Nishani: Dita e dhënies së “statusit të vendit kandidat” ditë gëzimi për Shqipërinë tonë

0

Ditë të gëzueshme për Shqipërinë e ka cilësuar presidenti i Republikës Bujar Nishani marrjen e statusit kandidat për në BE. Në një mesazh të publikuar në faqen e tij në “Facebook” Nishani u shpreh mirënjohje vendeve që mbështetën përpjekjet e Shqipërisë për marrjen e statusit.
“Ditë gëzimi për Shqipërinë tonë! Mirënjohje të gjithë shqiptarëve, që besuan dhe punuan me vendosmëri për ëndrrën evropiane. Mirënjohje për vendet mike, që pa mëdyshje, unanimisht mbështetën përpjekjen disavjeçare për marrjen e merituar të statusit si vend kandidat i BE-së. Besimplotë se vendimi i sotëm do të jetë në rezonancë të plotë me vullnetin e Këshillit Evropian,” shkruan Nishani në “Facebook”.

“Këshilli i Ministrave të Jashtëm të BE ka rekomanduar sot statusin e vendit kandidat për Shqipërinë, një lajm shumë i mirë, çka praktikisht ka hequr çdo pengesë për vulosjen përfundimtare nga shefat e tyre, krerët e qeverive dhe vendeve në mbledhjen e së enjtes,” kështu ka deklaruar kryetari i Bashkisë së Tiranës, njëherësh dhe kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, duke përshëndetur vendimin e sotëm.

Sipas Bashës, një meritë e veçantë i shkon ambasadorëve të vendeve anëtare të Bashkimit Europian, ndërsa ka shtuar se: “Është fillimi i një rrugëtimi tjetër. Një stacion i rëndësishëm po përmbyllet më së fundmi por një stacion tjetër na pret, hapja e bisedimeve, përfundimi me sukses i të cilave çon drejt anëtarësimit të plotë të vendit në BE. Dita e sotme është një ditë fitoreje për europianistët, që përbëjnë shumicën dërrmuese të qytetarëve të Tiranës dhe qytetarëve të gjithë Shqipërisë,” deklaroj Basha. Më tej kreu i bashkisë, Basha theksoi se tani pritet më shumë nga politikbërësit dhe vendimmarrësit, pasi kanë në dorë fatin e tyre.

Edhe Avokati i Popullit Igli Totozani përshëndeti vendimin e ministrave të jashtëm të vendeve anëtare të BE-së të marrë sot në Luksemburg përpara mbledhjes së Komisio nit Europian për vendimin pro mbi çështjen e statusit të vendit kandidat për Shqipërinë.

Totozani e konsideron këtë vendim një dëshmi të qartë të përkrahjes që BE i jep qytetarëve shqiptarë, në përpjekjet për evropianizimin e shoqërisë shqiptare dhe institucioneve të saj.

“Ky vendim është njëherazi një apel evropian për përgjegjësi përballë sfidave jo të pakta të shoqërisë shqiptare, përfshirë raportin mes qytetarëve dhe institucioneve të shtetit si dhe në fushën e të drejtave të njeriut”, u shpreh Totozani. 

Share.

About Author

Leave A Reply

Visit Us On TwitterVisit Us On FacebookVisit Us On YoutubeCheck Our Feed
themekiller.com