Gjeneral Çollaku: Jahjaga duhet të njohë kontributin e luftës së UÇK-së

0

Gjeneral Esat Çollaku, i cili shërben në ushtrinë kroate, pjesëmarrës në luftën e Kosovës, shprehet i zhgënjyer me institucionet e Kosovës për mos miratimin e ligjit për rregullimin e statusit të veteranëve të luftës së UÇK-së.
Ai thotë se shteti i Kosovës u vonua në miratimin e këtij ligji, çka ka bërë që deri me tani shumë ish bashkëluftëtarë të tij të luftës të bëjnë edhe vetëvrasje si pasoj e papunësisë dhe varfërisë së madhe.
Çollaku thotë se Kroacia, çështjen e veteranëve dhe vullnetarëve që kanë marr pjesë në luftën kroate, e ka zgjidhur duke e bërë ligjin qysh në vitin 1994, kur Kroacia kishte ende 30 për qind të territorit nën pushtimin jugosllav.
Ai kritikon edhe presidenten e Kosovës Atifete Jahjaga, e cila nuk përmend veteranët dhe luftën e UÇK-së, si rasti i fundit në SHBA, e po ashtu edhe për mos dekorimin e veteranëve të luftës së UÇK-së.

“Më vjen keq që duhet të shprehem kështu. Janë vonuar shumë, sepse nga varfëria dhe skamja shumë bashkëluftëtarë tanë në UÇK edhe kanë bërë vetëvrasje. Në Kroaci quhet sindromi i Vietnamit, ajo është manifestuar edhe në Kosovë. Shohim çdo ditë, jemi dëshmitarë ku ish bashkëluftëtarët tanë jetojnë në skamje të madhe familjare dhe ky ligj duhet sa më shpejt në Kuvendin e Kosovës të votohet, sepse 16 vjet pas luftës është një kohë shumë e gjatë”, thotë Çollaku, në një intervistë për Kosovapress.
Gjenerali shton se këtë çështje Kroacia e ka të rregulluar qysh prej vitit 1994, kur 30 për qind e territorit kroat ende ishte i okupuar nga pushteti jugosllav.
“Që nga viti 1994, do të thotë akoma ka qenë gjendje lufte, akoma ka qenë 30 për qind e territorit kroat nën pushtimin jugosllav kur është bërë ligji. Ligji disa herë në Kroaci është përpunuar për arsye që t’ia përshtatim kushteve dhe buxhetit të shtetit dhe shumë herë edhe Kroacia ka bërë gabime, por megjithatë, jemi duke u munduar që ato gabime t’i përmirësojmë”, tha ai.
Madje, ai thotë se ligji në Kroaci ka filluar të futet edhe në preambulën e Kushtetutës. Sipas tij, atje është përpiluar një ligj nga juristet, doktorët, mjekët për shkallen e invaliditetit të veteranëve dhe ata që ranë si dëshmorë dhe ai ligj u manifestua me një Ministri të Veteranëve që e ka Kroacia.
“Në atë ligj janë futur të gjithë, por atje dallon me dy grupe, është vullnetari dhe veterani. Veteran është edhe ai që është mobilizuar, kurse vullnetar është vetëm ai i cili i ka pasur 100 ditë deri të pranimi i Kroacisë nga shtetet e tjera, që do të thotë deri me 15 janar 1992, do të thotë ata që kanë marr pjesë në luftën në vitin 1991 e kanë një shkallë me të lartë se veterani dhe ligji është i përafërt dhe disi i përshkruar edhe ligji i Kosovës, natyrisht duke iu përshtatur buxhetit të Kosovës, sepse buxheti i Kosovës nuk është as i përafërt sa buxheti i Kroacisë”, theksoi Çollaku.
Çollaku ka kritikuar edhe presidenten e Kosovës Atifete Jahjaga për mos dekorimin e veteranëve të luftës në Kosovë, e po ashtu edhe mos përmendjen e luftës së UÇK-së, dëshmorët, veteranët e sakrificën e popullit të Kosovës gjatë një vizite në SHBA. Madje, sipas tij, nuk ndodh asnjëherë që presidenti kroat, kur flet për luftën në Kroaci, mos t’i përmend veteranët dhe sakrificën që është bërë për çlirimin e Kroacisë.
“Jo asnjëherë, unë nuk e kam parë, nuk i kam përcjell mediat këto ditë të presidentes, por unë mund të jap një mesazh, çdo ushtar, çdo vullnetar në Republikën e Kroacisë së paku e ka marrë një medalje për pjesëmarrje në luftën e Kroacisë. Kurse në Kosovë akoma nuk kam dëgjuar që presidentja, apo presidentët tjerë kanë dekoruar veteranë të luftës, veteran që kanë dhënë shumë për Kosovën dhe tani sillen rrugëve të Kosovës pa punë”, shprehet gjeneral Çollaku.
Ai jep edhe një mesazh, ku sipas tij, ata të cilët nuk e çmojnë historinë dhe të kaluarën e vet, ka frikë se e ardhmja e tyre nuk do të jetë e ndritur.
Gjeneral Çollaku gjatë qëndrimit në Kosovë tregon edhe për dekorimet që Shoqata e Luftëtarëve Shqiptarë në Kroaci, ka ndarë për ata që kontribuuan në luftën e Kroacisë. Çollaku thotë se kjo shoqatë ka rreth 2500 anëtarë, pasi mbi 2500 shqiptarë kanë marr pjesë në luftën e Kroacisë.
Çollaku thotë se shoqata në bazë të statutit që ka, në bazë të rregullave të Kroacisë, çdo 5 vjet ka të drejt të dekoroj deri në 5 persona të cilët janë post-mortum të cilët kanë rënë për atdhe dhe me së shumti dy persona të gjallë.
Ai tha se dy të gjallët ishin dy bashkëluftëtarët e tij në luftën e Kosovës, gjeneral Kadri Kastrati dhe ish Komandant “Shkupi” Ferid Berisha. Ndërsa, familjet që i dekoruan ata, por edhe shteti kroat ishin familja Jashari, familja Haradinaj, si dhe Fehmi e Xhevë Lladrovci, dy heronj të gdhendur në memorien e kombit./koha 

Share.

About Author

Leave A Reply

Visit Us On TwitterVisit Us On FacebookVisit Us On YoutubeCheck Our Feed
themekiller.com