Korporatizmi – Rudian Zekthi

0

1.Korporatat u shfaqën në Mesjetën e mesme në Europë, si organizime qytetare për të rregulluar dhe garantuar punën dhe statusin e profesioneve në kushtet e zgjerimit të mjeshtërive për çdo profesion (ndërkohë që në fshat nuk mund të kishte më shumë se një farkëtar, një këpucar, një zdrukthëtar). Karakteristikat kryesore të korporatave mesjetare ishin: – vetorganizimi apo autonomia, pra ato ia caktonin vetë rregullat vetvetes; – garantizmi, pra si organizim kolektiv ato garantonin standardet për cilësinë apo vlerën e produktit të secilit prej anëtarëve; – ndërmjetësimi, pra ato merrnin përsipër kontaktet dhe ndërveprimin me autoritetet qeverisëse dhe publikun.

2.Të tilla korporata shënojnë një moment shumë të rëndësishëm: si organizata të mbështetura te profesionet, ato përfaqësojnë momentin e parë legjitimues të pranisë së sekulares në jetën publike të shoqërisë mesjetare. Sekularizëm, i cili për herë të parë legjitimon një organizatë, e cila në origjinë të saj ka premisën e barazisë fillestare mes anëtarëve të saj.

3.Si organizata qytetare, korporatat përfshinin brenda tyre vetëm një pjesë të popullatës (fisnikëria, kleri, administratorët, punëtorët sezonalë nuk ishin të brendashkruar korporatave). Po ashtu, shprehje e kësaj shtrirjeje të kufizuar të organizimit korporativ, është fakti se ekzistonin në të njëjtën kohë edhe skema të tjera organizative si vasalizmi apo famullia. Në këtë mënyrë shoqëria tradicionale europiane funksionoi si një realitet historik, ku individi nuk mund të përfytyrohej as të ekzistonte jashtë një serie organizatash a grupesh, shpesh të mbivendosur me njëri–tjetrin.

4.Ne duam të tregojmë në vazhdim se korporata është një shpikje e jashtëzakonshme, sepse zgjerimi i tregut dhe kontaktit me publikun nga ana e profesioneve e bën të pamundshme mosshpikjen e korporatave. Pas këtij zgjerimi, kolegët e të njëjtit profesion janë pashmangshmërisht brenda një skeme korporatiste dhe, për pasojë, emancipim për ta do të thotë ta avancojnë vetëdijen e këtij organizimi, sikundër që degradimi s’është tjetër, përveçse bjerrja e kësaj vetëdije, bjerrje që nënkupton që, duke qenë pjesë e një korporate ta mohosh këtë, me ose pa dashje (Po ashtu, ne duam të tregojmë se si modifikimet që ka pësuar korporata si institucion në rrjedhën e shekujve, janë kushtëzuar nga ndryshimi paraprak i konceptimit të përgjithshëm të gjërave në shoqëri.) Do ta bëjmë këtë duke treguar tensionet dhe zvargiet që kanë pësuar historikisht dy elementet kryesore të korporatizmit: Ndërmjetësimi dhe garantizmi.

5.Fillojmë si fillim me garantizmin. Kushtëzimi ontologjik i individit nga bashkësia në shoqërinë tradicionale ka shërbyer në kushtet e mungesës së konkurrencës (të cilën vetë korporatat e asgjësonin) dhe mungesës së kontrollit nga një qeverisje e centralizuar, – ka shërbyer pra si kusht i mjaftueshëm për garantizmin si një nga funksionet bazë të korporatave: cilësia dhe vlera e produktit të punës së korporatave garantohej nga secili pjesëtar si detyrim ndaj vetë arsyes së tij të të qenit.

6.Rënia e shoqërisë tradicionale dhe zëvendësimi i saj nga shoqëria moderne, ndër të tjera, u shkaktua edhe nga bindja e ndërtuar me këmbëngulje prej iluminizmit, se e keqja më e madhe e shoqërisë tradicionale ishte pikërisht dominimi i individëve nga bashkësia, dominim i cili nuk e lejonte individin të ishte identik me veten, pra nuk e lejonte të emancipohej. Në këtë kuptim, ardhja e modernes do të duhej të sillte fundin e korporatave. Mirëpo, në të vërtetë, përtej projektit modern për të bërë të mundshëm individin racional, të vetëmjaftueshëm, kulminacioni i të cilit i tejkalon kufijtë e imponuar nga secili grup ku detyrohet të bëjë pjesë, shoqëria moderne ia arriti nëpërmjet sekularizmit të zhdukte famullinë si shoqatë fetare apo nëpërmjet leviatanizmit të qeverisjes të zhdukte vasalizmin si shoqatë politike, por nuk ia arriti dot të zhdukte korporatat.

7.Në shoqërinë moderne, korporatat ia arritën të mbijetojnë paradoksalisht pikërisht si pasojë e zanafillës së tyre mesjetare si organizata profesionesh. Sepse duke qenë se modernia, ndër të tjera u shoqërua me një revolucion pothuaj të pandërprerë teknologjik, për pasojë me rritje të paimagjinueshme më parë të fuqisë prodhuese dhe po ashtu rritje të konsumit, vijueshëm u rrit nevoja për një numër në rritje punonjësish, në çdo sektor të ekonomisë. Kjo solli që profesioni të ishte përkatësia më e fortë e individit brenda lëvozhgës së madhe të përkatësisë te shteti–komb.

8.Vetëm se korporata moderne pësoi modifikime të pashmangshme. Modifikimi kryesor kur ajo u shndërrua në sindikatë gjatë modernes së mesme, konsistonte në faktin që tek ajo u mbitheksua funksioni ndërmjetësues dhe u zbeh funksioni garantues i vlerës së punës. Të mos harrojmë se ky funksion në korporatën tradicionale bëhej i mundshëm nga konceptimi i përgjithshëm organicist i shoqërisë, që e obligonte çdo individ ta konsideronte detyrë personale mbarëvajtjen e të tërës. Në modernen e industrializuar, duke qenë punonjësi i tëhuajsuar nga puna e vet, garantizmin e vlerës së punës e merr përsipër shteti me ligjet dhe agjencitë e veta, të përsosura si aparate kontrolli. Modifikimi, i cili u ruajt edhe në modernen e vonë, kur korporata u shndërrua në shoqatë apo grup interesi, i çinteresuar pothuaj për çdo gjë tjetër, përveç shtimit të kapacitetit të vet për të ushtruar presion për llogari të anëtarëve të saj.

9.Madje, ky modifikim bën të mundshme tezën se në shoqëri gjithçka është korporatë dhe se nuk ekziston asgjë dhe askush jashtë korporatave. Kjo tezë nënkupton pra një rritje të rëndësisë së organizatave korporatiste në shoqëri, jo një zvogëlim të tyre (aq më tepër zhdukje të tyre, siç pretendonte Iluminizmi). Dhe, duke qenë korporata që në origjinë organizatë sekulariste, kjo shpjegon se si profesionet janë shndërruar në mekanizma dominues të garantimit të statusit për individët e modernes së vonë dhe postmodernes.

10.Ky ekspansion i korporatizmit në të gjithë hapësirën e shoqërisë, që nga fundi i shekullit XIX , shkakton një reaksion të fortë në mënyrën se si funksionon shoqëria në tërësi dhe se si konceptohet ajo. Duke qenë se në shoqërinë tradicionale shtrirja e korporatave, siç thamë, ishte e kufizuar, prania e tyre nuk e cenonte konceptimin vertikal të shoqërisë, ku në krye rrinin fisnikët (luftëtarët) dhe klerikët që përbënin atë, që me termat e sotëm quhet elita e shoqërisë. Kurse shumëfishimi i korporatave deri aq sa shoqëria nuk ka ku të shtyhet më më tej, nënkupton një konceptim horizontal të strukturës së shoqërisë, si një mozaik ku çdo gur është njësoj i rëndësishëm me të tjerët.

11.Ky reaksion në fushën e studimeve për shoqërinë ka reflektuar si diferencë midis shkollës europiane që e relativizon korporatizmin dhe këmbëngul për një konceptim hierarkik të grupeve shoqërore, të ndara në elita dhe joelita, dhe shkollës amerikane që këmbëngul në konceptin e një shoqërie korporatiste–egalitiste, duke relativizuar kundërvënien elitë/ joelitë. Kjo divergjencë e dy shkollave të studimit për shoqërinë i vendos në një tension të ri konceptet e vjetra për elitat, deri në atë pikë sa bëhet i pashmangshëm një rindërtim i tyre. Sepse me siguri, edhe pse postiluministe, gjithsesi sërish e sekularizuar, shoqëria e sotme është thelbësisht e korporatizuar. Por kjo nuk do të thotë se në një shoqëri të tillë nuk ka më vend për elitat, vetëm se këto elita duhet të pranojnë më në fund se edhe ato vetë funksionojnë si korporata. Formatimi i elitave si korporata më në fund nuk është më çështje dëshire (as vetëm shenjë degradimi), por është çështje fakti, është e vetmja gjë që po ndodh pandërprerë dhe pakthyeshëm.

12.Edhe elitat politike, edhe elitat kulturore, edhe elitat akademike përfundimisht funksionojnë si korporata, ajo që mbetet është se ato duhet ta pranojnë këtë. Për ta kuptuar këtë refuzim për t’u pajtuar me të vërtetën e gjendjes së tyre nga elitat e sotme, do tregojmë më poshtë çka ndodhur me elitat akademike. Që me themelimin e universiteteve të para në Europë (në Bolonjë, në Paris, në Londër, në Pragë) në shekujt XII–XIII, edhe profesorët e universiteteve u organizuan në korporata, në funksion të nevojave që përmbusheshin nga çfarëdolloj korporate për çdo lloj profesioni: ndërmjetësimin dhe garancinë e vlerës së punës (jo më kot fillesa e autonomisë universitare shënohet nga garancia që dha Frederik Barbarosa për mospërndjekje të profesorëve të Universitetit të Bolonjës, çfarëdo që të shpallnin ata si të vërtetë në përputhje me kompetencën e tyre). Kjo garanci duhet kuptuar brenda kohës së vet: profesorët garantonin cilësinë e punës së tyre, njësoj si të gjithë profesionet e tjerë korporatiste. Njohja e kësaj garancie për profesorët e universitetit nuk e ngrinte prestigjin e tyre mbi atë të profesioneve të tjera, por u garantonte atyre të njëjtat favore.

13. Ajo që ndodhi në epokën moderne me lindjen e shtetit–komb është tashmë e njohur: shtresa e akademikëve u bë ortake me klasën qeverisëse në ndërmarrjen e mbarëvajtjes së shtetit. Klasa qeverisëseelitë politike e kombit nuk mund të kishte më një legjitimim hyjnor si monarkia, ndaj e kërkoi dhe e realizoi legjitimimin tek akademikët – profesorët e universiteteve, të cilët ishin zotëruesit e të vetmes dije, pra dijes njerëzore, e cila atëbotë gëzonte epërsi mbi dijen fetare, si pasojë e ekzaltimit nga fuqia e shtuar e individëve, fryt i zhvillimit teknologjik. Kjo do të thotë se akademikët në këtë periudhë nuk u përfshinë në asnjë korporatë, sepse nuk kishin nevojë as për ndërmjetësim (ngaqë ishin të njësuar me pushtetin) dhe as për garantizëm të vlerës së punës së tyre, sepse atë po ashtu e përmbushte shteti me agjencitë e veta. Ironikisht, kjo shmangie e përkohshme e korporatizmit prej akademikëve u ndërtua si shprehje e epërsisë intelektuale të tyre, e vetëmjaftueshmërisë racionale të tyre, e emancipimit paraprirës të tyre (duke qenë se, pavarësisht mbikëqyrjes së agjencive shtetërore, garantizmi gjithsesi përmbyllej nga detyrimi ndaj kultit pozitivist të shkencës si veprimtaria më e lartë e njerëzve racionalë).

14.Mirëpo në mos delegjitimimi, lejimi i shtetit– komb të cilin e dëshmojmë sot (në të sotmen, sido ta quajmë moderne e vonë apo postmoderne, shoqëruar edhe me rritjen butaforike të numrit të universiteteve dhe akademive) e shkëputi akademizmin nga ortakëria me pushtetin, nga e vetmja barrierë që e ndante (e ndau përkohësisht) nga organizimi korporativ.

15.Pikërisht në këtë moment jemi para sekretit opak të akademizmit, të cilin duam ta bëjmë të tejdukshëm. Në këtë moment, më qartë i shpjegueshëm në perspektivën postmoderne, masa e akademikëve kishte dy rrugë: ose të pranonte çfarë ne e përshkruam, pra që qenë shkëputur nga nevoja për të bërë korporatë, jo si qenie të vetëmjaftueshme, por si legjitimues të pushtetit; ose të vazhdonin të iludoheshin në mitin modernist të intelektualit si qenie tërësisht racionale, i tillë që nuk e ndien për asnjë arsye nevojën për korporatizmin.

16.Për fat të keq, regjimenti akademik zgjodhi në masë iluzionin e ushqyer nga inercia gjithmonë e më e zbehtë dhe e palëndët e iluminizmit, brenda platitjes së përgjithshme të modernes; Gjë që mund të dëshmohet me sy të lirë, nga një njohje e çfarëdoshme e gjendjes në universitetet shqiptare, stafet e të cilëve, me pak përjashtime të çmuara, refuzojnë të pranojnë gjendjen korporative ku mbijetojnë, duke u fshehur pas pretendimeve të pavlera për inteligjibilitet të posaçëm dhe kontribute shkencore të verifikueshme. Cilat qenë pasojat e padëshirueshme të këtij iluzioni (në origjinë të të cilit qëndron refuzimi iluminist i korporatizmit)?

17.Duke qenë pjesë e institucioneve mësimdhënëse e, për pasojë, duke pasur një produkt të përbashkët (studentët), një mjeshtëri të përbashkët dhe një përditshmëri të përbashkët, do të duhej të pranonin natyrën korporatiste të profesionit të tyre. Aq më tepër që u duhet ta ndërmjetësojnë statusin e tyre te pushteti (pjesë e të cilit nuk janë më) dhe te publiku, dhe po ashtu të garantojnë vlerën e punës së tyre sipas standardesh të detyrueshme. Ndërmjetësimin dhe garantizmin, në mos nuk duan t’i përmbushin korporativisht, duhet gjithsesi t’i përmbushin, secili më vete – individualisht, mbështetur vetëm te fuqia konceptuale vetjake. Por për paradoks kjo fuqi konceptuale në këtë situatë të jep vetëm një mundësi: të pranosh rëndësinë dhe vlerën shpirtërore të mësimdhënies, për pasojë rëndësinë e pjesëmarrjes në të njëjtin institucion dhe të njëjtën mjeshtëri me të tjerët, për pasojë të pranosh pashmangshmërinë e të qenit i përfshirë në korporatë (shih paragrafin 24).

18.E, nëse s’ndodh kjo (në fakt ende s’ka ndodhur, ende s’po ndodh), atëherë pas rishfaqjes së paradoksit kemi rishfaqjen e ironisë: fuqinë e tyre individuale racionale pjesëtarët e rendit akademik shqiptar kërkojnë ta dëshmojnë në mënyrë irracionale. Pra, përmes refuzimit të ofertës korporatiste atyre u lejohet ta konsiderojnë si jothelbësore për ta pjesëmarrjen në mësimdhënien universitare. Gjë që do të duhej të reflektonte si përgënjeshtrim i vlerës së punës së tyre, vlerë që në epokën moderne kontrollohej siç thamë nga shteti, por shteti në kushtet e postmodernes është i detyruar ta braktisë funksionin garantist ndaj produktit të universiteteve, në kushtet kur universitetet, më shumë se dije, japin statuse (Braktisje që nuk mund të fshihet pas arrestimeve rituale të profesorëve, arrestime që ndodhin ose për inerci, ose për qoka).

19.Kur garantizmi korporatist nuk vjen as si imperativ i një konceptimi holist të shoqërisë si në Mesjetë, as si detyrim totalist i shtetit modern, rruga e vetme për ta realizuar garantizmin e punës akademike është të pranohet organizimi korporatist i elitave, gjë që kërkon një rivlerësim të statusit të elitave: jo më si shtresa më e epërme e shoqërisë, por si prani katalitike në funksion të njerëzve të mëdhenj, por për këtë argument do flasim herë tjetër.)

20.Atëherë, në kushtet e mosdetyrimit për garantizëm, statusi i tyre i mbërritur përmes fitoreve (edhe pse të dyshimta) të iluminizmit, status si individë racionalë me vlerë të garantuar, përtej çfarëdo korpi social, realizohet pikërisht kështu si status individësh përtej çdo korpi social, por me një ndryshim kolosal, nëse arrin gjithashtu ta pikasësh: përtej çdo korpi social vërtet, por jo si individë racionalë, por si individë iracionalë. Duke e marrë të mirëqenë refuzimin e korporatizmit dhe zhvlerësimin e mësimdhënies, ata i transferojnë favoret e angazhimit akademik jashtë jetës akademike, për të dhënë gjithashtu prova si individë me bravurë unike, duke iu dhënë artit të shijimit të jetës, ashtu siç nuk e kishin ëndërruar asnjëherë se do të ishte e mundshme për to.

21.Si bëhet e mundshme kjo? Ngaqë, edhe pse nuk e dinë apo nuk e pranojnë, ato funksionojnë realisht si korporatë, duke qenë se dy nevoja thelbësore, sigurinë (përmes ndërmjetësimit) dhe kompetencën (përmes garantizmit) i përmbushin kolektivisht – përmes korporatës së kolegëve. Kjo korporatë, siç thamë, e realizon ndërmjetësimin (te pushteti dhe te publiku) nëpërmjet reminishencave iluministe dhe garantizmin nëpërmjet neglizhimit nga shteti–komb dhe zbrazjes së konkurrencës, në kushtet kur kërkesa (ndaj ofertës akademike) është përmbytëse. Dhe, kur gjithë publiku e di se bëhet fjalë për një korporatë, përveç atyre që janë pjesë e korporatës, dy vese janë të pashmangshme për pjesëtarët e korporatës: secili prej tyre favoret që i gëzon kolektivisht, i konsideron si shpërblim për dhuntinë vetjake (nuk është dhuntia që garanton favorin, por favori që garanton dhuntinë); secili prej tyre e ndien veten të çliruar nga përgjegjësia ndaj publikut.

22.Në rrethet akademike shqiptare (megjithëse këto dukuri janë tashmë tendencë globale por jo kaq akute sa në Shqipëri) shumica e punonjësve (profesorëve) universitarë janë të përfshirë nga këto vese të këmbënguljes për ta refuzuar korporatizmin. Madje, familjarizimi me këtë pavetëdije për gjendjen faktike korporatiste sjell efekte estetike të një dekadentizmi të stërholluar: shumica e vënë përfund nga veset e përshkruara më lart ka nevojë për ata pak kolegë që i kanë rezistuar zvetënimit, nevojë e shprehur si nostalgji për një pafajësi utopike (p.sh. si për fëmijërinë e humbur); kurse pakica ka nevojë për këtë shumicë si joshje e parrezikshme për virtytin e tyre, shoqëruar me një vuajtje mikluese e, për pasojë, shpërblyese.

23.Të kihet parasysh se këtu nuk po flasim për vese si mitmarrja dhe arbitrariteti brutal, që e bëjnë të ngjashëm akademizmin me malavitën, sepse në këtë rast nuk bëhet fjalë më për estetikë dekadente, por për dekadencë etike.

24.Këtë do të duhet të bëjnë punonjësit universitarë: të pranojnë të qenët e tyre brenda një korporate, e së bashku me to detyrimet e përpjekjes së gjithsecilit për dy funksionet bazë të korporatës: ndërmjetësimin dhe garantizmin. Ky është imperativi; se si mund të përmbushet këtu akoma s’është thënë, se si pra mund të pajtohen korporatizmi me elitizmin. Megjithatë, shtegu mund të sinjalizohet, duke pasur parasysh që garantizmi nga detyrimi tradicionalist ndaj bashkësisë, përmes detyrimit modernist për dijen pozitiviste ka kaluar te detyrimi postmodernist ndaj performancës si shprehje më e lartë e individualitetit: mësimdhënia është qëllimi, shkenca është mjeti, në qoftë se produkti shkencor nuk arrin ta ekzaltojë mësimdhënien, atëherë është e pavlerë mësimdhënia, e rreme shkenca. 

Share.

About Author

Leave A Reply

Visit Us On TwitterVisit Us On FacebookVisit Us On YoutubeCheck Our Feed
themekiller.com