FATMIR BAÇI:
Nga Fatmir Baçi
Patokratia është sundimi i patologjisë mbi jetën shoqërore dhe politike. Ajo lind atëherë kur njerëz me deformime të rënda morale e psikologjike arrijnë të pushtojnë institucionet dhe, përmes pushtetit, ta shndërrojnë mënyrën e tyre patologjike të të menduarit në normë kolektive.
Në fillim mund të jetë vetëm një njeri. Më pas ai njeh, afron dhe ngre pranë vetes njerëz të ngjashëm me veten. Gënjeshtra bëhet metodë, manipulimi aftësi, pamëshirshmëria forcë, ndërsa servilizmi shpërblehet me emrin e besnikërisë. Gradualisht, njerëzit patologjikë njohin njëri-tjetrin, mbrojnë njëri-tjetrin dhe ngjiten së bashku në hierarki, duke e larguar nga qendrat e vendimmarrjes njeriun e ndershëm, të pavarur dhe me ndërgjegje.
Institucionet fillojnë kështu të ndryshojnë karakter. Njeriu me ndërgjegje pengohet, ai që bën pyetje bëhet i padëshiruar, ndërsa ai që bindet pa skrupull shpërblehet me ngritje. Patologjia individuale fiton strukturë, organizim dhe pushtet.
Patokratia e përmbys edhe gjuhën. Shtypja quhet rend, propaganda informim, frika siguri, ndërsa kundërshtari shndërrohet në armik. Kur fjalët humbin kuptimin e tyre moral, shoqëria humb një nga mjetet më të rëndësishme për njohjen e së vërtetës.
Megjithatë, patokratia nuk mbahet gjallë vetëm nga njerëzit patologjikë. Ajo ushqehet nga frika, oportunizmi, heshtja dhe dëshira për privilegje. Kështu, patologjia e pak njerëzve mund të shndërrohet gradualisht në klimën morale të një kombi.
Shenja më tragjike shfaqet atëherë kur normaliteti fillon të duket i dyshimtë: ndershmëria quhet dobësi, ndërgjegjja pengesë, e vërteta rrezik dhe guximi moral faj.
Patokratia fillon pikërisht aty ku patologjia pushon së qeni tipar i individit dhe shndërrohet në parim të pushtetit.
