Month: July 2017

Kemi dëgjuar shpesh herë që fëmijët qëllohen me shuplaka apo dhunohen fizikisht nga prindërit, por kjo i bën ata më të dhunshëm e agresivë gjatë zhvillimit.
Një studim që ka prekur 160 mijë fëmijë për 50 vite është publikuar në Gazetën e Psikologjisë ka zbuluar se fëmijët kanë sjellje të keqe ndaj të tjerëve prej abuzimit fizik.
“Analiza jonë përqendrohet në atë që amerikanët do pranonin si shuplaka të lehta jo si sjellje abuzive. Ne kemi vënë re se goditjet shoqërohen me rezultate të padëshiruara që nuk ‘shërohen’ menjëherë, prandaj disiplinimi i fëmijëve është më i vështirë,” – tha Elizabeth Gershof për Independent.
Studimi përcaktoi se goditjet vijnë më së shumti nga shuplakat në fytyrë, të cilat bëjnë që fëmija të ndihet i fyer nga prindi./tesheshi.com/

Adem Mikullovci, në Kosovë njihet në radhë të parë si aktor. Por, ai mbahet mend edhe si delegat i Kuvendit të Kosovës në kohën e shpalljes së Deklaratës së 2 korrikut, 1990.
Tani, Mikullovci është zgjedhur deputet i Kuvendit të Kosovës, nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje. Si deputeti më i vjetër, ai së bashku me deputetin më të ri të përbërjes së ardhshme të legjislativit do të drejtojnë seancën e parë, deri në zgjedhjen e kryetarit të ri të Kuvendit të Kosovës.
Në një bisedë të shkurtë për Radion Evropa e Lirë, Adem Mikullovci beson se Vetëvendosje do të formojë Qeverinë e ardhshme të Kosovës dhe përjashton çdo mundësi që ai ta votojë ndonjë kandidat për kryeministër nga subjektet tjera politike.
Radio Evropa e Lirë: Zoti Mikullovci, ju keni qenë delegat i Kuvendit para luftës, ndërkohë që siguruat votat të jeni edhe tani deputet i Kuvendit të Kosovës. A prisni që Kuvendi i Republikës së Kosovës të arrijë të shmang ngërçin institucional, që po paralajmërohet rreth formimit të Qeverisë?
Adem Mikullovci: Unë pres që gjithsesi të kalohet ky ngërç sepse duhet të formohet Qeveria e re dhe të vazhdojë punën Kuvendi në përbërjen e legjislacionit të ri. Besoj shumë që PAN-i nuk do t’i ketë votat, nuk do ta formojë Qeverinë.
Qeverinë do ta formojmë ne si partia më e votuar, me numrin më të madh të deputetëve, pa koalicion me askënd. Kështu që pres që pas disa ditësh, Presidenti i Kosovës ta emërojë Albin Kurtin si kryeministër, si kandidatin më të votuar dhe Kurti ta formojë Qeverinë e re.
Radio Evropa e Lirë: Emri juaj është lakuar kur flitet për votën për kandidatin e koalicionit PAN, Ramush Haradinaj. Do të votoni për zotin Haradinaj?
Adem Mikullovci: Unë nuk po kuptoj si ka mund të lakohet emir im në media. Por, them se unë jam aktor dhe kam profesion të studioj karakteret e njerëzve, psikologjinë e njerëzve, qëndrimet e njerëzve, dhe njerëzit më pa karakter, më të ndytë, hiena, qentë e luftës janë ata njerëz që kërcejnë nga një parti në tjetrën sipas nevojës të rastit për përfitime personale. Mund të ndodhë gjithçka në jetë, por një nuk mund të ndodhë, që unë të votoj për PAN –in, pra të ndërroj ideologjinë time.
Pse iu kam bashkëngjitë unë Vetëvendosjes – për me qenë pjesëtarë i një partie që po vjen, që do të sjellë ndryshime për të mirë, dhe këto ndryshime do t’i sjellë Vetëvendosja.
Radio Evropa e Lirë: Zoti Mikullovci, ju si deputeti më i vjetër në Kuvend, a jeni i gatshëm të ndërmjetësoni në negociata në mes partive politike rreth koalicioneve të reja?
Adem Mikullovci: Jo. Pse të përzihem unë në mes tyre. Ata kanë bërë koalicione krye më vete. Ata i kanë programet e veta, planet e veta. Ne si Vetëvendosje nuk kemi nevojë fare të përzihemi në marrëveshjet e tyre, në planet e tyre. Ne e kemi programin tonë 40 pikësh, të cilin e ka paraqitur Albin Kurti dhe Vetëvendosje për Qeverinë e re, dhe absolutisht nuk ka nevojë që unë të përzihem në punët e tyre.
Radio Evropa e Lirë: Po ju, si Vetëvendosje, do të bëni koalicion me ndonjë parti?
Adem Mikullovci: E këtë nuk e di. Nuk di si do të vjen puna. Ndoshta do të detyrohemi, pas dështimit që do të ndodh me PAN-in, e që mendoj se do të ndodhë. Por edhe nëse bëjmë koalicion, ne do ta bëjmë në një mënyrë tjetër, plan tjetër, program tjetër.

Paratë që qarkullojnë jashtë sistemit bankar të Kosovës, nga njohës të çështjeve bankare konsiderohet të jetët mjaft e lartë në Kosovë.
Sipas përllogaritjeve të tyre dhe hulumtimeve të bëra nga mekanizmat financiarë vendorë dhe ndërkombëtarë, këto mjete mund ta arrijnë shifrën e rreth 2 miliardë euro.
Ekonomia joformale në Kosovë në rreth 35 për qind ishte thënë të jetë edhe nga udhëheqësit e Qeverisë dhe institucionet financiare ndërkombëtare. Ata patën deklaruar se 400 deri në 500 milionë euro nuk arkëtohen gjatë vitit nga arka e shtetit.
Profesori i lëndës Analiza Ekonomike e së Drejtës, në Fakultetin Juridik, Mejdi Bektashi, thotë për Radion Evropa e Lirë se pasojat e mbajtjes së parave jashtë sistemit bankar janë të mëdha.
“Qarkullimi i parave të gatshme që nuk kalojnë nëpër kanalet legale në Kosovë është mjaft i lartë. Në radhë të parë kjo ndodh për shkak të ekzistimit të ekonomisë në të zezë, e cila tek ne është mjaft e lartë dhe sipas disa studimeve ndërkombëtare llogaritet të jetë diku rreth 30 deri në 35 për qind të vlerës së bruto produktit vendor ose shndërruar në vlera absolute llogaritet të jetë diku rreth 2 miliardë”.
“Pasojat janë të larta duke filluar nga zvogëlimi i buxhetit, sepse kur paraja nuk kalon në sistemin e fiskalizimit nuk paguhet tatimi mbi vlerën e shtuar si dhe të gjitha taksat tjera”, thekson Bektashi.
Shumë biznese në Kosovë vazhdojnë t’iu shmangen obligimeve tatimore, duke krijuar evazioni fiskal, krim të organizuar dhe dëmtim të buxhetit të Kosovës, njëherësh çrregullim të tregut të lirë kosovar, thonë ekspertë të fushës.
Në këtë rast përmes ekonomisë informale, thekson Bektashi, po goditet edhe buxheti i vendit edhe standardin jetësor i çdo qytetari të Kosovës.
“Arsyet për ekzistimin e kësaj ekonomie që ndërlidhet me përdorimin e parave të gatshme janë të ndryshme, duke filluar nga mosfunksionimi efikas i sistemit tatimor, që nënkupton mosfiskalizimin e plotë të sistemit të pagesave, pastaj traditës për të pagur me para me ‘cash’ dhe zhvillimit jo të mjaftueshëm të sistemit elektronik të pagesave, që viteve të fundit ka një zhvillim, por që në raport me vendet e zhvilluara është larg dëshirave”, thotë Bektashi.
Në anën tjetër, Milazim Abazi, njohës i sistemit bankar, thotë se krahasuar me vitet e kaluara Kosova ka arritur të disiplinojë qarkullimin e parasë, por ende ka raste të qarkullimit të parasë jashtë sistemit bankar.
Ai shton se qarkullimi i parave jashtë sistemit bankar është i dëmshëm për ekonominë në përgjithësi.
“Vet qytetarët duhet të vetëdijesohen që përdorimi i parasë ‘cash’ është i rrezikshëm edhe për atë që i pranon edhe ai që paguan, pasi që përballohet me rreziqe të shumta, siç janë para të dyshimta, para false dhe para nga krimi i organizuar”, thotë Abazi.
Ndërkohë, brenda sistemit bankar, sipas raportit të fundit të Bankës Qendrore thuhet se asetet e sektorit bankar në mars të këtij viti kanë shënuar rritje vjetore prej 8.0 për qind, duke arritur në 3.67 miliardë euro.
Rreth dy milionë llogaritet të jetë numri i klientëve në dhjetë bankat komerciale në Kosovë.
Sektori financiar dhe bankar në Kosovë, pothuajse është sektori i vetëm që për çdo vit rezulton me performancë të qëndrueshme dhe stabile.
Aktiviteti i bankave komerciale, si një nga sektorët më profitabil në Kosovë, dominohet nga kreditë, afati i maturimit të të cilave mund të jetë deri në 15 vjet, varësisht nga lloji i kredisë.

Lideri i opozitës ruse, Aleksei Navalny, u lirua nga një qendër paraburgimi në Moskë, pas 25 ditësh nën arrest administrativ.
Lajmi u bë i ditur në mediat sociale nga zëdhënësja e Navalnyt, Kira Yarmysh.
Navalny është kritik i zëshëm i presidentit rus, Vladimir Putin, dhe është arrestuar në ditën kur ka organizuar protesta mbarëkombëtare kundër korrupsionit në Qeverinë ruse.
Navalny ka planifikuar të kandidojë në zgjedhjet presidenciale të Rusisë në vitin 2018, por është ndaluar nga autoritetet zgjedhore.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Moskë ka thënë se Navalny nuk mund të kandidojë pasi është gjetur fajtor për përvetësim dhe mashtrim, në muajin shkurt, dhe është dënuar me kusht.
Navalny ka thënë se rasti kundër tij është i motivuar politikisht.