Lidhur me rastin e infeksionit të të porsalindurve në spital, në Bijelo Polje, epilogu i së cilit është një fëmijë i vdekur, Bordi i Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale të Kuvendit të Malit të Zi miratoi njëzëri vendimin që të merret në seancë informuese, Ministri i Shëndetësisë, Miodrag Radunoviç. Përveç tij, para deputetëve malazez, do të merren në pyetje edhe drejtori i Institutit të Shëndet Publik, si dhe drejtori i spitalit në Bijelo Polje.
Kujtojmë se për shkak të infeksionit të foshnjëve në spitalin e Bijelo Poljes, javën e kaluar pesë foshnje janë dërguar në Qendrën Klinike në Podgorice. Një foshnje vdiq, një tjetër është në gjendje të rëndë dhe tre foshnjat e tjera janë jashtë rrezikut për jetën.
Të gjitha partitë e Parlamentit të Malit të Zi njëzëri kanë mbështetur seancën dëgjimore ndaj ministrit të Shëndetësisë, Miodrag Radunoviç, nga i cili deputetët e Kuvendit të Malit të Zi kërkojnë përgjigje të detajuara dhe shpjegime lidhur me fatkeqësinë e javës së kaluar në spitalin në Bijelo Polje, ku pesë foshnje janë infektuar, për shkak, siç është njoftuar, kushteve johigjienike.
Me rastin e ngjarjes tragjike në spitalin në Bijelo Polje, dje në Podgoricë u mbajt marsh protestues. Lidhja e Grave të Lëvizjes për Ndryshime dhe Organizata jo-qeveritare “Rrethi i Jetës”, organizatorët e këtij tubimi, kërkuan nga ministri i Shëndetësisë që të jap dorëheqje dhe kërkuan që inspektimi sanitar të kryhet në të gjitha maternitetet në mbarë Malin e Zi.