Month: August 2017

Disa prindër mburren me sjelljen e fëmijëve të tyre të mbyllur – fëmijë që u…

Drejtori i Zyrës për Kosovë, në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, ka thënë se serbët e Kosovës duhet të kenë një nga tri pozitat kryesore udhëheqëse të Kosovës, siç janë, Presidenti, kryetari i Kuvendit ose Kryeministri.
Gjuriq në një debat televiziv në Serbi, ka thënë se tash pas përfundimit të zgjedhjeve në Kosovë, përfaqësuesit e Listës Serbe duhet të marrin njërën nga tri pozitat më të larta udhëheqëse të Kosovës.
Kjo sipas tij, sigurisht se nuk do të jetë e lehtë, por nëse përfaqësuesit ndërkombëtarë e kanë mbështetur një gjë të tillë në Maqedoni, pse kjo të mos ndodhë edhe në Kosovë.
Ai këtu ka aluduar në atë se kryeparlamentari në Maqedoni është zgjedhur Talat Xhaferi i BDI-së, e cila është në koalicion me LSDM-në e Zoran Zaevit.

Infrastruktura rrugore ka mbizotëruar investimet në Kosovë këto vitet e fundit. Përveç ndërtimit të rrugëve lokale e magjistrale, janë ndërtuar edhe autostrada që lidhin Kosovën me vendet e rajonit dhe të Evropës.
Përqindja më e madhe e buxhetit të Kosovës, zakonisht është ndarë pikërisht për ndërtimin e autostradave.
Aktualisht, në proces të ndërtimit është autostrada, “Arbën Xhaferi”, që lidh Kosovën me Maqedoninë, kurse gjatë këtij viti, pritet të fillojë edhe ndërtimi i autostradës Prishtinë – Gjilan – Konçul, që lidh Kosovën me Serbinë jugore, përkatësisht Luginën e Preshevës, ku jeton shumica shqiptare.
Ramë Çupeva, drejtor i Departamentit të Infrastrukturës Rrugore në Ministrinë e Infrastrukturës në Qeverinë në largim të Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë se punimet në autostradën Prishtinë – Shkup janë duke vazhduar në gjithë gjatësinë e mbetur, duke shtuar se me rritjen e temperaturave punimet po zhvillohen me dinamikë të përshpejtuar.
“Në këto momente, janë rreth 33 kilometra trase, ku janë duke u zhvilluar aktivitetet. Punimet janë duke vazhduar sipas planit dinamik. Sivjet deri në fund të muajit tetor, pritet që të hapet pjesa deri në Doganaj. Kurse vitin tjetër, pritet të kompletohet traseja deri në Han të Elezit”, thotë Çupeva.
Realizimi i këtij projekti ka filluar në vitin 2014, kurse punët sipas planit, duhet të përfundojnë në fillim të vitit 2018. Kjo autostradë, sipas parashikimeve të Qeverisë, do të kushtojë rreth 600 milionë euro.
Ende pa përfunduar autostrada që lidh Kosovën me Shkupin, autoritetet në Prishtinë, kanë njoftuar se tashmë është shpallur tenderi për ndërtimin e autostradës së tretë në Kosovë. Bëhet fjalë për autostradën, Prishtinë – Gjilan – Konçul, duke synuar ta lidhin Kosovën me korridoret evropiane.
Qazim Jonuzaj, menaxher për këtë autostradë nga Ministria e Infrastrukturës, në Qeverinë në largim të Kosovës, bën të ditur për Radion Evropa e Lirë se sivjet pritet që të fillojë ndërtimi i autostradës me gjatësi rreth 22 kilometra me një çmim prej 130 milionë eurosh.
“Kjo autostradë do të lidhë qytetin e Gjilanit me Preshevën dhe Bujanocin. Ky është edhe qëllimi kryesor që autostrada të lidhet me pjesën e banuar me shqiptarë në Republikën e Serbisë”, thotë Jonuzaj.
Ndryshe, njohës të kësaj çështjeje, përmirësimin e infrastrukturës rrugore dhe ndërtimin e autostradave e konsiderojnë projekt të domosdoshëm dhe të nevojshëm për të ardhmen e vendit, por edhe si projekt të ngutshëm për këtë kohë.
Halim Gjergjizi, doktor i Shkencave Agro-Ekonomike, i cili njëherësh ka qenë hartues i projektit të autostradës Merdar – Morinë, thotë se modernizimi infrastrukturës rrugore është me vend, por në rrethanat aktuale në Kosovë, financimi në autostrada është jo i qëlluar.
“Si parim, ndërtimi i autostradave, rrugëve në përgjithësi, është shumë me vend. Por, në aspektin afatshkurtër Kosova ka shumë prioritete tjera dhe me siguri mjetet buxhetore do të ishte shumë më me vend të përdoren për uljen e papunësisë dhe varfërisë”, vlerëson Gjergjizi për Radion Evropa e Lirë.
Autostrada e parë e ndërtuar në Kosovë është ajo Durrës – Kukës – Morinë që lidh Kosovën me Shqipërinë, e quajtur “Ibrahim Rugova”.
Në kuadër të kësaj autostrade që Kosovës i ka kushtuar rreth një miliard euro, autoritetet kompetente në Prishtinë, kanë përgatitur projektin për vazhdimin e autostradës Prishtinë – Merdar – Nish. Projekti përkrahet nga Bashkimi Evropian, si projekt i përbashkët i infrastrukturës rrugore dhe hekurudhore për Ballkanin Perëndimor.

Rreth 21 milionë euro në vit ndahen për buxhetin e nevojshëm për barna dhe material shpenzues në Kosovë.
Por, zyrtarë shëndetësorë thonë se ky buxhet është i pamjaftueshëm për të përmbushur listën esenciale dhe nevojat e pacientëve. Nga Qendra Klinike Universitare adresohen kritika në adresë të Ministrisë së Shëndetësisë në Qeverinë në largim të Kosovës, për blerjen e barnave me çmime larta sesa çmimi real në treg.
Lista esenciale me barna, asnjëherë nuk ka arritur të përmbushet në tërësi që nga paslufta e fundit në Kosovë.
Shemsi Veseli, anëtar i Bordit Drejtues të Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se Ministria e Shëndetësisë i blen barnat me çmim shumë më të shtrenjtë sesa çmimi real i tyre. Andaj, kjo sipas tij, ka ndikuar që lista esenciale të mos mund të përmbushet për mungesë të buxhetit.
“Listën esenciale e bën Ministria e Shëndetësisë. Ndonëse kemi dërguar propozime, ato nuk merren parasysh. Buxheti për barna nga Qendra Klinike është alokuar në Ministrinë e Shëndetësisë”.
“Kontratat e lidhura nga Ministria e Shëndetësisë që i blejnë barnat për QKUK-në , i kanë më të shtrenjta 2 milionë euro, sesa të njëjtat kur janë blerë nga QKUK-ja vite më parë. Ta zëmë, një ilaç, ‘fermibarbiton’ që në treg kushton 1.5 euro, Ministria e Shëndetësisë e blen 9 euro”, ka deklaruar Veseli.
Mungesat në listën esenciale të barnave, sipas ekspertëve shëndetësorë, vlerësohet të ketë ardhur si pasojë e alokimit të buxhetit për barna në vlerë prej 15 milionë euro, nga Qendra Klinike Universitare e Kosovës në Ministrinë e Shëndetësisë.
Zyrtarë të lartë brenda Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, kanë bërë të ditur se gjatë vitit të kaluar qysh në fillim të planifikimit të blerjes së barnave, iu kanë munguar 5 milionë euro.
Në anën tjetër, zyrtarë në Ministrinë e Shëndetësisë thonë se çdo zyrtar shëndetësor ka mundësinë e diskutimit në rast se ka shkelje ligjore dhe kjo të korrigjohet në përputhshmëri me ligjin.
Faik Hoti, drejtor i Departamentit për Informim në këtë ministri tha se nuk mund t’i komentojë të gjitha ankesat që vijnë nga sistemi shëndetësor.
“Nuk mund t’i komentojmë pohimet që mund të shprehen në kuadër të sistemit shëndetësor, pasi pavarësisht nëse dikush punon në kujdesin parësor, dytësor apo tretësor e ka mundësinë ideale që nëse ka çështje që mund të korrektohen të shprehen në vijën institucionale, të diskutohen, të shihet nëse janë të vërteta ose jo dhe më pas të përmirësohet procesi i furnizimit”, ka thënë Hoti.
Ndërkaq, Shemsi Veseli thotë se buxheti është i pamjaftueshëm në përgjithësi për sektorin e shëndetësisë.
‘’Buxheti duhet rritet edhe sa gjysma e buxhetit aktual. Vetëm për aparaturë të re nevojiten 60 milionë euro shtesë. Për shëndetësi nuk është paraparë rritje e buxhetit as për vitet e ardhshme”, ka thënë Veseli.
Derisa Faik Hoti ka dhënë detaje për mjetet e ndara për barna për këtë vit nga Qeveria e Kosovës.
“Buxheti i Ministrisë së Shëndetësisë për barna dhe material shpenzues dhe për citostatikë për vitin 2017, është mbi 21 milionë euro. Prej kësaj shume, 15 milionë euro janë të dedikuara për kujdesin dytësor dhe tretësor shëndetësorë, ndërsa 6 milionë të tjera për Qendrat e Mjekësisë Familjare nëpër komuna”.
“Furnizimi gjatë këtij viti ka qenë afërsisht në limitet e mundësive financiare dhe furnizimi me barna shkon deri në 80 për qind ndonëse ka ndryshime, derisa furnizimi çalon në materialin shpenzues”, është shprehur Hoti.
Kurse drejtori i Institutit Onkologjik në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, Ekrem Hyseni, tha se furnizimin me barna e kanë stabil, duke përmendur disa mungesa të kohëpaskohshme, por që me kërkesë emergjente, po zgjidhen.
“Klinika Onkologjik është stabile me furnizim. Ka shumë mundësi që nga java e ardhshme do t’i kemi tri produkte në mungesë, e që jemi duke u munduar të bëjmë zgjidhje derisa të fillojë tre mujori i tretë”.
Sido që të jetë, zyrtarë në Ministrinë e Shëndetësisë tashmë kanë deklaruar se alokimi i buxhetit nga një institucion në tjetrin, ka qenë kërkesë e donatorëve dhe është miratuar nga Kuvendi i Kosovës.

Kandidati për kryeministër nga Lëvizja Vetëvendosje, Albin Kurti, me anë të një statusi në llogarinë e tij në Facebook ka falënderuar të gjithë votuesit që e nxorën Vetëvendosjen si parti të parë, krahasuar me partitë tjera veç e veç, njofton Klan Kosova.
Tutje Kurti shkruan se dëshira e vullneti i votuesve të Kosovës ishte që PDK-ja të dalë në opozitë, prandaj ka kërkuar që ky vullnet të mos deformohet.
Shkrimi i plotë nga Kurti në Facebook;
Republika nuk jepet
Koalicionet parazgjedhore u formuan në mënyrë që të maskohej rënia e të gjitha partive në Kosovë. Mirëpo, zgjedhjet e 11 qershorit i demaskuan ato duke e bërë Lëvizjen VETËVENDOSJE! fituese, përkatësisht partinë më të madhe në vend, partinë e parë në Kosovë.
Fitorja e Lëvizjes VETËVENDOSJE! është rezultat i punës sonë shumëvjeçare, i drejtësisë së orientimit e konceptit, programit e alternativës sonë, i qëndrueshmërisë së mendjes sonë dhe i guximit tonë me zemër.
Njerëzit e gjejnë vetëvendosjen teksa orvaten ta kuptojnë pakënaqësinë politike e sociale të tyre. Prandaj, qytetarët nuk duhet të na i japin neve meritat e tyre. Fitorja është e jona sepse është e tyre.
Pa dallim moshe e gjinie, profesioni e vendbanimi, etnie e feje, qytetarët kanë nevojë për zhvillim ekonomik që sjell punësim dhe për drejtësi sociale e gjyqësor të drejtë.
Duhet ta zëvendësojmë emigrimin e rinisë me investime nga diaspora, ta zvogëlojmë importin enorm me prodhim vendës, ta ndalim korrupsionin e ish qeverive e të qeverisim pa korrupsion, ta zgjerojmë partneritetin me Bashkimin Evropian dhe ta thellojmë aleancën me ShBA-të, ta shtojmë përkujdesjen shëndetësore pavarësisht të ardhurave mujore apo prejardhjes shoqërore, ta garantojmë cilësinë në arsim nga shkolla fillore te studimet pasuniversitare anekënd komunave të Kosovës…
Qytetarët kanë guxuar. Ata kanë votuar që PDK-ja të shkojë në opozitë. Tash, njerëzit kanë shpresë. Nuk është mirë që dikush të përpiqet ta deformojë vullnetin e qytetarëve dhe ta shpëtojë PDK-në, përkatësisht udhëheqjen e PDK-së.
Koalicioni PAN po synon që t’ia vjedhë LDK-së ose AKR-së ndonjë deputet dhe pastaj ta lusë Vuçiqin në Beograd për ta formuar qeverinë në Kosovë! Kjo është rrugë e gabueshme me pasoja tejet të dëmshme. Nuk jepet Republika për poste.
Maratona sportive nis me shumë e përfundon me pak. Maratona historike nis me pak e përfundon me shumë. Ne jemi bërë shumë, gjithnjë e më shumë. Ata kanë mbetur pak, gjithnjë e më pak.
Historia është klasikë. Politika është avangardë. Ndryshimi me 11 qershor do të jetë historik. Politika jonë është ardhmëria.

Marina amerikane ka testuar sistemin e armëve laserike “LaVS” në Gjirin Persik.
Siç raporton CNN, sistemi laserik mund të lëviz me shpejtësi të dritës dhe është 50 mijë herë më i shpejtë sesa një raketë ndërkontinentale, transmeton Telegrafi.
“Është më preciz sesa plumbi… Nuk bëhet fjalë për një sistem të armëve me dylbi siç përdoren në shumë ushtri të botës, po flasim për një armë shumë të avancuar”, ka deklaruar Christopher Ëelst, kapiteni i anijes.
Testet janë kryer me ndihmën e një fluturake pa pilot “dron” që ka shërbyer si cak, derisa ekipi që është marrë me këtë kishte fokusuar sistemin në dron dhe kishte gjuajtur duke e shkatërruar plotësisht fluturaken me ngrohje, ku temperaturat kanë arritur në mijëra gradë celsius. /Telegrafi/

Presidenti i Këshillit Evropian, Donald Tusk, është shprehur i shqetësuar pasi vendi i tij, Polonia mund të largohet nga Bashkimi Evropian.
Deklaratat e Tusk vijnë në mesin e konflikteve në mes të Bashkimit Evropian dhe partisë, Ligji dhe Drejtësia nga Polonia, pas tentimeve të kësaj të fundit për të reformuar sistemin e drejtësisë.
BE-ja ka shprehur shqetësim edhe për prerjen masive të drunjve në vend.
Qeveria polake i ka hedhur poshtë kritikat e BE-së, dhe ka refuzuar që t’i përmbahet një ligji të Gjykatës Evropiane të Drejtësisë për të ndaluar prerjen e pyjeve.
“Këto deklarata duhet se janë fillimi i shenjave që Polonisë nuk i duhet Bashkimi Evropian. Frikësohem se jemi shumë afër këtij momenti”, u ka thënë Tusk gazetarëve.
Tusk i ka bërë këto komente pasi është pyetur për tetë orë nga prokurorët e Varshavës, të cilët janë duke hetur rastin e rrëzimit të aeroplanit më 2010, në Smolenks të Rusisë.
Në këtë ngjarje ka vdekur ish presidenti i Polonisë, Lech Kaczyński dhe 95 persona të tjerë.
Lideri i partisë, Ligji dhe Drejtësia, Jaroslaë Kaczynski, e ka akuzuar Tusk, që atë kohë ka qenë kryeministër i vendit, si përgjegjës për rrëzimine aeroplanit në të cilin ka vdekur vëllai i tij binjak, presidenti, Lech Kaczynski.
Sipas tij, rrëzimi i aeroplanit nuk ka qenë aksidenti dhe ka akuzuar Tusk për “përgjegjësi morale” për vdekjen e vëllait të tij.
Më 9 mars, Tusk është zgjedhur për herë të dytë si president i Këshillit Evropian, nga liderët e BE-së.

Një ushtar i NATO-s, është vrarë dhe gjashtë të tjerë nga personeli janë plagosur në Afganistan, pasi një sulmi të talibanëve me makinë bombë, i cili kishte cak një konvoj të kësaj ushtrie.
Zyrtarë nga misioni mbështetës i NATO-s, kanë thënë se sulmi ka ndodhur dje në provincën e Kabulit.
Të lënduarit janë duke u trajtur në spital, derisa është bërë e ditur se dhjetëra civilë janë lënduar po ashtu gjatë këtij sulmi.
Talibanët e kanë marrë menjëhërë përgjegjësinë për sulmin.
Zyrtarët kanë thënë se ushtari i vrarë nuk është amerikan, mirëpo nuk kanë dhënë detaje shtesë.
Një tjetër sulm me makinë bombë ka ndodhur dy ditë më parë, në të cilin kanë vdekur 2 ushtarë në qytetin Kandahar, Afganistan.
Edhe për atë sulm përgjegjës kanë thënë të kenë qenë talibanët.
Sulmet kanë vënë në pah rreziqet me të cilat përballët ushtria amerikanë në Afganistan, derisa presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, është duke konsideruar mundësitë e rritjes së trupave për t’i dhënë fund luftës me talibanët.