Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, së bashku me ministrin në detyrë të Shëndetësisë, Arben Vitia, kanë përuruar të martën nisjen zyrtare të punimeve për ndërtimin e depos së re të barnave në Kosovë.

Sipas autoriteteve, kjo depo e re do të jetë moderne dhe do të ndërtohet në përputhje të plotë me standardet ndërkombëtare, duke krijuar kushte të sigurta për ruajtjen e barnave dhe shpërndarjen e tyre në të gjitha institucionet spitalore të vendit.

Gjatë fjalës së tij në ceremoninë e përurimit, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, tha se vlera totale e investimit për këtë projekt kap shumën prej 1 milion e 770 mijë eurosh. Ai theksoi se kjo depo do të përmirësojë ndjeshëm kushtet aktuale të ruajtjes së barnave, të cilat deri më tani kanë qenë të papërshtatshme dhe të pasigurta.

“Barnat në Kosovë janë mbajtur – sepse nuk mund të them se janë ruajtur – në ambiente të pasigurta, të papërshtatshme dhe me rrjedhje uji. Ky objekt, që po ndërtohet në Fushë Kosovë, pranë KQZ-së, do të bëjë të mundur që barnat të ruhen në përputhje me standardet më të larta ndërkombëtare. Objekti ka një sipërfaqe prej mbi 2 mijë metra katrorë dhe do të zgjerohet me një aneks shtesë prej 500 metrash katrorë. Aktualisht është nën kulm dhe me mure, por brenda do të përshtatet plotësisht për funksionin e tij,” u shpreh Kurti.

Nga ana tjetër, ministri në detyrë i Shëndetësisë, Arben Vitia, e cilësoi këtë projekt si një ndër më të rëndësishmit për sistemin shëndetësor në Kosovë, për shkak të ndikimit të drejtpërdrejtë që ka në cilësinë e shërbimeve për pacientët.

“Ky projekt është ndër më të rëndësishmit për shëndetësinë kosovare, pasi ka të bëjë me ruajtjen e barnave – që domosdoshmërisht ndikon në cilësinë e shërbimeve për pacientët dhe qytetarët tanë. Për më shumë se 20 vjet, barnat janë ruajtur në ambiente aspak të përshtatshme për këtë qëllim. Ambienti aktual ka një sipërfaqe prej rreth një mijë metrash katrorë, e cila nuk i përmbush nevojat e ruajtjes dhe sigurisë së barnave. Kjo depo e re do të jetë moderne; përveç kushteve teknike që i plotëson, do të pajiset edhe me sisteme digjitale që do të ndihmojnë në menaxhimin dhe shpërndarjen sa më efikase të barnave në të gjitha spitalet dhe komunat e vendit,” deklaroi Vitia.

Depoja e re e barnave do të ndërtohet në zonën industriale të Fushë Kosovës, duke shënuar një hap të rëndësishëm për përmirësimin e infrastrukturës shëndetësore në vend.

Share.

Comments are closed.

Exit mobile version