Në veriun e Rripit të Gazës, vetëm pak metra larg asaj që njihet si “vija e verdhë”, arsimi po mbijeton mes bombardimeve, zjarrit të tankeve dhe pasigurisë së përditshme. Shkolla Arsimore Al-Shamal, e ngritur me disa tenda në Kampin e Refugjatëve Jabalia, në Beit Lahiya, vazhdon të funksionojë rreth 200 metra nga vija e demarkacionit, duke u shndërruar në të vetmen qendër arsimore aktive në këtë zonë të rrezikuar, raporton Anadolu.

Pavarësisht rrezikut të vazhdueshëm, drejtuesit e shkollës kanë refuzuar evakuimin, duke vendosur që arsimi i fëmijëve palestinezë të mos ndërpritet. Në këto kushte ekstreme, më shumë se 400 nxënës ndjekin mësimin në tenda të improvizuara, shpesh të ulur në tokë, të ekspozuar ndaj të ftohtit, zhurmës së armëve dhe shpërthimeve që janë bërë pjesë e përditshmërisë.

Mes tyre është edhe 10-vjeçari Yameen Zinati. Ai u nxor i gjallë nga rrënojat pasi shtëpia e familjes së tij u shkatërrua nga sulmet izraelite. Sot jeton në një tendë me nënën e tij dhe çdo ditë ecën drejt shkollës mes rrënojave dhe frikës. “Jam shumë i frikësuar gjatë rrugës për në shkollë për shkak të granatimeve dhe të shtënave, por duhet të mësoj dhe të vazhdoj shkollën”, thotë ai.

Nëna e tij, Mona Al-Zinati, shprehet se vendimi për ta regjistruar djalin në këtë shkollë ishte i vështirë, por i domosdoshëm. “Ai ka humbur tashmë rreth dy vjet arsim. Nuk mund të përballoj ta humbasë edhe një tjetër. Arsimi është e vetmja shpresë që na ka mbetur”, thotë ajo.

Drejtoresha e shkollës, Yara Abu Ghloua, thekson se misioni i tyre është të ruajnë dijen edhe në kushte çnjerëzore. “Nga besimi ynë si komunitet lokal, injoranca çon në shkatërrim. Detyra jonë është edukimi, pavarësisht rrethanave”, shprehet ajo, duke shtuar se mësuesit shpesh detyrohen të ndërpresin mësimin gjatë granatimeve intensive.

Ndërkohë, autoritetet palestineze raportojnë se sulmet izraelite vazhdojnë në mbarë Gazën, pavarësisht marrëveshjes së armëpushimit të 10 tetorit. Sipas tyre, Izraeli ka zgjeruar zonën e kontrollit përtej “vijës së verdhë”, duke shtrirë ndikimin në rreth 60 për qind të territorit.

Që nga tetori 2023, mbi 71 mijë palestinezë janë vrarë dhe më shumë se 171 mijë janë plagosur, ndërsa rreth 90 për qind e infrastrukturës civile është shkatërruar. Në sektorin e arsimit, dëmet janë shkatërruese: 95 për qind e shkollave në Gaza janë dëmtuar, ndërsa 668 ndërtesa shkollore janë goditur drejtpërdrejt, sipas të dhënave palestineze.

Në mes të këtij shkatërrimi, tenda-shkolla e Al-Shamalit mbetet simbol i qëndresës së dijes dhe shpresës së fëmijëve të Gazës.

Share.

Comments are closed.

Exit mobile version