Kosova është tronditur nga pesë vrasje brenda vetëm dy ditësh. Mes të dyshuarve ka edhe recidivistë, ose persona me histori të gjatë kriminale, të cilët i ishin shpëtuar drejtësisë disa herë më parë. Kjo situatë, sipas zyrtarëve të lartë dhe ekspertëve, tregon dështimin e thellë të sistemit të drejtësisë për të trajtuar me seriozitetin e duhur këto raste.

Ish-kryetari i Gjykatës Supreme dhe profesor universitar, Fejzullah Hasani, e vë theksin te prokuroria dhe gjykatat. Ai shpjegon se shpeshherë, prokurorët nuk kërkojnë paraburgim për persona me histori të gjatë kriminale, ndërsa kërkojnë masë paraburgimi për persona që s’kanë pasur kurrë probleme me ligjin. Ky paradoks, sipas tij, është i paligjshëm dhe kërkon llogaridhënie.

“Nëse prokurori për tri-katër herë me radhë merret me kryes të tillë dhe nuk propozon paraburgim, e lë të lirë, ndërkohë që gjykata shqipton dënime të lehta, kryesisht me kusht apo gjobë, kjo i trimëron ata për ta vazhduar veprimtarinë kriminale,” shprehet Hasani.

Ai i bën thirrje sistemit të drejtësisë që ta shohë recidivizmin si një rrethanë rënduese dhe të ashpërsojë dënimet. Edhe Gjykata e Apelit duhet të ndërhyjë, duke i korrigjuar dënimet e lehta të gjykatave të shkallës së parë.


 

Dështimi i sistemit, jo vetëm i individit

 

Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) konfirmon këtë shqetësim, duke vënë në dukje se shumë raste të recidivistëve trajtohen në mënyrë të barabartë me vepra më pak serioze. Sipas IKD-së, kjo mungesë llogaridhënieje bën që qytetarët ta paguajnë me jetë dështimin e sistemit. Ajo që është më shqetësuese, sipas IKD-së, është se shpeshherë gjyqtarët dhe prokurorët që neglizhojnë këto raste, promovohen në pozita më të larta.

Drejtori i Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS), Mentor Vrajolli, thekson se rastet e shumta të personave me histori kriminale që lirohen pas paraburgimeve të shkurtra dhe kryejnë krime të tjera të rënda, nuk janë thjesht “aksidentale.” Ai kërkon një hetim të thelluar publik dhe marrjen e masave disiplinore dhe penale ndaj atyre që neglizhojnë detyrën.

Yll Zekaj, avokat, vë në dukje se dënimet e lehta dhe mungesa e risocializimit të autorëve, po i inkurajojnë ata të kthehen në krim, shpesh duke kryer vepra me pasoja fatale. “Në shumicën e rasteve, sistemi i drejtësisë ka dështuar që t’i trajtojë si duhet këto raste,” thotë Zekaj.


 

Reagimet e politikanëve

 

Pas kësaj vale vrasjesh, reagime ka pasur edhe nga politika. Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, kërkoi vendosmëri, duke thënë se “askush nuk është i paprekshëm apo i pandëshkueshëm.” Edhe ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e cilësoi situatën si dëshmi të neglizhencës institucionale, duke theksuar se “nuk mund të flasim për shtet të së drejtës, derisa kriminelët ecin të lirë, ndërsa viktimat jetojnë në frikë dhe pasiguri.”

Mbetet për t’u parë nëse këto deklarata dhe thirrje nga ekspertët do të shërbejnë si një moment kthimi për sistemin e drejtësisë, duke e detyruar atë të veprojë me përgjegjësi dhe profesionalizëm.

Share.

Comments are closed.

Exit mobile version