat “Visa” dhe “Master” është rritur nga 15 në 18 euro.

Në banka të tjera janë dyfishuar tarifat për SMS-njoftime dhe kodet e verifikimit, ndërsa norma e këmbimit për transaksione me kartelë në valuta jo-euro është rritur nga 1 në 2 për qind. Edhe Raiffeisen Bank Kosova ka paralajmëruar tarifa të reja për klientët e saj.

BQK-ja ka konfirmuar se gjatë vitit të kaluar dhe 2025-tës ka pranuar 17 ankesa lidhur me ndryshimet e çmimeve nga bankat. Megjithatë, institucioni rregullator thekson se tarifat përcaktohen nga vetë bankat, të cilat obligohen vetëm t’i publikojnë ato në mënyrë transparente dhe t’i njoftojnë klientët.

Nga Shoqata e Bankave të Kosovës deklarojnë se nuk monitorojnë tarifat dhe nuk kanë informacion të saktë për rritjet e fundit – një deklaratë që lë hapësirë për pyetje mbi rolin e mbikëqyrjes në një sektor kaq të ndjeshëm.

Analizat krahasuese tregojnë se disa shërbime bankare në Kosovë janë më të shtrenjta sesa në vendet e rajonit, çka rrit presionin mbi qytetarët dhe bizneset. Nga Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë, Kushtrim Ahmeti paralajmëron se këto ndryshime të shpeshta po e bëjnë të pamundur planifikimin e shpenzimeve për bizneset.

Ligjërisht, bankat kanë të drejtë të rrisin tarifat nëse rriten kostot, nëse bëhen investime apo nëse shërbimet nuk janë standarde. Por në një treg ku fitimet janë rekorde, rritja e barrës mbi klientët ngre dyshime serioze për balancën mes interesit publik dhe profitit bankar.

Në fund, pyetja mbetet e hapur: a po paguajnë qytetarët dhe bizneset çmimin e suksesit të bankave?

Share.

Comments are closed.

Exit mobile version