Udhëzimi i Profetit Muhamed, lavdërimi dhe paqja e Zotit qofshin mbi të, gjatë përshëndetjes

0

Udhëzimi i Profetit Muhamed, lavdërimi dhe paqja e Zotit qofshin mbi të, gjatë përshëndetjes

Mes Pejngamberëve të parë dhe të fundit ka lidhje të përbashkëta dhe tradita që pasohen, të cilat shumica e njerëzve nuk i dinë. Ademi, lavdërimi dhe paqja e Zotit qofshin mbi të, është i pari i cili përdori përshëndetjen islame kur Zoti i tij ia mësoi selamin që u drejtoi engjëjve, kurse Muhamedi, lavdërimi dhe paqja e Zotit qofshin mbi të, e bëri kod të veçantë për umetin e tij, çka e dallon nga popujt e tjerë.

Hebrenjtë e kanë përshëndetur njëri-tjetrin me shenja, ndërsa të krishterët me duar. Muslimanëve ua ka zëvendësuar Allahu përshëndetjen më një të mirë se këto, me fjalët ‘eselamu alejkum ve rahmetullahi ve berekatuhu’, paqja, mëshira dhe begatia e Allahut qofshin mbi ju.

Kjo përshëndetje dallon në fjalët e saj dhe është marrë nga emri i Allahut “Es Selam”, siç ka ardhur në hadithin e saktë. Kjo është e thellë në domethënie sepse përmban kuptimet e mëshirës dhe të dashurisë dhe është madhështore në ndikimin që ka. Ndikimi i saj është i qartë në kultivimin e marrëdhënieve të ngushta dhe zemrave të pastra dhe ky është zëvendësimi më i mirë, krahasuar edhe me përshëndetjet e injorancës. Nuk është çudi pse hebrenjtë na kanë zili, siç është transmetuar edhe nga Aishja, Allahu qoftë i kënaqur me të, se Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Zotit qofshin mbi të, ka thënë: “Nuk ju kanë zili hebrenjtë në diçka më së shumti sesa në selam dhe në amin.” shënon Buhariu në librin:”Edebul mufred”.

Tekstet kur’anore dhe hadithet profetike aludojnë për vlerën e kësaj përshëndetjeje dhe Allahu i Lartësuar e ka sqaruar vlerën e saj si përshëndetje e banorëve të xhenetit. I Lartësuari thotë: “Përshëndetja e tyre do të jetë “selam”.“(Suretu Junus, 10)

Në Sunet është përmendur shpërblimi që lidhet me të. Nga Ebu Hurejra, Allahu qoftë i kënaqur me të, transmetohet se një person kaloi pranë Pejgamberit, lavdërimi dhe paqja e Zotit qofshin mbi të, derisa ai ishte ulur dhe i tha ‘esselamu alejkum’. Profeti i tha atij ‘dhjetë sevape’. Pastaj kaloi një tjetër dhe tha ‘esselamu alejkum ve rahmetullah’ dhe atij i tha ‘njëzet sevape’. Pastaj kaloi i treti dhe tha ‘esselamu alejkum ve rahmetullahi ve berekatuhu’, këtij i tha ‘tridhjetë sevape’. E shënon Ibn Hibani në “Sahihun” e tij.

Gjithashtu Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Zotit qofshin mbi të, e ka sqaruar ndikimin e kësaj përshëndetjeje në forcimin e lidhjes vëllazërore duke thënë:

A nuk dëshironi që t’ju udhëzoj në diçka që nëse e veproni, do të duheni? Përhapeni selamin në mes jush.” shenon Muslimi.

Ai ka sqaruar se kjo përshëndetje është nga shkaqet e hyrjes në xhenet duke thënë:

Adhuroni të Gjithëmëshirshmin, jepni ushqim dhe përhapeni selamin, do të hyni në xhenet në paqe.” Shënon Tirmidhiu.

Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Zotit qofshin mbi të, e ka bërë këtë nga të drejtat vëllazërore duke thënë:

Të drejtat e muslimanit ndaj muslimanit janë gjashtë…” dhe ka përmendur ndër to: “…dhe kur ta takosh, përshëndete me selam”. shënon Muslimi.

Ai e ka ndaluar lënien e selamit dhe e ka konsideruar si dëshmi të koprracisë duke thënë: “Më koprraci i njerëzve është ai që nuk jep selamin.” Shënon Tabaraniu.

Ai gjithashtu e ka bërë shenjë të dobishme dhe kthim të dashurisë duke thënë: “Nuk i lejohet një personi që ta braktisë vëllanë e tij mbi tri net. Takohen dhe shmanget ky dhe shmanget ai, e më i miri prej tyre është ai që fillon me selam.” Mutefek alejhi.

Kur i kthehemi Traditës së Pejgamberit, lavdërimi dhe paqja e Zotit qofshin mbi të, vërejmë se ai ka qenë njeriu që e ka përhapur më së shumti selamin duke mos bërë dallim mes të voglit dhe të madhit, mes shokut dhe të huajit, mes burrit dhe gruas.

Muhamedi, lavdërimi dhe paqja e Zotit qofshin mbi të, kaloi pranë një grupi njerëzish, nuk i njihte dhe nuk e lidhte asgjë me ta, në vendin e quajtur “Erreuhae”, dhe u jep atyre i pari selam. Ngjarjen e transmeton Ebu Davudi. Ai ka treguar për vlerën e selamit kur u pyet se cili është Islami më i mirë, kur tha: “Të japësh ushqim, të përshëndesësh me selam atë që e njeh dhe atë që nuk e njeh.” Mutefek alejhi.

Profeti Muhamed, lavdërimi dhe paqja e Zotit qofshin mbi të, ka kaluar pranë një grupi të rinjsh dhe u ka dhënë selam, siç tregon shërbëtori i tij, Enesi, Allahu qoftë i kënaqur me të. “Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Zotit qofshin mbi të, kaloi pranë një grupi grash u dha selam dhe i këshilloi.” Për këtë ka treguar edhe Esma bint Jezidi, Allahu qoftë i kënaqur me të.

Për mënyrën e përshëndetjes gjatë hyrjes tek familja e tij, sahabi i ndershëm Mukdad ibn Amru, Allahu qoftë i kënaqur me të, tregon se ai jepte selamin me të cilin nuk e zgjonte atë që ishte fjetur dhe e dëgjonte ai që ishte zgjuar.” Shënon Muslimi.

Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Zotit qofshin mbi të, u ka sqaruar shokëve të tij një përmbledhje të normave që lidhen me përshëndetjen, si p.sh. ai që është hipur përshëndet atë që është duke ecur, ai që është duke ecur përshëndet atë që është ulur, grupi i vogël përshëndet grupin e madh, i vogli përshëndet të madhin.

 

Ai na udhëzon në shtimin e selamit duke thënë: “Kur e takon dikush nga ju vëllanë e tij musliman, le t’i japë selam dhe nëse do të ulet, le të ulet. Pastaj, kur të ngrihet, le t’i japë selam, ngase nuk është përshëndetja e parë më e mirë sesa e fundit.” shënon Tirmidhiu, duke i shtuar edhe udhëzimin kur’anor për nxitjen e kthimit të përshëndetjes me më të mirën e saj ose sikur ajo, siç thotë i Lartësuari:

Kur ju përshëndet dikush me respekt, kthejani me një përshëndetje më të mirë ose në të njëjtën mënyrë! Pa dyshim, Allahu llogarit çdo gjë”. ” (Suretu Nisa, 86).

Normat e përmendura më lart kanë të bëjnë vetëm me muslimanët dhe jo me të tjerët, ngase nuk lejohet ta përshëndesësh me përshëndetje islame jobesimtarin, ashtu siç thotë Profeti Muhamed, lavdërimi dhe paqja e Zotit qofshin mbi të: “Mos u jepni të parët hebrenjve dhe të krishterëve selam.” Shënon Muslimi.

Ndalesa këtu ka të bëjë vetëm me fjalën selam për shkak të përmbajtjes së domethënieve të veçanta, që nuk u takojnë jobesimtarëve, por mundet që në vend të kësaj t’i përshëndesësh me një përshëndetje tjetër, me fjalë që janë të mirëpritura, ndërsa kthimi i selamit atyre duhet të jetë ashtu siç na kanë përshëndetur, duke mos shtuar asgjë, ngase kjo është në kundërshtim me domethënien e butësisë dhe urtësisë me politeistin. Me këtë ka të bëjë hadithi i Aishes, Allahu qoftë i kënaqur me të, se hebrenjtë i erdhën Pejgamberit, lavdërimi dhe paqja e Zotit qofshin mbi të, dhe i thanë ‘essamu alejkum’, që ka kuptimin:  ‘të marrtë vdekja’. Aishja ua ktheu me fjalët: “Mbi ju qoftë mallkimi i Allahut dhe hidhërimi i Tij!” Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Zotit qofshin mbi të, i tha: “Oj Aishe, duhet të jesh e butë dhe bëhu e kujdesshme që të mos jesh e dhunshme dhe e vrazhdë.” Pastaj ajo tha: “A nuk e dëgjove se çfarë thanë?” I tha: “A nuk e dëgjove se çfarë u thashë? Ua ktheva atyre, pasi që i Dërguari i Allahut, u mjaftua me kthimin: ‘edhe juve’, duke mos e zgjatur dhe tha se mua më pranohet lutja tek Allahu për ta, kurse nuk u pranohet atyre.” Mutefek alejhi.

Pjesë e udhëzimit të tij, lavdërimi dhe paqja e Zotit qofshin mbi të, ka qenë edhe ajo se kur kalonte pranë një grupi të përzier me muslimanë dhe të tjerë, u jepte selam duke pasur për qëllim me përshëndetjen e tij muslimanët. Usame ibn Zejdi, Allahu qoftë i kënaqur me të, tregon se Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Zotit qofshin mbi të, ka kaluar pranë një mexhlisi të përzier me muslimanë dhe hebrenj dhe u dha selam. E shënon Tirmidhiu.

Ajo që është e njohur nga përshëndetja e Pejgamberit, lavdërimi dhe paqja e Zotit qofshin mbi të, është fjala ‘esselamu alejkum ue rahmetullahi ue berekatuhu’. Kur e kthente, thoshte ‘ue alejkumu sselamu ue rahmetullah’ dhe ngandonjëherë e kthente me fjalët ‘ue alejke rahmetullah’, sikurse thuhet në hadithin e Ebi Dherrit, Allahu qoftë i kënaqur me të, se Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Zotit qofshin mbi të, ia ka kthyer përshëndetjen me fjalët ”ue alejke rahmetullah”. Shënon Muslimi.

Pejgamberi Muhamed, lavdërimi dhe paqja e Zotit qofshin mbi të, e ka urryer që personi që jep selam të thotë “alejke selam”. Xhabir ibn Sulejmi, Allahu qoftë i kënaqur me të, tregon se ai i ka thënë Pejgamberit, lavdërimi dhe paqja e Zotit qofshin mbi të, ‘alejke selam ja Resulullah’, por ai i ka thënë: “Mos thuaj alejke selam sepse alejke selam është përshëndetje për të vdekurin, por thuaj es selamu alejke.” Shënton Ebu Davudi.

Po ashtu ka ardhur ndalesa edhe për pyetjen ose ftesën e dikujt për ushqim para selamit, siç është transmetuar në fjalët e Pejgamberit, lavdërimi dhe paqja e Zotit qofshin mbi të: “Es selamu para pyetjes. Kush fillon i pari me pyetje para selamit, mos iu përgjigjni” Transmeton Ibn Nexhari. Në hadithin tjetër thuhet: “Mos fto askënd për ushqim derisa të të japë selam.” Shënon Tirmidhiu. Gjithashtu janë transmetuar prej Pejgamberit, lavdërimi dhe paqja e Zotit qofshin mbi të, fjalët: “Mos i jepni leje atij që nuk ka filluar me selam”.

Ka qenë pjesë e udhëzimit të tij, lavdërimi dhe paqja e Zotit qofshin mbi të, që kur dikush i ka përcjellë selamin nga dikush tjetër, ia ka kthyer përcjellësit dhe atij që ia ka dërguar selamin, sikurse ka ardhur në “Sunenin e Ebu Davudit”, se një person i ka thënë atij alejhi salatu ue selam: “Babai im të dërgon selam”, kështu që i ka thënë: “Alejke ve ala ebike selam”, d.m.th. ‘Selami qoftë për ty dhe për babanë tënd’.

Kthimin e selamit Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Zotit qofshin mbi të, e ka bërë obligim dhe e një të drejtë nga të drejtat vëllazërore islame, pasi ka thënë: “Të drejtat e muslimanit ndaj muslimanit janë pesë, e nga to është kthimi i selamit”. Mutefik alejhi.

Këtu përjashtohet koha e namazit, gjatë të cilit Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Zotit qofshin mbi të, ka bërë me dorë dhe nuk e ka kthyer selamin për shkak të ndalimit të të folurit në namaz, sikurse ka ardhur në hadithin e saktë: “Vërtet në namaz ka angazhim.” Mutefek alejhi.

Në hadithin e Abdullah ibn Omerit, Allahu qoftë i kënaqur me të, thuhet se Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Zotit qofshin mbi të, ka dalë në Kuba që të falej dhe i kanë ardhur ensarët dhe i kanë dhënë selam kur ishte duke u falur. Ai ua ktheu atyre kështu duke e ngritur dorën”. Shënon Ebu Davudi.

Xhabiri, Allahu qoftë i kënaqur me të, transmetohet se ka thënë: “Më dërgoi Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Zotit qofshin mbi të, për një nevojë, pastaj e takova atë duke u falur, i dhashë selam dhe ma bëri me shenjë. Kur mbaroi, më thirri dhe më tha: “Vërtet ti më dhe selam pak më parë, por unë isha duke u falur.” Shënon Nesaiu.

Ajo që kuptohet këtu është se Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Zotit qofshin mbi të, e ka lënë selamin ose kthimin e tij në disa situata ose ndaj disa njerëzve, ngase ai, lavdërimi dhe paqja e Zotit qofshin mbi të, e ka urryer që ta kthejë selamin kur nuk ka qenë i pastër ose kur ka qenë duke kryer nevojën. Në hadithin e Ibn Omerit, Allahu qoftë i kënaqur me ta, thuhet: “Kaloi një person pranë Pejgamberit, lavdërimi dhe paqja e Zotit qofshin mbi të, dhe ai ishte pa abdes. I dha selam dhe nuk ia ktheu atij selamin.” Shënon Nesaiu. Ndërsa në transmetimin e Ebu Davudit thuhet: “I kërkoi atij falje, pastaj i tha: “Unë e urrej që ta përmend Allahun kur nuk jam i pastër.” Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Zotit qofshin mbi të, e ka lënë kthimin e selamit ndaj disa mëkatarëve, që t’u bëjë me dije mëkatin e tyre, siç bëri me Ka’ab ibn Malikun, Allahu qoftë i kënaqur me të, dhe të tjerët nga ata që u tërhoqën prej luftës së Tebukut dhe me personin i cili mori unazën nga hekuri, siç e transmeton Buhariu në “Edebul mufred”.

Këta janë disa shembuj nga udhëzimi i ndritshëm i Pejgamberit, lavdërimi dhe paqja e Zotit qofshin mbi të, shembuj nga morali i tij, rruga dhe sunneti i tij. Kush kapet për to, do të jetë I lumtur me gjurmët e tij dhe do të shpërblehet për to, kurse ai që i lë mënjanë do të privohet nga mirësia e madhe. I privuar është ai të cilin e privon Allahu nga mëshira e Tij.

 

Përktheu

Driton Zhinipotoku

 Dijaonline.net 

Share.

About Author

Leave A Reply

Visit Us On TwitterVisit Us On FacebookVisit Us On YoutubeCheck Our Feed
themekiller.com