Dieta juaj ndikon si ndiheni dhe se sa mirë funksionon trupi juaj.

Ndërkohë që një dietë e pasur me lëndë ushqyese dhe e balancuar mbështet sistemin imunitar, një dietë e varfër në lëndë ushqyese dhe e pasur me ushqime shumë të përpunuara mund ta dëmtojë funksionin imunitar.

Ky artikull përmbledh 10 ushqime që mund të dobësojnë sistemin tuaj imunitar:


1. Sheqeri i shtuar
Kufizimi i sasisë së sheqerit të shtuar është i rëndësishëm për shëndetin e përgjithshëm dhe funksionin e mirë të sistemit imunitar. Ushqimet që rrisin nivelin e sheqerit në gjak, si ëmbëlsirat, mund të rrisin prodhimin e proteinave inflamatore, të cilat ndikojnë negativisht në sistemin imunitar.

Nivelet e larta të sheqerit mund të pengojnë funksionin e qelizave imunitare dhe të dëmtojnë funksionin e zorrëve, duke ju bërë më të ndjeshëm ndaj infeksioneve.

Për të mbrojtur sistemin imunitar, kufizoni ëmbëlsirat, pijet me sheqer, akulloret dhe produktet e pjekura me shumë sheqer.


2. Ushqimet me shumë kripë
Patatinat, ushqimet e ngrira dhe fast food-i përmbajnë shumë kripë, e cila mund të nxisë inflamacionin dhe të rrisë rrezikun e sëmundjeve autoimune. Sasia e tepërt e kripës mund të ndikojë negativisht në bakteret e zorrëve dhe të nxisë një përgjigje të tepruar imunitare.

Ulja e konsumit të kripës është një hap i mirë për të përmirësuar funksionin imunitar.


3. Ushqimet e pasura me yndyrna omega-6
Balanca mes yndyrnave omega-6 dhe omega-3 është thelbësore. Ushqimet që përmbajnë shumë omega-6 dhe pak omega-3 mund të rrisin inflamacionin dhe të dobësojnë sistemin imunitar.

Për një sistem imunitar të fortë, konsumoni më shumë salmon, arra dhe fara chia, dhe kufizoni vajrat si ai i misrit dhe sojës.


4. Ushqimet e skuqura
Ushqimet e skuqura përmbajnë produkte që krijohen gjatë gatimit në temperatura të larta, të cilat mund të nxisin inflamacion dhe të dëmtojnë qelizat.

Për shembull, patatet e skuqura, mishi i skuqur dhe peshku i skuqur duhet të konsumohen rrallë për të mbrojtur shëndetin tuaj imunitar.


5. Mishrat e përpunuar dhe të djegur
Mishrat si sallami, hot-dogët dhe biftekët e djegur përmbajnë substanca që lidhen me inflamacionin dhe dëmtimin qelizor. Këto ushqime shpesh përmbajnë edhe yndyrna të ngopura, të cilat mund të ndikojnë negativisht në sistemin imunitar.


6. Fast food
Fast food-i është shpesh i mbushur me kripë, sheqer, yndyrë dhe aditivë që mund të dëmtojnë zorrët, të nxisin inflamacion dhe të dobësojnë sistemin imunitar. Po ashtu, përmban substanca kimike që mund të ndikojnë në sistemin hormonal dhe imunitar.


7. Ushqimet me aditivë të caktuar
Disa aditivë ushqimorë, si emulsifikuesit dhe ëmbëlsuesit artificialë, mund të ndikojnë negativisht në florën e zorrëve dhe të çrregullojnë sistemin imunitar. Është mirë të kufizoni ushqimet ultra të përpunuara që përmbajnë shumë aditivë.


8. Karbohidratet e rafinuara
Bukët e bardha dhe ëmbëlsirat që përmbajnë miell të bardhë mund të çojnë në rritje të nivelit të sheqerit në gjak dhe inflamacion, gjë që dëmton funksionin imunitar. Në vend të tyre, konsumoni perime niseshtore, fruta dhe drithëra integrale.


9. Ushqimet me yndyrna të ngopura
Dieta me shumë yndyrna të ngopura dhe pak yndyrna të shëndetshme mund të çojë në inflamacion dhe në ulje të aftësisë mbrojtëse të trupit ndaj infeksioneve.

Zgjidhni burime të shëndetshme yndyre si avokado, vaj ulliri dhe peshk yndyror.


10. Ushqimet dhe pijet me ëmbëlsues artificialë
Disa ëmbëlsues artificialë janë lidhur me çrregullime në bakteret e zorrëve, rritje të inflamacionit dhe dobësim të përgjigjes imunitare. Konsumimi i tepërt i këtyre mund të ndikojë negativisht edhe në rrezikun për sëmundje autoimune.


Përfundim
Për të mbështetur një sistem të fortë imunitar, është e rëndësishme të ndiqni një stil jetese të shëndetshëm dhe të ushqeheni me produkte të pasura në lëndë ushqyese. Kufizoni sheqerin, kripën, ushqimet e skuqura dhe ato shumë të përpunuara për të ruajtur shëndetin dhe funksionin optimal të sistemit tuaj imunitar.


 

Share.

Comments are closed.

Exit mobile version