Nga Andy Verity, Tom Beal & Will Dahlgreen, BBC News
Firma që ruan vendet ku shpërndahet ndihma në Gaza ka përdorur anëtarë të një bande motoçiklistësh amerikanë me një histori armiqësie dhe urrejtje patologjgike ndaj Islamit për të menaxhuar sigurinë e saj të armatosur, ka zbuluar një hetim i BBC-së.
BBC News ka konfirmuar identitetin e 10 anëtarëve të Klubit të Motoçiklistëve Infidels (Të Pafetë) që punojnë në Gaza për UG Solutions – një kontraktor privat që ofron siguri në vendet e Fondacionit Humanitar të Gazës, ku qindra civilë që kërkonin ushqim janë vrarë në skena kaosi dhe të shtënash.
Ne mund të zbulojmë se shtatë anëtarë të bandës janë në pozita të larta duke mbikëqyrur vendet në operacionin e diskutueshëm të ndihmës të mbështetur nga Izraeli dhe Presidenti amerikan Donald Trump.
UG Solutions (UGS) mbrojti kualifikimet e punonjësve të saj për këtë punë, duke thënë se nuk i përjashton njerëzit për “hobi personale apo përkatësi të palidhura me performancën në punë”.
Fondacioni Humanitar i Gazës (GHF) tha se ka “një politikë tolerance zero për çdo paragjykim apo sjellje të urryer e diskriminuese”.
Infidels MC u themelua nga veteranë të ushtrisë amerikane të luftës së Irakut në vitin 2006 dhe anëtarët e shohin veten si kryqtarë modernë, duke përdorur kryqin e kryqtarëve si simbolin e tyre – një referencë ndaj të krishterëve mesjetarë që luftuan me myslimanët për kontrollin e Jerusalemit.
Banda edhe aktualisht përdorë gjuhë të urrejtjejes kundër myslimanëve në faqen e saj në Facebook dhe kohë më parë ka organizuar një pjekje derri “si sfidë” ndaj muajit të shenjtë të Ramazanit.
“Të vësh klubin e motoçiklistëve Infidels në krye të shpërndarjes së ndihmës humanitare në Gaza është si të vësh KKK-në në krye të shpërndarjes së ndihmës humanitare në Sudan. Nuk ka asnjë kuptim,” tha Edward Ahmed Mitchell, zëvendësdrejtor i Këshillit për Marrëdhëniet Amerikano-Islame (CAIR), një organizatë kryesore myslimane për të drejtat civile në SHBA.
“Kjo ka të ngjarë të çojë në dhunë, dhe pikërisht këtë kemi parë të ndodhë në Gaza.”
Udhëheqësi i bandës, Johnny “Taz” Mulford, është një ish-rreshter në Ushtrinë Amerikane i cili u ndëshkua për komplot për të kryer ryshfet, vjedhje dhe bërje të deklaratave të rreme para autoriteteve ushtarake. Ai tani është “udhëheqësi i ekipit në nivel vendi” që menaxhon kontratën e UG Solutions në Gaza.
Ne i dërguam një email Infidels MC për koment. Si përgjigje, z. Mulford udhëzoi udhëheqësit e tjerë të bandës së motoçiklistëve të mos përgjigjeshin, por e përfshiu BBC-në kur klikoi “REPLY TO ALL” – duke zbuluar pa dashje adresat e email-it dhe emrat e anëtarëve të tjerë të Infidels MC, disa prej të cilëve punonin në Gaza.
Duke përputhur emrat me informacionin publik rreth udhëheqjes së Infidels MC dhe provat nga burime të brendshme të UG Solutions që punuan me ta, ne kemi identifikuar 10 anëtarë të Infidels MC të cilët z. Mulford i rekrutoi për të punuar me të në Gaza.
Përveç z. Mulford, ne kemi identifikuar tre anëtarë kryesorë të Infidels MC të cilët gjithashtu kanë role të larta në operacionin e UGS në Gaza:
-
Larry “J-Rod” Jarrett, i cili është emëruar publikisht si zëvendëspresidenti i Infidels MC dhe është përgjegjës për logjistikën.
-
Thesari kombëtar i bandës, Bill “Saint” Siebe, i cili drejton ekipin e sigurisë për një nga katër “vendet e sigurta të shpërndarjes” të GHF.
-
Një nga anëtarët themelues të bandës, Richard “A-Tracker” Lofton, një udhëheqës ekipi në një tjetër vend shpërndarjeje.
Dokumente konfidenciale, informacione nga burime të hapura dhe ish-kontraktorë të UGS na kanë mundësuar të konfirmojmë identitetin e gjashtë motoçiklistëve të tjerë të Infidels të punësuar për të punuar në Gaza. Tre prej tyre janë udhëheqës ose zëvendësudhëheqës të ekipeve të armatosura të sigurisë së firmës.
Z. Jarrett, z. Siebe dhe z. Lofton nuk iu përgjigjën kërkesave për koment.
UGS i tha BBC-së se kryen kontrolle të plota të së kaluarës dhe dislokon vetëm individë të verifikuar. Megjithatë, raportet e lajmeve tregojnë se z. Jarrett u arrestua dy vjet më parë në SHBA për drejtim automjeti në gjendje të dehur dhe ka një akuzë të mëparshme për drejtim automjeti nën ndikimin e alkoolit rreth një dekadë më parë. Nuk dihet nëse ndonjëri nga rastet rezultoi në një dënim.
Themeluesi dhe shefi ekzekutiv i UG Solutions, Jameson Govoni, u arrestua në fillim të këtij viti në Karolinën e Veriut për përfshirjen e tij të dyshuar në një incident goditje-dhe-ikjeje dhe për ikje nga policia për t’iu shmangur arrestimit, sipas dokumenteve gjyqësore. Z. Govoni, i cili jeton në SHBA dhe nuk është anëtar i Infidels MC, nuk pranoi të komentonte.
Deri më tani, z. Mulford ishte i vetmi kontraktor i UG Solutions që ishte identifikuar si anëtar i Infidels. Hetimi i BBC-së zbulon se sa i përhapur ka qenë punësimi i anëtarëve të bandës së motoçiklistëve prej tij, veçanërisht në punë me paga më të mira që drejtojnë ekipet e armatosura të sigurisë së UGS.
Postimet në mediat sociale tregojnë se në maj, vetëm dy javë para se të udhëtonte për në Gaza, z. Mulford u përpoq të rekrutonte veteranë të ushtrisë amerikane që e ndjekin në Facebook, duke ftuar këdo që “ende mund të qëllojë, të lëvizë dhe të komunikojë” të aplikojë.
Në total, të paktën 40 nga rreth 320 njerëz të punësuar për të punuar për UG Solutions në Gaza u rekrutuan nga Infidels MC, sipas një vlerësimi të një ish-kontraktori.
UG Solutions po paguan çdo kontraktor 980 dollarë (720 £) në ditë duke përfshirë shpenzimet, duke u rritur në 1,580 dollarë (1,160 £) në ditë për udhëheqësit e ekipeve në “vendet e sigurta të shpërndarjes” të GHF, tregojnë dokumentet e para nga BBC.
Një udhëheqës i një ekipi në Gaza që mbikëqyr sigurinë e vendit, Josh Miller, postoi një foto të një grupi kontraktorësh në Gaza me një pankartë ku shkruhej “Bëjeni Gazën Përsëri të Madhe” (Make Gaza Great Again).
Pankarta reklamon logon e një kompanie që ai zotëron e cila shet bluza dhe veshje të tjera, përfshirë një me sloganin “përqafo dhunën” dhe një tjetër që thotë: “Sërf gjithë ditën, raketa gjithë natën. Vera e Gazës 25.”
Kompania e tij gjithashtu postoi një video në internet që tregonte skena dhune me armë dhe mbronte qitjen e kriminelëve, me mbishkrimin: “Mbani mend, gjithmonë qëlloni derisa të mos jenë më një kërcënim!”
Z. Miller ka fjalën “Kryqtar” (Crusader) të tatuazhuar në gishta dhe “1095” në gishtat e mëdhenj. Ky është viti kur udhëheqësi i kishës katolike, Papa Urbani II, nisi kryqëzatën e parë, duke sulmuar myslimanët si një “racë e poshtër”. Z. Miller nuk iu përgjigj kërkesave për koment.
Një postim në faqen e Facebook-ut të Infidels MC që shet kapele “1095” thotë se ajo simbolizon fillimin e Kryqëzatave, “një fushatë ushtarake nga forcat e Evropës Perëndimore për të rimarrë Jerusalemin dhe Tokën e Shenjtë nga kontrolli mysliman”. “Toka e Shenjtë” i referohet zonës së mbuluar kryesisht nga Izraeli i sotëm dhe territoret palestineze.
Johnny Mulford, i cili përveçse drejton bandën është i listuar si agjenti i regjistruar i një kompanie në Florida të quajtur Infidels MC, ka datën 1095 të tatuazhuar në gjoks. Ai ka një kryq kryqtar të tatuazhuar në parakrahun e djathtë dhe një tjetër në krahun e sipërm të majtë së bashku me fjalën “Të Pafetë” (Infidels).
“Kur sheh fanatikë anti-myslimanë sot që festojnë 1095, duke festuar Kryqëzatat, ata po festojnë masakrën masive të myslimanëve – fshirjen e myslimanëve dhe hebrenjve nga qyteti i shenjtë i Jerusalemit,” tha z. Mitchell nga organizata amerikane për të drejtat civile myslimane CAIR.
Ai tha se banda kishte shenjat dalluese të grupeve të urrejtjes anti-myslimane të cilat për dekada kanë përdorur emrin “Të Pafetë”.
Pikëpamjet anti-islamike të shprehura nga banda përfshijnë një fletushkë për pjekjen e derrit gjatë Ramazanit, të cilën BBC e gjeti në një faqe interneti të arkivuar. Aty thuhet: “Në sfidë të festës islame të Ramazanit… ju ftojmë të merrni pjesë në festën e hapur me motoçikleta dhe pjekje derri nga Dega e Infidels MC Colorado Springs.”
Fletushka gjithashtu tregon një grua me burkë të grisur nga qafa poshtë, duke i ekspozuar gjoksin.
Faqja e Facebook-ut e Infidels MC ka mbajtur diskutime qartësisht islamofobike. Në vitin 2020, klubi ndau një lidhje të një artikulli të rremë, satirik, që pretendonte se katër politikanë demokratë amerikanë, dy prej tyre myslimanë, donin që Bibla të konsiderohej gjuhë urrejtjeje.
Komentet nga anëtarët e grupit në Facebook përfshinin: “Po e mbush karikatorin tim deri në maksimum. Nuk do të ishte hera e parë që jemi në kundërshtim me myslimanët”; “Dëbojini këto lavire patetike në një vrimë muti patetike të botës së tretë ku nuk do të ofendohen nga Bibla e Shenjtë”; dhe një koment që hidhte poshtë “ata dhe Muhamedin e tyre” me një fjalë fyese.
Deri të mërkurën, këto komente ishin ende në faqen e Facebook-ut të Infidels MC.
Uebsajti i Infidels MC gjithashtu shfaqte logon e kafkës së personazhit të dhunshëm të librave komikë të Marvel, Punisher, një simbol i përvetësuar nga grupet suprematiste të bardha, i gdhendur me “kafir” në shkrimin arabisht – që përkthehet si “jobesimtar” (ose “i pafé”).
Skenat e kaosit dhe rrezikut kanë qenë të zakonshme në vendet e shpërndarjes së ndihmës në Gaza që kur u hapën në fund të majit. Deri më 2 shtator, 1,135 fëmijë, gra dhe burra u vranë pranë vendeve të GHF ndërsa kërkonin ushqim, sipas Zyrës së Kombeve të Bashkuara për Koordinimin e Çështjeve Humanitare.
OKB-ja ka thënë se shumica e vrasjeve duket se janë kryer nga forcat e sigurisë izraelite. Incidentet ku civilët u dëmtuan ndërsa kërkonin ndihmë janë “nën shqyrtim nga autoritetet kompetente në IDF”, tha ushtria izraelite.
UGS ka mohuar akuzat se kontraktorët e saj të sigurisë gjithashtu qëlluan mbi civilë dhe se ajo i vuri në rrezik njerëzit që kërkonin ushqim për shkak të udhëheqjes së paaftë. Megjithatë, kompania ka pranuar se janë përdorur të shtëna paralajmëruese për të shpërndarë turmat.
Në një deklaratë, UG Solutions, me bazë në Karolinën e Veriut, tha se Johnny Mulford është një “figurë e besuar dhe e respektuar” me më shumë se 30 vjet përvojë në mbështetjen e SHBA-së dhe aleatëve të saj globalisht. “Ne qëndrojmë pas reputacionit, rekordit dhe kontributeve të tij në suksesin e misioneve komplekse,” tha kompania.
“Ne nuk bëjmë filtrim për hobi personale apo përkatësi të palidhura me performancën në punë ose standardet e sigurisë. Çdo anëtar i ekipit i nënshtrohet kontrolleve të plota të së kaluarës dhe vetëm individë të kualifikuar e të verifikuar dislokohen në operacionet e UG Solutions,” tha UGS.
Fondacioni Humanitar i Gazës tha se mbështetet te “njerëz nga të gjitha prejardhjet” për të ofruar ndihmë në Gaza dhe për të ndërtuar besim me banorët e Gazës.
“Ekipi që ofron ndihmë në vendet e Fondacionit është i larmishëm – dhe është i suksesshëm për këtë arsye,” tha GHF.