Një zyrtar serb, Igor Popoviq, ndihmësdrejtori i “Zyrës për Kosovë” në qeverinë e Serbisë, është arrestuar nga Policia e Kosovës. Arrestimi erdhi pas një fjalimi të tij në fshatin Hoqë e Madhe, ku ai i referohej UÇK-së si “organizatë terroriste”. Këto deklarata, sipas autoriteteve, dyshohet se kanë nxitur ndarje dhe mosdurim.


Pas deklaratave të bujshme të Popoviqit, policia ka ndërmarrë veprimet e duhura. Siç njoftohet nga policia, zyrtari serb u arrestua në pikën kufitare në Bërnjak, pasi u dyshua se kishte kryer veprën penale të “nxitjes së përçarjes dhe mosdurimit”.

Në njoftimin e policisë thuhet se gjatë fjalimit në fshatin Hoqë e Madhe, Popoviq dyshohet se ka krahasuar veprimet e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) me “ngjarje të rënda ndërkombëtare”, duke e cilësuar atë si organizatë terroriste.

Gjithashtu, si dëshmi materiale, dy telefona celularë të tij janë konfiskuar përkohësisht. Pas intervistimit, me vendim të prokurorit, Popoviq është dërguar në paraburgim.


Për këtë ngjarje ka reaguar edhe ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla. Ai konfirmoi zyrtarisht se Popoviq është ndaluar në Bërnjak dhe se do të përballet me masat ligjore për deklaratat e tij. Sipas Sveçlës, Popoviq me fjalimin e tij ka synuar të nxisë urrejtje dhe përçarje ndëretnike në Kosovë.

Në një postim në Facebook, Sveçla theksoi se Kosova nuk do të tolerojë “fyerje dhe përdhosje të historisë tonë, aq më pak të Luftës sonë Çlirimtare të udhëhequr nga UÇK-ja”. Ai theksoi se historia e luftës së Kosovës është e respektuar nga bota mbarë. Gjithashtu, Sveçla njoftoi se Popoviq, pas ndalimit, është dërguar në stacionin policor në veri të Mitrovicës.

Share.

Comments are closed.

Exit mobile version