Me çfarë mbuloheshin vajzat dhe gratë në atë kohë kur nuk kishte rroba?

0
  1. Pyetja:

Thuhet se mbulesa lindi me Islamin (Islamin e Ademit a.s.), por ne e dimë se në atë kohë nuk kishte rroba që njerëzit të mbuloheshin. Atëherë me çfarë mbuloheshin vajzat dhe gratë në atë kohë si zëvendësim i rrobave?

 

Përgjigjja:

Falënderimet i takojnë Allahut, paqja dhe bekimet e Tij qofshin mbi të Dërguarin e Tij Muhamed, mbi familjen e tij, mbi shokët e tij dhe mbi të gjithë ata që ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.

Fillimisht ju falënderojmë që keni zgjedhur faqen dijaonline.com për të marrë përgjigjen rreth pyetjes suaj. Lus Allahun të jemi të saktë në përgjigjet tona.

Kur thuhet mbulesa lindi me Islamin ose me njeriun e parë është për qëllim mbulesa në raport me turpin. Është më se e ditur se Ademi dhe Havaja ishin njerëzit e parë në rruzullin tokësor dhe ata nuk kishin rroba, por Allahu kishte bërë që pjesët e turpshme të mos u zbuloheshin derisa hëngrën nga pema e ndaluar, e cila shkaktoi zbulimin dhe ata, siç e përshkruan Kur’ani, menjëherë tentuan të mbulojnë pjesët e trupit së paku me ca gjethe që kishin përreth.

Ja se si e përshkruan Kur’ani këtë ngjarje:

فَوَسْوَسَ إِلَيْهِ الشَّيْطَانُ قَالَ يَا آدَمُ هَلْ أَدُلُّكَ عَلَى شَجَرَةِ الْخُلْدِ وَمُلْكٍ لَا يَبْلَى فَأَكَلَا مِنْهَا فَبَدَتْ لَهُمَا سَوْآتُهُمَا وَطَفِقَا يَخْصِفَانِ عَلَيْهِمَا مِنْ وَرَقِ الْجَنَّةِ وَعَصَى آدَمُ رَبَّهُ فَغَوَى ثُمَّ اجْتَبَاهُ رَبُّهُ فَتَابَ عَلَيْهِ وَهَدَى

 

“Por, atë e ngacmoi djalli duke i thënë: “O Adem, a do të të tregoj për pemën e pavdekshmërisë dhe të sundimit të pazhdukshëm?” Ata të dy hëngrën nga ajo (pemë) dhe që të dy u zhveshën, e ia nisën ta mbulojnë veten e tyre me gjethe që i mblidhnin nëpër xhenet, dhe kështu Ademi theu urdhrin e Zotit të vet dhe gaboi.” (TaHa: 120)

 

Veshja e rrobave është prej mirësisë së Allahut ndaj nesh. Allahu i Lartmadhëruar thotë:

يَا بَنِي آدَمَ قَدْ أَنْزَلْنَا عَلَيْكُمْ لِبَاسًا يُوَارِي سَوْآتِكُمْ وَرِيشًا  وَلِبَاسُ التَّقْوَى ذَلِكَ خَيْرٌ ذَلِكَ مِنْ آيَاتِ اللَّهِ لَعَلَّهُمْ يَذَّكَّرُونَ

“O bijtë e Ademit, Ne krijuam për ju petk që ju mbulon vendturpësinë dhe petk zbukurues. Por petku i devotshmërisë, ai është më i miri. Këto janë nga argumentet e Allahut, ashtu që ata të përkujtojnë.” (A’raf: 26)

 

Ndërsa sa i përket mbulesës islame në kuptimin e legjislacionit islam, ajo ndryshon nga veshja që ka pasur nëna e njerëzimit, Havaja, ngaqë, siç e theksuat, në atë kohë nuk ka pasur rroba sikurse ato të sotmet dhe duhet ditur se mbulesa fetare për Havanë nuk ka qenë e domosdoshme meqë ajo ishte nëna e njerëzimit dhe nuk kishte në rruzullin tokësor njerëz të huaj përveç bijve dhe bijave të saj. Në këtë situatë edhe me legjislacionin islam nuk kërkohet mbulesa e plotë islame, por vetëm ajo veshje që është e zakontë në mesin e familjarëve të ngushtë. E sa i përket se me çfarë janë mbuluar, sigurisht se kjo është zhvilluar me kalimin e kohës, por nga ajo që është e njohur më parë është se kanë përdorur lëkurët e kafshëve dhe elemente të tjera primitive.

Me kohë, me shtimin e njerëzve, është paraqitur nevoja që vajzat të mbulohen nga djemtë e huaj për ta ruajtur nderin e tyre.

Mbulesa është e njohur edhe tek popujt e lashtë, sidomos ata popuj që kanë ngritur civilizime, si babilonasit, faraonët, bizantinët e sidomos familjet mbretërore, edhe pse jo në mënyrën si e kërkon Islami, por një veshje më solemne sesa veshja e rëndomtë. Pra, zhveshja asnjëherë nuk ka qenë simbol i civilizimit dhe kulturës ndër popuj.

Kjo është kurorëzuar me mbulesën islame në legjislacionin që i është shpallur të Dërguarit të Allahut, lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qoftë me të, ku femra duhet të ketë të mbuluar kokën dhe tërë trupin.

Këtë e dëshmon fjala e Allahut, ku thotë:

 

يَا أَيُّهَا النَّبِيُّ قُلْ لِأَزْوَاجِكَ وَبَنَاتِكَ وَنِسَاءِ الْمُؤْمِنِينَ يُدْنِينَ عَلَيْهِنَّ مِنْ جَلَابِيبِهِنَّ ذَلِكَ أَدْنَى أَنْ يُعْرَفْنَ فَلَا يُؤْذَيْنَ وَكَانَ اللَّهُ غَفُورًا رَحِيمًا

“O ti Pejgamber, thuaju grave të tua, bijave të tua dhe grave të besimtarëve le t’i vënë shamitë (mbulojë) e veta mbi trupin e tyre, pse kjo është më afër që ato të njihen (se nuk janë rrugaçe) e të mos ofendohen. Allahu fal gabimet e kaluara, Ai është mëshirues.” (Ahzab: 59)

Hoxhë Llukman Hoxha

Dijaonline.net 

Share.

About Author

Leave A Reply

Visit Us On TwitterVisit Us On FacebookVisit Us On YoutubeCheck Our Feed
themekiller.com